Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se deputeti Haki Abazi duhet ta njoftojë e të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale e jo të tentojë të fshihet prapa imunitetit të tij si deputet, pas deklaratave për zhdukjen e mostrave të Astrit Dehari.
Abazi të enjten ka akuzuar rëndë partinë e tij, pasi ka thënë se ekzistojnë video-incizime ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. E për këto pretendime, Abazi do të intervistohet nga Prokuroria. Por deputeti i VV-së ka thënë se deri tash nuk është ftuar.
Abazi thotë se ekzistojnë video që tregojnë “kush i zhduki mostrat e rastit Dehari”
Para mediave, Haxhiu ka thënë se së bashku me zëvendësin e saj i kanë dhënë të gjitha deklarimet pasi kanë njoftuar për zhdukjen e mostrave dhe janë të gatshëm ta bëjnë prapë nëse iu kërkohet nga institucionet e drejtësisë.
“Nuk e di për çka e ka fjalën deputeti. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta njoftojë Prokurorinë Speciale, të bashkëpunojë me ta dhe jo të tentojë të fshihet prapa imunitetit të tij prej deputeti. Kemi dhënë deklaratat dhe dëshmitë tona bashkë me zëvendësin tim për institucionet e drejtësisë për të gjitha informacionet që i kemi. Informacionet që i kam pasur janë pranë Prokurorisë. Çdo herë jam e gatshme të dalë para drejtësisë, sa herë e kërkojnë institucionet”, ka thënë ajo.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.
Mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. U pezulluan nga puna katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Por Abazi pretendon se IML-ja është nën vëzhgim të kamerave 24 orë, dhe sipas tij, dihet qartë se kush ka hyrë brenda frigoriferit për t’i nxjerr mostrat.