Disa shpërthime raportohet të kenë ndodhur të martën në mesditë në objektin e Komunës së Zubin-Potokut në veri të Kosovës, në momentin kur zyrtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor kanë tentuar të hyjnë në objekt. Po ashtu, edhe zyra e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut është demoluar. Si pasojë, zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u është pamundësuar kryerja e punës së tyre.
Mësohet se menjëherë janë lëshuar alarmet e rrezikut.
Institucionet përgjegjëse nuk kanë konfirmuar shpërthimet.
Ndërkaq zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar se janë në pritje të njoftimeve për situatën nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve. Për shkak të situatës në veri, është thirrur mbledhje e KQZ-së.
Ai ka thënë se zyrtarët kanë shkuar në zyrat e tyre të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, nën përcjelljen e Policisë, por ushtrimi i detyrës zyrtari s’ka qenë i mundur.
“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, ka deklaruar Elezi.
Më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash në këto komuna. Në zgjedhje nuk do të marrë pjesë Lista Serbe e cila ka udhëhequr me komunat deri në dorëheqjen kolektive, pas vendimit të Qeverisë për ndëshkim të pronarëve të veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.