Arbëri

Kurti, i gatshëm për takim me Vuçiqin mbi bazën e planit franko-gjerman

Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar në një njoftim për mediat se kryeministri Kurti nëpërmjet një telefonate me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka shprehur pajtimin për intensifikimin e dialogut teksa ka përsëritur përkushtimin e Kosovës për procesin, “sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”. Nga partitë opozitare janë shprehur qëndrime kundërshtuese për qëndrimin e Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti ia ka konfirmuar të shtunën këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gatishmërinë e tij për një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbi bazën e planit franko-gjerman për dialogun.

Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar në një njoftim për mediat se kryeministri, nëpërmjet një telefonate me Cholletin, ka shprehur pajtimin për intensifikimin e dialogut teksa ka përsëritur përkushtimin e Kosovës për procesin, “sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

Konfirmimi është bërë pasi këshilltari i Departamentit amerikan ka mirëpritur pranimin e planit evropian nga Qeveria e Kosovës, teksa veprimin e ka interpretuar si “me përfitime për të dyja palët e përfshira në dialog”.

Plani franko-gjerman, i cili është kualifikuar si evropian, është pranuar nga Qeveria si një bazë e mirë për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, për t’u mirëpritur nga përfaqësues ndërkombëtarë. Mirëpo, nga partitë opozitare janë shprehur qëndrime kundërshtuese për qëndrimin e Qeverisë.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se e kanë mbështetur planin evropian, pasi që e kanë kualifikuar si bazë të mirë për të vijuar dialogun me Serbisë, porse kanë shtuar që kjo nuk duhet të interpretohet si mbështetje për kryeministrin Kurti.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, ka thënë se me gjithë mospajtimet dhe kritikat ndaj Qeverisë, në rrafshin e bisedimeve me Serbinë “nuk duhet që të kursehet mbështetja për të”.

“Kursi publik dhe politik i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe është tepër e rëndësishme që secili prej nesh, a është në pozitë, opozitë apo në shoqërinë civile, ta perceptojë rëndësinë që është tani arritja e marrëveshjes, duke parë angazhimin e SHBA-së dhe miqve tanë”, ka thënë Tahiri.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), subjekti i dytë më i madh opozitar, e kanë kundërshtuar pranimin e planit nga kryeministri teksa kanë theksuar se Kosovës i duhet një marrëveshje me Serbinë që e ka në thelb njohjen e ndërsjellë.

Doarsa Xhelili-Kica, deputete e LDK-së, të shtunën ka refuzuar që të elaborojë mbi qëndrimin e subjektit gjatë një konference për media.

“Qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për dialogun i kemi bërë tashmë të ditura dhe janë publike për secilin nga ju, kështu që nuk do të lëshohem sot në këtë temë”, ka thënë ajo.

Dorajet Imeri, profesor i shkencave politike, ka thënë se qëndrimi i shprehur nga AAK-ja është ai që do të duhej ta mbante i gjithë spektri politik në Kosovë, përderisa ka kritikuar atë të LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, nga kryeministri Mustafa dhe një pjesë e madhe e nomenklaturës së saj janë përgjegjëse për të gjitha rrjedhat politike që i ka pasur Kosova, sepse ka qenë në të shumtën e kohës pjesë e qeverisjes. Prandaj, jo për ta delegjitimuar kauzën e saj opozitare, por për të thënë se tashmë Kosova ka nevojë për një qëndrim unik dhe Lidhja Demokratike nuk mund të kalkulojë për disa vota në këtë moment, kur Kosova ka nevojë për unitet në të gjithë skenën politike”, ka theksuar Imeri.

Duke elaboruar mbi planin franko-gjerman, Imeri ka theksuar se Kosova nuk ka pasur alternativë tjetër përveç se ta pranojë këtë plan, pasi që refuzimi do të prodhonte pasoja të parikuperueshme.

Ai ka shprehur skepticizmin se përmbajtja e propozimit, i cili njihet si plani evropian, do të ndryshojë deri në një marrëveshje finale.

“Varësisht nga pozicionet negociuese, varësisht nga trysnia ndërkombëtare dhe varësisht nga aftësia argumentuese do të varet pastaj i gjithë procesi, por që kam një bindje që nuk do të ndryshojë shumë nga ajo se çfarë është propozuar tash për palët”, ka shtuar ai.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka njoftuar se së shpejti do të ftojë për takim kryeministrin e Kosovës, Kurti dhe presidentin e Serbisë, Vuçiq, për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të Brukselit.