Punëtorët e kompanisë rajonale për mbeturina “Pastrimi” kanë protestuar të mërkurën para selisë së kompanisë duke kërkuar rritje pagash, të shujtave e përmirësim të kushteve të punës.
Kryetari i sindikatës, Florim Cakiqi, ka thënë për KTV-në se nëse nuk përmbushen kushtet e kërkuara, do të ketë bojkot të punës.
“Ne me kërkesë të punëtorëve kemi bë një protestë paqësore njëorëshe për kërkesat që janë elementare: rritje e pagës, shujtës, nivelizimi i pagave dhe kushtet për punë. Në këto kushte s’mund të punohet. Janë tejet të vështira. Kamionët janë shumë në gjendje të rëndë. Rroga është 330 euro. Me to nuk mundet me ia dalë askush. Qe 5 vjet s’janë rritë rrogat. Për herën e fundit është rritur 20 euro. Nëse vazhdon në këso gjendje e s’na ndihmojnë komunat ne do të marrim masa edhe më të vështira. Do ta bllokojmë krejt e s’do të dalim fare në terren”, ka thënë Cakiqi që ka shtuar se me kërkesa i janë drejtuar bordit të ndërmarrjes, aksionarëve dhe kryetarëve të komunave.
Ai ka thënë se paga s’mjafton as për të paguar tatimin në pronë, që së fundmi është rritur ndjeshëm.
Ndërkaq, Fadil Gashi, punëtor i ndërmarrjes ka thënë se kërkesë është që vlera e shujtës nga 2.5 euro të bëhet 4. Po ashtu ai ka thënë se kërkojnë që pagat të rriten për së paku 100 euro.
Një shofer i kamionëve të kësaj ndërmarrjeje ka thënë se automjetet janë aq të dobëta sa që “as 20 për qind s’janë të aftë për të dalë në punë”.
“Pastrimi” është ndërmarrje që merret me mirëmbajtjen e pastërtisë dhe të higjienës publike, përfshirë edhe bartjen e mbeturinave si veprimtari të saj themelore në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.