Protesta e organizuar nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare ë Kosovës, për t’i kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, të cilat i bëri në pesëvjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka nisur nga ora 12:00 nga sheshi "Zahir Pajaziti".
Fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së kanë vendosur disa pankarta te objekti i Qeverisë së Kosovës.
“Kryeministër kurrë s’i dhe asgjë Kosovës. Dorëhiqu!”, “Kryeministër, mos i glorifiko kriminelët!”, “Kryeministër mos ofendo, mos devijo!”, ishin disa nga pankartat e vendosura pranë objektit të Qeverisë.
Berat Beqiri, organizator i kësaj proteste tha se deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme politike, si dhe ofendimet e tilla si ky që bëri Albin Kurti do të pasohen me kundërshtimin e tyre si familjarë të dëshmorëve.
"Përmes kësaj proteste duam të tregojmë që ka ardhur koha për t'u distancuar dhe për t'i ndërgjegjësuar të gjithë përfaqësuesit politikë, pa përjashtim pozitë ose opozitë, për më shumë kujdes, maturi dhe përgjegjësi ndaj historisë, të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë. Dhe për t'iu thënë se deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme politike, ofendimet e tilla si ky që bëri Albin Kurti do të pasohen me kundërshtimin tonë dhe me kërkesën tonë për dorëheqje", tha ai.
Ndërsa, Edona Gashi gjatë protestës parashtroi disa pyetje për kryeministrin Kurti.
“Kryeministër po të pyes si një fëmijë që për 24 vjet nuk e kam thirrur emrin babë, çka po të pengon lufta e UÇK-së dhe gjaku i heronjve tanë? Kryeministër a të vjen turp që një kriminel lufte e quajtët hero, dhe gjakun e dëshmorëve e shkelët? Kryeministër a të vjen turp të dalësh para këtyre fëmijëve? Kryeministër a të vjen turp t’i dalësh përpara familjeve të të zhdukurve dhe të pagjeturve? Por kryeministër a të vjen turp për atë deklaratë tënden ndaj Oliver Ivanoviqit? Andaj, në emrin tim dhe të fëmijëve të dëshmorëve kërko falje, mos na shkel edhe më shumë në kujtimet tona për prindërit tanë, të cilët i lanë tokat tona me gjakun e tyre, vetëm e vetëm që ne ta përjetojmë lirinë”, tha Gashi.
Tefik Sejdiu nga Mitrovica, i cili tregoi se i ka tre anëtarë të familjes të vrarë nga Oliver Ivanoviq, tha se kryeministri Kurti, duhet të kërkojë falje për deklaratën e thënë për Ivanoviqin, raporton KSP.
“Kryeministër, unë jam dëshmitari kryesor kundër Oliver Ivanoviqit, ti që e ke shpall hero, duhet të të vijë marre. Kryeministër kërko falje. Tre anëtarë të familjes të masakruar dhe 28 tjerë, turp të kesh”, tha Sejdiu.
Edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimite Musliu e ka përkrahur nga afër protestën. Ajo tha se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, Albin Kurti ishin të drejta.
“Kërkesat e protestuesve ishin të drejta, ishin fëmijë të dëshmorëve ata që mbajtën fjalim dhe ata e kanë ndierë dhimbjen e humbjeve të tyre të mëdha, sepse humbjet e luftës kanë qenë në dimensione të ndryshme. Humbjet materiale edhe kompensohen por humbjet shpirtërore dhe familjare, siç kanë ndodhur në luftën e fundit, janë të parikuperueshme. Andaj, si politikanë është mirë të jemi të kujdesshëm dhe të matshëm në deklaratat tona, që të paktën nëse nuk mund t’i trajtojmë me dinjitet këto kategori, mos t’i lëndojmë. Vet fakti që glorifikohet, Oliver Ivanoviqi, në atë formë me një eksra video nga kryeministri, tregon për katandisjen e kësaj qeverie. E mbështes fuqishëm thirrjen e protestuesve sot, thirrjen e fëmijëve të dëshmorëve, që kryeministri tashmë është vonë me kërkim falje, ai për një deklaratë të tillë do duhej të dorëhiqet”, tha Musliu.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tha se një kryeministër që bënë deklarata si ajo e Kurti, duhet të japin dorëheqje nga pozita.
“Dëgjova se kërkuan nga kryeministri që të kërkojë falje ose të japë edhe dorëheqje, por edhe ne si organizata të dalura nga lufta, mendojmë se duhet të kërkojë falje ose nuk ka nevojë që të mbetet në pozicionin e kryeministrit, derisa bënë këso deklarata”, tha Klinaku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 5 vjetorin e vrasjes së politikanit serb Olivier Ivanoviq, ka thënë se krimi i 16 janarit të vitit 2018, ka vrarë edhe pluralizmin politik te serbët.
Kurti e ka përshkruar Ivanoviqin si një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe se punoi për një Kosovë shumëetnike.
“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë Kurti.
