Arbëri

Pas një muaji grevë, të hënën nisi viti i ri shkollor

Të hënën (3 tetor) nisi viti i ri shkollor në Kosovë, pas plot një muaji grevë në të gjitha institucionet arsimore publike.

Dyert e institucioneve arsimore u hapën, pasi sindikalistët morën vendim që greva e nisur më 25 gusht, të pezullohet deri në janarin e 2023-s.

Kryetari i Këshillit Grevist të sindikatave dhe njëherësh kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që këta tre muaj t'i shfrytëzojë për të dialoguar me sindikalistët.

“Urojmë që kjo kohë të shfrytëzohet nga Qeveria për dialog, sepse janari i vitit 2023 vjen shpejt, por nuk është mirë të ndodhë prapë greva si kjo e tanishme”, tha ai të shtunën.

Grevistët kanë vazhduar ta kërkojnë shtesën mbi pagë në vlerën e 100 eurove, derisa të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave. Kërkesë e dytë është Ligji i skemave pensionale, të financuara nga shteti, të bëhet plotësim ndryshimi i tij duke eliminuar kërkesën e 15 vjetëve si kontribut dhënës para vitit 1990 gjegjësisht 1999 për arsimin, deri në fund të nëntorit 2022.

Qeveria deri më tani u ka ofruar 50 euro në muaj deri në dhjetor. Po ashtu, ekzekutivi ua ka ofruar të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Projektligjin mbi paga, e u premtoi reformë në sistemin pensional, duke e hequr pragun prej 15 vjetësh përvojë punë për ta përfituar pensionin. Ndërsa, propozimi i tretë ishte rritja e buxhetit prej 10 milionë euro për barnat esenciale.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka deklaruar se greva nisi në moment të papërshtatshëm, duke shtuar se ka lënë shumë pasoja.

“Raporte kolegiale të krisura, trekëndëshi fëmijë-mësimdhënës-prindër i ndrydhur dhe edhe një vit shkollor i çakorduar plotësisht”, thuhet në reagimin e Këshillit.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci, ka paralajmëruar kompensim të orëve të humbura.

“Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, dt.3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ”, ka thënë ajo të dielën.

Kryesindikalisti i mësimdhënësve, Jasharaj, ka theksuar se nuk do të këtë kompensim të orëve të humbura.

“Ashtu siç e parasheh Kontrata Kolektive, nuk do të kompensohen orët e humbura. Andaj, edhe i kërkoj Ministrisë së Arsimit që të mos bëjë kërkesa”, ka thënë Jasharaj.

{gallery}