Arbëri

Prokuroria thotë se e ka vërtetuar që të akuzuarit pastruan paratë e ish-gjyqtarit Puka

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e fjalës përfundimtare për dy të akuzuar për shpëlarje të parave të ish-gjyqtarit Kolë Puka, që vitin e kaluar u dënua për këtë vepër. Derisa Prokuroria tha se dëshmi për kryerjen e veprës penale është vlera e ulët për blerjen e një banese me 72 metra katrorë për 10.000 euro, avokatët mbrojtës thanë se kontratat janë të ligjshme

Në fjalën përfundimtare në rastin ku të akuzuar janë dy persona për shpëlarje të parave të gjyqtarit të Klinës, Kolë Puka, Prokuroria Speciale ka thënë se ka arritur ta vërtetojë kryerjen e veprës penale nga të akuzuarit.

Në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Florije Shamolli si dëshmi ka dhënë blerjen e banesës me çmim tejet të ulët prej 10.000 eurosh.

Para këtij trupi gjykues u dëgjuan edhe të akuzuarit të cilët e pranuan se këtë banesë e kanë blerë në vlerë shumë të ulët, me çka korrespondon me vlerën prej 10.000 eurosh dhe vetë fakti që një banesë prej 72 metrash katrore e blen me vlerën prej 10.000 eurosh konsiston në atë se janë përmbushur elementet e veprës penale të kësaj vepre penale... Duke u nisur nga të dhënat financiare, nuk korrespondojnë të dhënat të cilat kanë ardhur, por kryesisht vijnë vlera të vogla, e krejt kjo është arsye për të besuar se në rastin konkret janë përmbushur të gjitha elementet e kësaj vepre penale”, ka theksuar Shamolli.
 

Pretendimet e Prokurorisë i kundërshtuan avokatët e të akuzuarve. Sipas tyre, Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë kryerjen e veprës penale as lidhur me banesën që e përmendi prokurorja Shamolli.
 

Njëherësh e konsideron kontratë fiktive kontratën që është vërtetuar në Gjykatën Komunale në Klinë. Këto banesa Kolë Puka i ka fituar më 2001 dhe 2002 dhe këto mjete me të cilat janë blerë këto dy banesa nga ana e Prokurorisë dhe hetuesisë nuk është vërtetuar se me cilat para janë blerë, për faktin se edhe Gjykata e Qarkut me vendimin e 23.3.2005 e bën një prerje se me atë datë nuk kanë qenë këto para në qarkullim”, ka deklaruar avokati i të akuzuarit K.G., Ndue Thaqi.
Ndërsa avokatja e të akuzuarit K.A. Fatlume, Korça Sekiraqa, ka theksuar se këto kontrata ishin të vërtetuar në gjykatë.

“Këto kontrata ishin të vërtetuara në gjykatë dhe klienti im nuk e kishte aspak qëllimin dhe nuk është përmbushur asnjë element i veprës penale shpëlarje e parasë”, ka deklaruar ajo.

Prokuroria Speciale, me aktakuzën e vitit 2012 akuzon personat me inicialet I.G., K.G., Z.P., K.A. dhe T.P. se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për ish-gjyqtarin Puka i kanë ndihmuar atij ta fshehë pasurinë e kundërligjshme. Për të akuzuarin Z.P. ka pushuar ndjekja penale shkaku i vdekjes së tij, ndërsa ndaj I.G. dhe T.P. gjykimi po zhvillohet në procedurë tjetër gjyqësore.

Sipas aktakuzës, përmes kontratave e padive fiktive, të pandehurit ia kanë mundësuar ish-gjyqtarit të Gjykatës Komunale të Klinës të fshehë pasurinë e tij në patundshmëri në Klinë dhe Ulqin.

Ish-gjyqtarin Kolë Puka, Themelorja e Prishtinës e ka dënuar me 10 muaj burgim e 2 mijë euro gjobë në tetor të vitit të kaluar, si dhe ia konfiskoi një shtëpi në Prishtinë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 15 shkurt.