Arbëri

Dridhje toke në Kosovë

Dridhje toke janë ndier të martën pasdite në Kosovë, si pasojë e një tërmeti me magnitudë mbi 5 shkallë që ka goditur Rumaninë.

Qytetarë të shumtë kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të treguar se i kanë ndier dridhjet e tokës. Tërmeti dridhi Rumaninë pas orës 14:00. Fillimisht u raportua se ishte me magnitudë 5.8 shkallësh. Sipas EMSC-së, lëkundjet e këtij tërmeti janë ndier edhe në Kosovë.

Shemsi Mustafa nga Rrjeti sizmologjik i Kosovës ka thënë se dridhjet e tokës janë ndier në Kosovë për shkak të fuqisë së liruar nga tërmeti në Rumani.

“Ju lutemi. Mos të krijohet panik tek qytetarët, me tituj me të dhëna jo të sakta. Në Kosovë nuk kishte tërmet. Tërmeti ka goditur në Rumani, por për shkak të fuqisë dhe energjisë se liruar dhe përhapjes nëpër mjet valëve sizmike kap distancë deri 500km”, ka shkruar ai në Facebook.

Dy tërmete të fuqishme, mbi 7 shkallë javën e shkuar goditën Turqinë dhe Sirinë. Si pasojë, janë regjistruar mbi 37 mijë të vdekur.

VIDEO: