Dyert e institucioneve të arsimit në mbarë vendin do të hapen të hënën për nxënësit, pasi sindikalistët kanë vendosur që grevën ta pezullojnë deri në janar të vitit 2023. Qeverisë ia kanë përkujtuar se tre muaj kalojnë shpejt. Për kohën sa ishin në grevë, u paralajmërua se për grevistët nuk ka paga. Sipas burimeve të KOHËS, punëtorët e administratave janë paguar për muajin shtator, ndërsa mësimdhënësit, jo, përfshirë edhe ata që kanë punuar. Prindërit numërojnë pasojat e mosmbajtjes së mësimit për më shumë se një muaj
Të hënën, nxënësit do të kthehen në bankat shkollore me një muaj vonesë. Në një konferencë për media të shtunën, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka njoftuar zyrtarisht se kanë pezulluar grevën e nisur më 25 gusht në administratën publike dhe në arsim.
Kryetari i Këshillit Grevist të sindikatave dhe njëherësh kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të pezullohet deri në janar të vitit 2023.
Jasharaj i ka bërë thirrje Qeverisë që këta tre muaj t’i shfrytëzojë për të dialoguar me sindikalistët.
“Urojmë që kjo kohë të shfrytëzohet nga Qeveria për dialog, sepse janari i vitit 2023 vjen shpejt, por nuk është mirë të ndodhë prapë greva si kjo e tanishme”, ka thënë ai.
Grevistët vazhdojnë të kërkojnë shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove, deri sa të hyjë në fuqi ligji i ri i pagave.
Kërkesa e dytë është Ligji i skemave pensionale të financuara nga shteti, të bëhet plotësim ndryshimi i tij duke eliminuar kërkesën e 15 vjetëve si kontribut dhënës para vitit 1990 gjegjësisht 1999 për arsimin deri në fund të nëntorit 2022.
Dhe, e fundit është se deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim-ndryshimi i ligjit të sigurimeve shëndetësore ose në të kundërtën të fillojë zbatimi i ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2023.
Qeveria deri më tani u ka ofruar 50 euro në muaj deri në dhjetor. Po ashtu, ekzekutivi ua ka ofruar të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Projektligjin mbi paga, e u premtoi reformë në sistemin pensional, duke e hequr pragun prej 15 vjetësh përvojë punë për ta përfituar pensionin. Ndërsa, propozimi i tretë ishte rritja e buxhetit prej 10 milionë euro për barnat esenciale.
Pasojat e shumëfishta në proces mësimor
Për kohën që sindikalistët qëndruan në grevë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë në një deklaratë më 13 shtator se nuk do të paguhen. Ai ka thënë se kështu e parasheh Ligji për grevat.
Për mosekzekutimin e pagave Qeveria bazohet në nenin 18 të Ligjit të Pagave, i cili parasheh se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë”.
Të premten ministri Murati, ka treguar se pagat janë procesuar, por pa treguar nëse u janë ekzekutuar edhe grevistëve.
Sipas burimeve të KOHËS, mësimdhënësve nuk u dolën pagat në llogari, madje as atyre që kanë punuar.
Burime të KOHË-s thonë se Ministria e Arsimit u ka kërkuar të premten komunave që t’i dërgojnë listat e mësimdhënësve që janë në grevë, duke u dhënë një orë e gjysmë afat. Por përgjigje nuk mori, duke i ndalur për të gjithë. Ndërkohë, sipas burimeve të KOHË-s, punonjësit e administratës publike tashmë i kanë pranuar pagat e tyre për muajin shtator.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se për këtë kanë marrë një sqarim nga Ministria e Financave.
“Për pagat unë sot kam pasur komunikim me partnerin tonë social, siç më kanë njoftuar ka ndodhur një gabim teknik dhe unë besoj që të hënën do t’u dalin pagat”, ka thënë ai.
KOHA ka provuar të shtunën të marrë një sqarim nga ministri Murati, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Fillimi i procesit mësimor është mirëpritur nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci. Ajo u zotua se do të punohet me intensitet për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve.
“Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve. Do të vazhdojmë vizitat e takimet në komuna e shkolla për të dëgjuar e adresuar secilën brengë”, ka shkruar Nagavci në profilin e saj në Facebook.
Nagavci ka thënë se në projektligjin e ri për paga punëtorët e arsimit janë trajtuar dinjitetshëm dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.
Sipas projektligjit, për mësimdhënësit në shkollat fillore, të cilët marrin pagë mujore 470 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120, ajo rritet në 672 euro. Ndërkaq për ata të shkollës së mesme të lartë, paga do të rritet në 696 euro.
Po ashtu edhe prindërit kanë mirëpritur vendimin e sindikalistëve.
Këshilli i Prindërve i Kosovës, që paralajmëroi se do t’i çregjistronte fëmijët e tyre nga shkollat publike nëse procesi mësimor nuk fillon më tre tetor, ka reaguar duke kërkuar që mësimdhënësit të mos e përdorin më grevën si mjet për t’i realizuar kërkesat e tyre.
“E nisur në momentin më të papërshtatshëm, greva po lë mbas shumë pasoja që do të ngelen nëpër shkolla. Raporte kolegiale të krisura, trekëndëshi fëmijë-mësimdhënës-prindër i ndrydhur dhe edhe një vit shkollor i çakorduar plotësisht”, thuhet në reagimin e tyre.
Kompensimi i orëve midis kërkesës dhe refuzimit
Ministrja Nagavci ka thënë se kalendari shkollor duhet të ndryshohet, duke kërkuar kompensim të orëve mësimore.
“Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, dt.3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ”, ka thënë ajo.
Kryesindikalisti i mësimdhënësve, Jasharaj, ka theksuar se nuk do të këtë kompensim të orëve të humbura.
“Ashtu siç e parasheh Kontrata Kolektive, nuk do të kompensohen orët e humbura. Andaj, edhe i kërkoj Ministrisë së Arsimit që të mos bëjë kërkesa”, ka thënë ai në konferencë.
Kundër kompensimit të orëve janë deklaruar edhe prindërit. Në fillim të shtatorit, Këshilli i Prindërve i Kosovës ka njoftuar se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë gjatë ditëve të fundjavës.
“Ne nuk do t’i dërgojmë fëmijët gjatë ditëve të shtuna për kompensimin e orëve mësimore, pasi nuk kanë efekt”, thuhej në reagimin e tyre.