Arbëri

Përmbytjet bllokojnë familje, shkaktojnë dëme të shumta

Në Komunën e Mitrovicës dhe në atë të Skenderajt është shpallur gjendje e emergjencës, shkaku i reshjeve atmosferike. Në Komunën e Podujevës të bllokuara kanë mbetur 60 shtëpi në fshatin Pakashticë e Epërme, pasi që uji i lumit ka dalë nga shtrati dhe ka mbyllur rrugën. Ndërkaq në Pejë vërshimet kanë mbuluar me ujë rrugët e qytetit, përderisa janë përmbytur edhe hapësirat përdhese të lokaleve afariste

Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut kanë përmbytur të enjten rrugë të shumta, shtëpi dhe lokale afariste në zona të ndryshme të komunave të Pejës, Mitrovicës, Skenderajt, Podujevës dhe në Istog.

Si pasojë e reshjeve, në Komunën e Mitrovicës dhe në atë të Skenderajt është shpallur gjendje e emergjencës. Në Komunën e Podujevës të bllokuara shkaku i reshjeve kanë mbetur 60 shtëpi në fshatin Pakashticë e Epërme, pasi që uji i lumit ka dalë nga shtrati dhe ka mbyllur rrugën. Ndërkaq në Pejë vërshimet kanë mbuluar me ujë rrugët e qytetit, përderisa janë përmbytur edhe hapësirat përdhese të lokaleve afariste.

Gjendje emergjence

Reshjet e shiut kanë nxitur autoritetet në Komunën e Mitrovicës dhe në atë të Skenderajt që të shpallin gjendje emergjence.

Komuna e Mitrovicës, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar se është formuar dhe aktivizuar Qendra Operative Emergjente për menaxhimin dhe monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet.

“Qendra Operative Emergjente ka mbajtur edhe një takim të jashtëzakonshëm, ku është diskutuar për gjendjen aktuale me të cilën po përballet qyteti i Mitrovicës, si pasojë e reshjeve atmosferike. Hapja e këtij takimi është bërë nga kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza, i cili pasi i ka njoftuar anëtarët me situatën aktuale në Mitrovicë, ka shpallur gjendje emergjente, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut”, është bërë e ditur në njoftim.

Zyrtarët në Komunën e Skenderajt kanë njoftuar se gjendja më e rënduar është në pjesën e qendrës, në një pjesë të Klinës, të Llaushës, Klladërnicës dhe të Turiqevcit, përderisa kanë shtuar se dëmet materiale janë shumë të mëdha.

“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës sonë. Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në terren dhe po e bën punën e vet”, ka njoftuar të enjten Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt.

Në fshatin Drejë të Istogut 12 familje, të cilat kanë qenë të bllokuara si pasojë e reshjeve, janë evakuuar gjatë mbrëmjes.

Ekipet emergjente të komunës dhe të zjarrfikësve nuk kanë arritur që të depërtojnë deri te shtëpitë e tyre.

Xhevat Demaj, drejtor i Emergjencave në Komunën e Istogut, ka thënë se po pritet ndihmë nga Forcat e Sigurisë të Kosovës (FSK).

“Është i bllokuar prej orës 12:00. Na kanë mbetur të bllokuara 12 familje brenda në katund, dy hyrje të katundit janë blloku, jemi munduar me zjarrfikës, por nuk kemi pasur mundësi që të depërtojmë. Tash FSK-ja ka ardhur këtu dhe po mendojmë përmes FSK-së t’i tërheqim”, ka thënë Demaj. Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar me familjet e bllokuara dhe se ata e kanë njoftuar të janë mirë, por që presin për t’u evakuuar.

Ministri i Mbrojtjes, Amend Mehaj, ka bërë të ditur se pjesëtarët e FSK-së tashmë ndodhen në terren për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, ndërkaq e ka kualifikuar gjendjen e shkaktuar nga përmbytjet si të menaxhueshme.

“Për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e vërshimeve, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës tashmë janë në terren, duke u ofruar gjithë ndihmën e nevojshme autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në Skenderaj, Mitrovicë e Istog. Jemi në komunikim dhe në koordinim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave në gatishmëri për të vepruar në çdo kohë. Situata është e menaxhueshme dhe urojmë që të ketë sa më pak dëme”, është bërë e ditur në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Një familje që banon në pjesën e parë të fshatit Drejë të Istogut ka arritur që të evakuohet vetë nga zona.

