Aleanca e të Rinjve të Kosovës (ARK) ka zhvilluar një aksion simbolik para objektit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në mbështetje të sindikalistëve.
Greva e përgjithshme e thirrur nga BSPK-ja ka nisur më 25 gusht. Mësimi, me përjashtim në pak shkolla, nuk ka nisur për shkak të grevës. Një ndër kërkesat e SBASHK-ut është të ndahen nga 100 euro për sektorin e arsimit deri në miratim të Ligjit të Pagave.
“Fëmijëri të shkelur”, “Mësues të shkelur, shtet i humbur”, “ A, B, C e humbur” ishin disa nga mbishkrimet e pankartave që sot të rinjtë e AAK-së mbanin në duar.
Kryetarja e ARK-së, Amire Ajeti tha se me këtë aksion po solidarizohen me prindërit, fëmijët por që i mbështesin kërkesat e mësimdhënësve të cilat sipas saj, janë minimale.
"Aleanca e të Rinjve të Kosovës (ARK) me këtë aksion të sotëm po solidarizohet me prindërit e fëmijët dhe gjithashtu me kërkesat e mësimdhënësve, të cilat janë minimale. Ne po shpresojmë që qeveria të reflektojë dhe do të fillojë viti shkollor, për të gjithë këta fëmijë të cilët kanë mbetur pa u futur në banka shkollore”, tha ajo.
Nënkryetari i ARK-së, Visar Dili tha se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe qeveria duhet të reflektojnë duke i plotësuar kërkesat e mësimdhënësve që të fillojë mësimi.
“Jemi duke hyrë në muajin e dytë të grevës, pra një muaj më shumë do të jetë humbje e vitit total për nxënësit. Kjo është brenga jonë. Të gjithë kanë gojën plot fëmijë, fëmijë mirëpo askush nuk është duke marrë hapa të rëndësishëm. Prandaj derisa kjo punë nuk është bërë më e madhe dhe derisa kjo punë nuk ka dalë në protesta, ftoj ministren dhe qeverinë të reflektojnë dhe t’i plotësojnë kërkesat e mësimdhënësve dhe mësimi të fillojë në ditën e hënë”, tha ai.
Ai tha se ky është vetëm një prej aksioneve që kanë ndërmarrë të rinjtë e Aleancës derisa theksoi se të vazhdojnë me aksione të tilla nëse ekzekutivi nuk reflekton.
“Ky është aksioni i parë simbolik të cilin e ka marrë rinia e Aleancës. Nuk do të jetë i fundit, do të vazhdojmë, do të tentojmë të bëjmë ftesë edhe pse nuk është në kompetencën tonë, mirëpo për ne të rinjtë që kemi vendosur të jetojmë në Kosovë mbi të gjitha këto sfida nuk dëshirojmë të kemi edhe probleme të tjera siç është arsimi tash. Kemi mjaftueshëm probleme në këtë kohë është kriza ekonomike, është inflacioni. Shporta e qytetarit është e përgjysmuar, prandaj edhe një problem dhe një hap tjetër siç është arsimi nuk na duhet”, shtoi ai./KSP