Qeveria ka mbajtur mbledhjen e tretë prej se u caktua kabineti “Kurti 4”. Në rend dite ishin 40 pika, që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare, shpronësime e emërime. Mungesa e procedimit të ndryshimeve në Ligjin për Specialen është kritikuar nga akterë të Partisë Demokratike që e kanë iniciuar. E në hyrje të mbledhjes, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në rrethanat pas dënimit të katërshes së UÇK-së, Kosovës më së paku i duhen zgjedhjet e reja. Zhvillimet lidhur me këtë mbledhje, mund t’i përcillni këtu
Kurti: Serbia e Rusia s’do ta kenë kollaj ta përdorin verdiktin e Speciales kundër Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të ketë përpjekje nga Serbia dhe Rusia që ta përdorin kundër Kosovës aktvendimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Ksoovës, porse një gjë të tillë nuk do ta kenë të lehtë.
Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se vetë aktgjykimi i Gjykatës Speciale e ka hedhur poshtë të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, si dhe akuzën për krime kundër njerëzimit.
“Duhet ta ndërmarrim një fushatë të përbashkët sa i përket diplomacisë publike sepse natyrisht që do të ketë përpjekje nga Serbia dhe Rusia që aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të përdoret kundër Republikës së Kosovës. Ndonëse është e qartë se nuk e kanë kollaj siç kanë menduar për shkak se e para; e ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ dhe i ashtuaquajturi trafikim i organeve nuk ia arriti as të aktakuza se lëre më te aktgjykimi. Kjo është edhe si rezultat i raportit të Williamsonit ku natyrisht thuhet që s’ka ‘Shtëpi të Verdhë’ e as trafikim të organeve. Çka ka ndodhë në atë aktgjykim në kontrast me raportin Clint Williamsonit është edhe fakti që aktgjykimi ka thënë se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit e as dhunë, përndjekje sistematike e të gjerë ndaj popullsisë civile. Pra UÇK-ja ska bërë diçka të tillë”, ka thënë Kurti.
Kurti: Asnjëherë s’kam pritur drejtësi nga Specialja, këtë javë i përgjigjemi iniciativës së PDK-së
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se asnjëherë s’ka pritur drejtësi nga Gjykata Speciale, ndërsa ka shtuar se këtë javë do t’i përgjigjen iniciativës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e cila kërkuar ndryshimin në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimet për ndryshim të këtij ligji, duke synuar që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh, të barten në Kosovë, për shkallët e tjera të gjykimit. Inicimi u bë pas dënimit nga Specialja me 81 vjet burgim për katër udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se iniciativën e PDK-së e kanë dërguar në zyrën ligjore të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.
“Është procedurë e rregullt. Nuk duam të bëjmë shkelje, s’kemi pse. Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë, këtë javë do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, po ashtu edhe vlerësimin financiar të buxhetit nga Ministria e Financave e menjëherë do ta përcjellim për Kuvend”, ka thënë ai.
Tutje, kryeministri u shpreh se asnjëherë nuk ka ndërruar qëndrim për Gjykatën Speciale prandaj edhe thotë se s’ka pritur drejtësi.
“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën. Akuza e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet medoemos të korrigjohet në apel. Ka munguar transparenca, përveç se gjykatë mono-etnike. Dhe e treta janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që dëgjuam më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe. Por vendimi i plotë është mijëra faqe”, ka deklaruar Kurti.
Kurti u shpreh optimist për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor, kur është afati i fundit. Optimizmi, siç thotë Kurti, ia ka rritur Deklarata e miratuar në Kuvend të hënën me 99 vota për.
“Është e domosdoshme të kemi takime të reja. Do të kemi takime. Dhe shpresojmë që dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë më tej. Jam optimist se e kam parë të hënën. Nuk do ta kisha këtë optimizëm nëse të hënën nuk do ta kishim miratuar me 99 vota për atë Deklaratë”, shtoi kryeministri.
Qeveria çon në Kuvend gjashtë projektligje për miratim
Qeveria ka proceduar për Kuvend gjashtë projektligje të cilat kërkojnë miratimin e deputetëve.
Pesë ishin në rend të ditës, ndërkaq projektligji për ndryshim-plotësimin për ndarjet buxhetore për vitin 2026 ishte në pikat e ndryshme.
E në mbledhjen e sotme ka trajtuar 40 pika që përfshinin marrëveshje ndërkombëtare, shpronësime e emërime.
Në mesin e tyre nuk ishin edhe ndryshimet e Ligjit për Specialen të cilat janë propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
E në hyrje të mbledhjes, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në rrethanat pas dënimit të katërshes së UÇK-së, Kosovës më së paku i duhen zgjedhjet e reja.
Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe shtesën 0.5 për përvojë pune
Qeveria ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhetin e Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka arsyetuar se 102 milionë euro parashihen që të ndahen te kontigjenca e pagave në mënyrë që të mbulohet kostoja e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe në anën tjetër të mbulohet edhe pagesa retroaktive për diferencën e shtesës 0.5 për qind ashtu siç e ka paraparë Gjykata Kushtetuese.
“Që nga ky vit me anë të Ligjit për ndarje buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë ligji i pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar, pjesë e cila parashihet të mbulohet me këtë ndarje. Gjithashtu edhe një pjesë tjetër prej 20 milionë eurosh parashihet të dedikohet tek pensionet bazike që të mbulohet kostoja e rritjes së natyrshme të pensionistëve”, ka thënë ai.