“Po e shihni edhe vetë se në çfarë situate jemi. Vërshime janë të mëdha. Më ka hyrë uji në krejt shtëpinë, gjysmë metri. Po e shihni edhe vetë çfarë gjendje është. Vetëm shoqen e kam brenda (shtëpisë), por tani del edhe ajo. Asaj po i dhimbset çka ka ndodhur brenda, por po i them: ‘Çka të bëjmë, kjo është prej Zotit’”, ka thënë banori Sinan Jetishi.

Image

Ankesat për dëme materiale

Në qytetin e Pejës vërshimet shkaku i reshjeve të mëdha të shiut kanë mbuluar rrugët me ujë, përderisa janë përmbytur edhe hapësirat përdhese të lokaleve afariste. 

Qytetarët kanë thënë se kjo nuk është hera e parë që kanë pësuar dëme pas vërshimeve, ndërsa janë ankuar se reshjet e shiut u kanë shkaktuar edhe mungesë të energjisë elektrike.

“Këtë vit kjo është e treta herë që po më bën dëme. Tash më së paku 50.000 euro më ka bërë dëm, do të thotë magazinat, e krejt janë nën ujë. Gjithçka, si pijet, si ushqimet, më ka bërë dëm, se magazinat janë magazina që e mbajnë ushqimin, i mbajnë të gjitha”, ka thënë Shpend Lajçi, pronar i një restoranti.

“Kjo që po shihet është tmerr”, është shprehur Bashkim Gashi, qytetar i kësaj komune.

Rreth 6 ekipe janë aktivizuar në terren në Komunën e Pejës ndërsa gjatë ditës nuk ka pasur nevojë për të ndërmarrë ndonjë aksion evakuimi.

“Situata në krejt territorin e Pejës është nën kontroll, po mendoj për të mos pasur ndonjë dëm ose evakuim të familjes. Ashtu, është nën kontroll, se kështu rrjedhja që po shkon nëpër pjesë të rrugës ose livadhe, ato janë që ne s’mundemi t’i ndalim”, ka deklaruar Faik Zekaj, zëdhënës në Komunën e Pejës.

Krahas rrugëve e bizneseve, reshjet kanë dëmtuar edhe tokat bujqësore në disa fshatra të Pejës, si në Kliçinë dhe Leshan.

60 shtëpi të bllokuara në Pakashticë të Podujevës

Dalja e ujit të lumit nga shtrati dhe mbyllja e rrugës ka lënë të bllokuara rreth 60 shtëpi në fshatin Pakashticë e Epërme në Komunën e Podujevës, ku kalimi në pjesën tjetër të fshatit ka qenë i pamundur me automjete të vogla.

Banorët kanë thënë se kjo gjendje e rënduar mbizotëron që nga mbrëmja e së mërkurës.

“Prej mbrëmë thuajse janë rrit ujërat. Lumi e ka shtratin shumë të ngushtë edhe u dalë uji nëpër oborre, nëpër ara, nëpër grunije, ka shkaktua dëm shumë të madh. Edhe lart, në krye të fshatit, shtëpinë e Muratit të Fejzës thuhet se e ka rrëzua murin komplet që e ka ndërtua komuna. Edhe është bllokua komplet rruga. Lart dëmet janë shumë të mëdha”, ka thënë Arsim Hasani, banor i fshatit

Pakashticë e Epërme. “Dy lagjet, Qenogë dhe te Çarduzët, janë diku 60-70 shtëpi që kanë mbetur të bllokuara”, ka shtuar ai.

Besim Alushi, banor tjetër i fshatit, ka treguar se vërshimet kanë nisur tash e dy ditë.

“Telashe. Uji është i madh, shtrati është i vogël. Po të ishte shtrati ma i thellë, të zgjerohej pak, atëherë nuk do të kishte këso telashesh, sepse nuk mundemi që natyrës t’i dalim përpara. Dëmet më së shumti janë shkaktua në këto ara me grurë që i kemi këtu, dhe te rruga e Pakashticës. Po të shkosh më lart, është edhe më shumë e dëmtuar. Po flitet që edhe në shtëpi ka hyrë uji”, është shprehur ai.

Rritja e nivelit të ujit ka nxjerrë nga shtrati lumenj e përroska, që kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore dhe në bujqësi. Në Pakashticë, Bradash, Peran dhe në një lagje në Podujevë, uji ka depërtuar nëpër oborre dhe është afër që të hyjë edhe nëpër shtëpi.

