Arbëri

Pensionistët kërkojnë dinjitet, zyrtarët e shtetit s’i përgjigjen ftesës

Me moton “Dinjitet për pensionistët” të shtunën pensionistët kanë shënuar në Prishtinë, Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Duke protestuar e diskutuar për gjendjen e tyre, pensionistët kanë shprehur pakënaqësi për trajtimin që po u bëhet. Me gjithë ftesën, në shënimin e kësaj dite, nuk morën pjesë asnjëri nga krerët e institucioneve

Të pakënaqur me trajtimin që u bëhet, janë shprehur të shtunën pensionistët. Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, ata morën pjesë në disa aktivitete nëpërmjet të cilave shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve.

Izet Seferi nga Drenasi, 45 vjet ka punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës. Të shtunën ai iu bashkua bashkëmoshatarëve të tij, të cilët protestuan para objektit të Qeverisë. Seferi ka thënë se ndihma financiare që marrin është e pamjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet që kanë, derisa është shprehur i frustruar edhe me mosnjohjen e kontributit të dhënë.

“Jo bre ajo nuk është pagë, është ndihmë sociale, 100 euro. Çka janë ato për pensionistë, barna nuk dalin le më për ushqim e diçka, s`po e llogarisim rrymën e këto të tjerat, kjo është ndihmë bile edhe ma mirë mos të kishte”, është ankuar ai.

Krahas Seferit, aksionit simbolik, iu bashkua edhe pensionisti tjetër Mustafë Rushiti nga Obiliqi. Ka shprehur keqardhje se në vend të festës u duhet të dalin para qeverisë për të shprehur brengat që kanë.

“45 vjet i kemi shërbyer këtij shteti që sot e kemi dhe konkretisht me kontributin tonë, me punën tonë, këta sot janë qetu se përndryshe nuk do të ishin këtu. Kanë marrë votën e qytetarëve dhe të popullit tash luajnë dhe na maltretojnë edhe ne”, ka thënë ai.

Rritja e pensioneve, largimi i kriterit prej 15 vjetësh përvojë pune para vitit ‘99, e ai për paraqitjen çdo gjashtë muaj se janë gjallë, janë kërkesat e përsëritura para ekzekutivit.

“Qeveria nuk po e zbaton ligjin aktual në të cilën thuhet se pensionet do të rriten konform inflacionit që ndodhë brenda një viti. Qeveria ka obligim sipas atij ligji, ta bëjë vlerësimin e inflacionit dhe në bazë të inflacionit, të rrisë pensionin. Nuk u njihen diplomat që janë realizuar gjatë qeverisjes paralele të asajkohshme të Kosovës në raport me Serbinë, ka shumë defekte të mëdha edhe në shkallëzimin e poenëve për pensionistë, pastaj është kërkesa që të paraqiten çdo gjashtë muaj që ata të paraqiten se janë gjallë”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Pensionistëve, Njazi Gashi.

Jetën e një të moshuari, Gashi e ka përshkruar si të “mjerueshme”.

“Ne të gjithë e dimë se nuk mund të ketë shportë normale pa 400 euro ose një kategori shumë e madhe jetojnë me 100 euro që ia jep Qeveria dhe nganjëherë disa ndihma që po i japin në formë të përkohshme. Po të mos kishin qenë remitancat që vijnë nga jashtë dhe familjarët që jetojnë jashtë, ato ndihma, asnjë njeri nuk kishte me pasë dëshirë me përjetu atë gjendje kur është i varur për ndihma”, ka thënë.

Nga qendra e kryeqytetit, pensionistët ia mësynë objektit në të cilin zakonisht mblidhen e zhvillojnë aktivitetet. Kësaj radhe ata u mblodhën për të diskutuar lidhur me problemet me të cilat përballen e të adresojnë kërkesat që kanë për krerët institucionalë. Me gjithë se thanë se ftuan të gjithë liderët e institucioneve e partive, asnjëri prej tyre nuk mori pjesë.

Ndonëse në mungesë të tyre, kryetari Njazi Gashi, ka thënë se do të shtiret kinse ata janë pjesëmarrës e i përshëndeti të gjithë me rend, duke filluar nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e krerët e partive politike, grupeve parlamentare.

Në këtë diskutim, është kërkuar që vëmendja e institucioneve të kthehet nga përmirësimi i situatës në të cilën gjendjen pensionistët.

Në shtator Xhevdet Pozhari inicioi fushatën “Dinjitet për pensionistët”, e përmes së cilës, kërkohej që të moshuarit të mos obligohen që të paraqiten në institucionet përkatëse për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që të mund të marrin pensionet.

Sipas Pozharit, pensionistët janë “pjesa e heshtur e shoqërisë”.

“Për dallim nga të tjerët që mund të bojkotojnë që mund ta bllokojnë shoqërinë pensionistët janë ajo pjesa e heshtur e shoqërisë e cila nuk mund t’i shantazhojë as qeveritë, as institucionet e shtetit, por pensionistët mund ta bëjnë edhe një dëm më të madh: të dëshmojë se jemi shoqëri që nuk kujdeset të kaluarën e vet që nuk është mirënjohës ndaj atyre që mundësuan ta kemi këtë liri që e gëzojmë sot”, kishte shkruar ai.

Pa dhënë një afat kohor, nga Ministria e Financave kanë thënë se janë duke punuar në largimin e afatit gjashtëmujor për lajmërimin e pensionistëve. Berat Zhinipotoku, përfaqësues i Departamentit për Pensione në Ministrinë e Financave, ka thënë se kanë të hapur derën për të pranuar të gjitha kërkesat e ankesat e pensionistëve.

“Siç e dini edhe ju Qeveria për muajin tetor i ka ndarë 100 euro për ta zbutur sadopak këtë gjendje të cilën po e përballojnë qytetarët e Kosovës, por në të njëjtën kohë ne jemi duke punuar që të largohet kjo periudha gjashtëmujore që ka qenë për pensionistët deri më tash”, ka thënë ai.

Pensionistët, një ditë më parë i ka takuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi të shtunën ka kërkuar që vëmendja e Qeverisë të “kthehet urgjentisht” nga ta.

“Pensionistët kanë nevojë për kujdes institucional, i cili përfshin pension dinjitoz, përkujdesje të qëndrueshme shëndetësore dhe kushte cilësore për jetesë. Sot, në ditën e tyre, le të zotohemi të gjithë, pa dallime politike, se do të bëjmë më shumë e më mirë për pensionistët e vendit tonë”, ka shkruar mes tjerash Krasniqi.

1 Tetorit është vendosur të jetë Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve që nga dhjetori i 1990-ës derisa për herë të parë është shënuar një vit më pas.