Vitin e kaluar, Qeveria ndau pagën e 13-të për punonjësit e sektorit privat.
0.5 përqindëshi është shtesa që u bëhet punonjësve të sektorit publik për çdo vit përvojë pune. Pra një punëtor me 10 vjet përvojë përfitonte shtesë 5 për qind mbi pagën bazë.
Por kjo shifër u ndërrua me Ligjin për Paga më 2022. Për 15 vjetët e parë ajo u përgjysmua në 0.25 për vit, e më pas u bë 0.5 pas vitit të 15-të. Gjykata e ka shpallur këtë antikushtetues.
Pas kësaj pasuan padi të qytetarëve që kërkonin shtesën retroaktivisht.
Kurti: Në rrethanat e reja, shteti më së paku do të duhej të kishte mbi qafë kërcënimin e zgjedhjeve
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se në rrethanat aktuale, pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale, vendit i duhet stabilitet institucional dhe përgatitje për mbrojtje juridike e diplomatike në Gjykatën e Apelit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kurti ka deklaruar se të dielën ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa e ka cilësuar si hap të parë të përbashkët Deklaratën e miratuar në Kuvend me 99 vota për, ku kundërshtohet vendimi për ish-krerët e UÇK-së dhe bëhet thirrje për strategji të përbashkët shtetërore për mbrojtjen e tyre në shkallën e dytë.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet partive parlamentare për këtë çështje, duke kërkuar që veprimet të bashkërendohen me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët e fushës.
“Si kryeministër, do të bëjmë gjithë çfarë dimë e mundemi bashkë me kolegët nga Qeveria në Apel. UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dhe dëbimeve”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.
Duke folur për situatën institucionale pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti ka thënë se përcaktimi i afatit për zgjedhjen e presidentit e ka vendosur vendin para një situate emergjente.
“Aktgjykimi që prodhoi normë të re kushtetuese lidhur me rrjedhjen e afatit për zgjedhjen e presidentit na vë para një situate emergjente për veprim. Kishim marrëveshje me LDK-në, por ajo u braktis nga gjashtë deputetë. Nga sot, kemi edhe gjashtë ditë për t’i dhënë vendit president të ri”, ka deklaruar ai.
Siç thotë aktgjykimi i Kushtetueses, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 6 tetor.
Sipas Kurtit, zgjedhja e presidentit është e mundshme, ndërsa zgjedhjet e reja do të kishin pasoja të rënda për vendin dhe, sipas tij, mund të shmangen.
“Andaj të ulemi bashkë, sepse edhe pse zgjedhjet do të shkaktoheshin nga moszgjedhja e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit, ndërkaq Qeveria do të mbetej në detyrë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se qytetarët presin më shumë përgjegjësi nga partitë politike dhe se Kosovës i nevojiten institucione funksionale.
“Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme. Nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje të panumërta vetëm për t’u kthyer në pikën e njëjtë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Deklarata e miratuar në Kuvend ka hapur, sipas tij, një kapitull të ri të bashkëveprimit dhe bashkërendimit ndërmjet partive.
“Secili proces zgjedhor është kontekst i ri mbi të cilin duhet të reflektojmë. Kësaj here nuk do të prodhohej rezultat ndryshe, por kemi rrethana të reja që kërkojnë më shumë përgjegjësi shtetërore”, ka deklaruar Kurti.
“Në rrethana të reja, shteti ynë më së paku do të duhej të kishte mbi qafë kërcënimin e zgjedhjeve të reja. Vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional, ashtu që të marrë përgjegjësinë për detyrat që i ka përpara, strategjinë e përbashkët shtetërore dhe mbrojtjen juridike e diplomatike ta kemi triumfuese nëpër botë”, ka përfunduar ai.
Çitaku kritikon Qeverinë për mosprocedim të ndryshimeve në Ligjin për Specialen
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për rendin e ditës në mbledhjen e tretë, që pritet të mbahet të mërkurën. Ajo ka thënë se Qeveria po e pengon ndryshimin e Ligjit për Specialen.
PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimet për ndryshim të këtij ligji, duke synuar që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh, të barten në Kosovë, për shkallët e tjera të gjykimit. Inicimi u bë pas dënimit nga Specialja me 81 vjet burgim për katër udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Çitaku ka shkruar në Facebook se “çdo ditë vonesë e rëndon përgjegjësinë” e kryeministrit dhe ministrave.
“Sot, në komisionet e Kuvendit po përshpejtohet shqyrtimi i një numri të madh projektligjesh të Qeverisë, shumë prej tyre për sektorin e drejtësisë. Pa analizën e duhur, pa debat substancial dhe pa dëgjime publike. Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar. Ky nxitim ngre dyshime serioze se ligjet po i përshtaten agjendës politike të pushtetit. Ndërkohë, projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mbahet në sirtarin e ministres, nën arsyetimin e “ekspertizës juridike”. Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje! Donikë, Albin dhe zyrtarë përgjegjës: mos e pengoni këtë projektligj. Procedojeni menjëherë në Kuvend. Dëgjojeni popullin që tash e 15 ditë është në shesh. Çdo ditë vonesë vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë tuaj. Dhe më besoni: dita e llogaridhënies do të vijë”, ka shkruar ajo në Facebook.