“Po kemi problem me ujë. Lumi kryesor është bllokuar nga mbeturinat. Nuk kemi si të bëjmë zgjidhje. U kisha bërë apel njerëzve, së pari kryetarit, që të zgjerojnë ku është depërtimi i ujit”, ka thënë Arsim Hoti, banor i fshatit Bradash.

Zyrtarë të Komunës së Podujevës kanë bërë të ditur se janë bërë intervenime në disa pjesë që konsiderohen si problematike, për të shmangur rrezikun që mund të shkaktojë rritja e nivelit të ujit.

“Prej mbrëmë kemi qenë tërë kohën duke e përcjellë situatën në komunën tonë. Tash pothuajse jemi të njoftuar me pikat më të ndjeshme, sepse është hera e katërt që këtë vit po përballemi me vërshime dhe pjesët më të vërshuara deri tash janë fshati Pakashticë, Perani, Letanci, Bajçina, një

pjesë e Obrançës dhe një pjesë e qytetit”, ka theksuar Bahri Selimi, drejtor për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim. “Ne që në mëngjes kemi dalë, e kemi parë komplet gjendjen si është dhe i kemi prioritizuar vendet ku duhet të intervenojmë sa më shpejt dhe më pastaj kemi filluar me intervenimet në disa pjesë, ku kemi vlerësuar se janë më problematike. Një prej tyre është edhe ky ku jemi tash (Pakashticë e Epërme) t’u mundua me ba të kalueshme rrugën. Në të njëjtën kohë është duke u intervenuar edhe në disa vende të tjera, në Bradash, Obrançë dhe në një pjesë e qytetit”.

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, ka bërë të ditur se janë bërë punime në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të qarkullueshme për automjete.

“Sipas informacioneve nga terreni, janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së, të kontraktuara nga MMPHI-ja, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, ka bërë të ditur Durmishi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.

Mbi situatën e renduar nga vërshimet në Kosovë është diskutuar edhe në Kuvend. Deputetët kanë kërkuar nga Qeveria dhe nga institucionet që të dalin në terren dhe që të mbështesin familjet në nevojë.

MPB: Jemi mobilizuar me të gjitha kapacitetet

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të enjten se është mobilizuar me të gjitha kapacitetet për shkak të vërshimeve në disa rajone të Kosovës. Nëpërmjet një komunikate për media, në MPB kanë apeluar te qytetarët që në rast se jetojnë në zona ku ka përmbytje, të kenë kujdes të shtuar dhe të kërkojnë ndihmë nga autoritetet, po qe se kanë nevojë.

“Aktualisht MPB-ja është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, përfshirë AME-në me të gjitha njësitë e zjarrfikësve dhe Policinë e Kosovës, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë. Ministria e Punëve të Brendshme është në komunikim dhe në koordinim me të gjitha ministritë e tjera për marrjen e të gjitha masave për përballimin sa më të lehtë të situatës. Apelojmë te qytetarët që jetojnë në zona ku ka përmbytje që të kenë kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me autoritetet shtetërore që t’iu vijnë në ndihmë. Qendrat operative emergjente janë aktivizuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojnë në numrin emergjent 112”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Reduktime të ujit në Fushë-Kosovë, Obiliq, Podujevë e në lagjen “Kalabria”

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar të enjten se për shkak të reshjeve atmosferike do të ketë reduktime të ujit në Fushë-Kosovë, Obiliq, në fshatrat e Podujevës dhe në lagjen “Kalabria” në kryeqytet. Gjendjen më të rëndë e ka përshkruar në Drenas, por për të cilën ka theksuar se mund të tejkalohet me autocisterna.

Sipas njoftimit, Fushë-Kosova së bashku me Zonën Industriale, lagjen “Kalabria” të Prishtinës, e edhe Obiliqin do të kenë reduktime të ujit duke filluar nga e enjtja, nga ora 10:00 dhe do të zgjasin deri në 16:00. Ujë do të ketë nga ora 16:00-20:00, pastaj reduktim të sërishëm nga ora 20:00 deri në 4:00 të mëngjesit.

Në pozitë më të rënduar, siç thotë njoftimi, është Komuna e Drenasit, por autocisternat do të lejojnë qytetarët të furnizohen me ujë.

Një zgjidhje është premtuar edhe për Fushë-Kosovën.

“Edhe në Fushë Kosovë në kohën e reduktimit do të vendosim autobot për furnizim me ujë deri në tejkalimin e situatës”, thuhet në njoftim.

Në fshatrat e Podujevës ka pasur reduktime gjatë ditës afro tri orë.

Në njoftim theksohet se reduktimet do të vazhdojnë deri në qetësimin e situatës.