Arbëri

Zv.kryeministri i Kosovës do të qëndrojë në Beograd për dy ditë

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, do të qëndrojë të enjten dhe të premten në Beograd, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrisë të mërkurën.

Sipas njoftimit, arsyeja e shkuarjes së tij atje do të jetë një Forum dhe një konferencë me tema që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Serbinë.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, merr pjesë në Beograd, ditën e enjte në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit ‘Dialogu Diplomatik’, me temë ‘Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit’, me fillim nga ora 17:00. Ditën e premte, do të jetë pjesëmarrës në një panel diskutimi, në kuadër të ‘Belgrade Security Conference’, me temë ‘Kosova dhe Serbia – Shmangia e rrugës pa dalje’, me fillim nga ora 18:15”, ka njoftuar kryeministria të mërkurën.

Kush ishte zyrtari i parë kosovar që shkoi në Serbi?

Zyrtari i parë qeveritar që pati shkuar në Beograd, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte Enver Hoxhaj, në vitin 2014, që atëherë mbante postin e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Vizita ishte cilësuar historike nga mediat botërore, si vizitë e parë zyrtare në Serbi e një ministri kosovar që pas shpalljes së Pavarësisë.

Ai ishte pjesëmarrës në konferencën rajonale me ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë të vendeve të rajonit.

Atëkohë ishte edhe kryeministri Edi Rama që theu akullin si kryeministri i parë i Shqipërisë që vizitoi Serbinë në më shumë se 70 vjet.

Vizitat në Kosovë dhe në Serbi të zyrtarëve të të dyja palëve shpesh janë pamundësuar. Së fundmi në Kosovë qëndroi kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, e cila ishte e shoqëruar nga Petar Petkoviq, të cilit iu refuzua hyrja në Kosovë disa herë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe zëvendëskryeministri Bislimi vonë vizituan Preshevën, e që paraprakisht katër ministrave të Qeverisë së Kosovës u ishte refuzuar hyrja.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga të dyja palët më 2013 ishte rregulluar edhe çështja e vizitave zyrtare. Sipas marrëveshjes, zyrtarët ndërlidhës në Prishtinë dhe në Beograd duhet të merren me procedurat dhe detajet e vizitave.