“Koha Ditore” ka pasur qasje në një dokument për të cilin besohet se është teksti i propozuar për “Marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë”. Ky dokument thuhet se u ishte dorëzuar palëve në muajin gusht. Ndërkohë zyrtarët e lartë të BE-së kanë thënë se i njëjti propozim është përditësuar dhe tashmë ai është bërë propozim i “të gjitha 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”. Burimet perëndimore i kanë thënë “Kohës Ditore” se ky version është pa përditësimet që janë bërë ndërkohë, porse nuk ka pasur ndryshime në pikat dhe idetë kryesore.
Në vazhdim po e sjellim në tërësi tekstin e këtij propozimi, autenticiteti i të cilit zyrtarisht nuk është konfirmuar:
Marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë
Palët e larta kontraktuale;
Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;
Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin e frytshëm rajonal dhe sigurinë në Evropë;
Duke kuptuar se paprekshmëria e kufijve dhe respekti për integritetin territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kushtet bazë për paqe;
Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar qëndrimet e ndryshme të palëve rreth çështjeve themelore, përfshirë edhe për çështjen e statusit;
Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim mes palëve në të mirë të njerëzve,
Janë pajtuar për si vijon:
Neni 1
Palët do të zhvillojnë raporte normale, të mira fqinjësore me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta.
Të dyja palët do t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet të vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.
Neni 3
Në pajtueshmëri me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin secilin mospajtim mes tyre vetëm me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Të dyja palët do të mbështesin aspiratat e tyre respektive për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Përderisa kjo marrëveshje bazë paraqet një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një nxitje të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE, i cili do të çojë deri tek marrëveshja ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.
Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, raportet në drejtësi dhe vendosje të ligjit, postë dhe telekomunikim, shëndetësi, kulturë, religjion, sport, ruajtje të mjedisit, persona të pagjetur dhe fusha tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike
Neni 7
Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë misionet e përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse qeveritare.
Çështjet praktike të lidhura me vendosjen e misioneve do të adresohen ndaras.
Neni 9
Të dyja palët marrin në dijeni përkushtimin e BE-së dhe të donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë speciale të asistencës financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, konektivitetin, tranzicionin e gjelbër dhe fushat e tjera kyçe.
Neni 10
Palët do të themelojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Të dyja palët konfirmojnë obligimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.