Nga objekti i Qeverisë e deri te zyrat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit marshuan të enjten prindërit e fëmijëve në institucione parashkollore, me kërkesën që çerdhet të hapen menjëherë.
Mes prindërve protestës i ishte bashkuar edhe një vogëlush, me shpresën se do të marrë një përgjigje për pyetjen se kur edukatoret e tij do t’ia nisnin punën.
“I thashë sot do të shkojmë në protestë. Ndoshta do të fillojë. Ishte me gëzim. Erdhi me idenë se do ta marrë një përgjigje”, u shpreh Halime Shala, prind.
Por kërkesën e tij dhe të prindërve nuk dolën as për ta dëgjuar përfaqësuesit nga Qeveria e as nga SBASHK-u, ani se Këshilli i Prindërve të fëmijëve në institucione parashkollore njoftimin për marsh e kishin publikuar ditë më parë.
Thirrjen për kthimin në punë prindërit ua adresuan edukatoreve duke vlerësuar se situata e krijuar është duke ndikuar në psikikën e fëmijëve.
Krahas pasojave emocionale, ata thanë se greva është duke i dëmtuar edhe financiarisht.
“Pasojat janë se është dashur të merrnim pushime vjetore dhe normal, dihet, ne që jemi në sektorët privatë nuk mundemi me marrë aq shumë pushime sa dëshirojmë. Plus shumica është dashur t’i dërgojnë në kopshte private. Është dashur të paguajnë në suaza ditore”, deklaroi Teuta Hani, prind.
Disa nga prindërit kanë kërkuar edhe që edukatorët t’i lirojnë hapësirat e çerdheve po qe se e vazhdojnë grevën.
“Kërkesa e vetme e djalit është me i taku shokët e shoqet e veta. Pra, kërkesë e imja personale është që mësueset ose të kthehen në vendin e punës, ose t'i lirojnë hapësirat në mënyrë që ne t'i takojmë rregullisht, qoftë përbrenda klasës, qoftë në oborr me nxënësit e tjerë”, ka pohuar Armend Baloku, prind.
Brohoritjet të prindërve para zyrave të SBASHK-ut “Hapni çerdhet”, përfaqësuesit e Sindikatës thanë të mos i kenë dëgjuar.
“Nuk i kemi parë për shkak se ishim duke e dëgjuar Kuvendin. Kemi qenë duke e përcjellë Kuvendin që po debatohet për çështjen e grevës dhe nuk e kemi parë”, tha Ymer Ymeri, sekretar i SBASHK-ut.
Thirrjet për nisje të procesit mësimor në Sindikatën e Arsimit kanë thënë se duhet të drejtohen kah Qeveria, pasi që vlerësojnë se niveli qendror është fajtor për ngërçin në arsim.
E në kohën kur ishte dashur që të ishin në shkolla, disa nxënës e kaluan të enjten në një aktivitet të organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe nga Ministria e Mjedisit për ngasjen e biçikletave.
Megjithëse i pëlqejnë biçikletat, disa prej këtyre nxënësve thanë se më me dëshirë do të shkonin në shkollë.
“Është shumë keq, se më ka marrë malli me shku në shkollë”, tha Lira Ramadani, nxënëse në SHFMU “Ismail Qemali”.
“Është ndjenjë e keqe. Është mirë të fillojmë mësimin se jemi duke qëndruar në shtëpi, duke mos bërë kurrgjë”, shtoi Endrit Kazazi, nxënës në SHFMU “Elena Gjika”.
Këta nxënës nuk kanë mundur të vijonin mësimet që nga 25 gushti, kur mësimdhënësit e tyre i janë bashkuar grevës të përgjithshme. Që atëherë për zgjidhjen e ngërçit në arsim sinjale nuk kanë dhënë as nga Qeveria dhe as nga sindikalistët.