Një pjesë e madhe e grave dhe vajzave të dhunuara në Kosovë presin rreth një dekadë që dhunuesi të dënohet. E, dënimet shpeshherë janë të buta. Një grua e re dyshohet që është dhunuar në vitin 2017. Përderisa ende drejtësia nuk ka vendosur për këtë rast, i dyshuari e ka kërcënuar këtë grua që fotot e videot e saj do t’ua tregojë njerëzve të tjerë. Për shantazh është dënuar e para. Një tjetër dhunues e kishte dhunuar një grua, dhe e kishte lënduar me thikë. U dënua me 1 vit. Një grua tjetër ishte dhunuar në vazhdimësi nën kërcënimin se do t’ia vriste vëllezërit e babanë – u dënua një vit me kusht
Aktgjykimet publike të anonimizuara, që kohë me parë i ka bërë publike Këshilli Gjyqësor i Kosovës, dëshmojnë jo veç dënimet e ulëta, por edhe shpërfilljen e gjyqësorit karshi tyre.
KOHA ka analizuar disa të tilla. Dhunuesit e vajzave dhe grave rrallë përfundojnë në burg. Shpeshherë dënohen me gjobë e gjyqtarët ua mundësojnë që pagesën ta bëjnë me këste. Problematike është edhe gjuha e gjykimeve.
E njëjta frymë është në të gjitha gjykatat e Kosovës. Aktgjykimet e analizuara janë të vitit të fundit e të vitit paraprak. Megjithatë, dhunimet kanë ndodhur qysh një dekadë me herët, gjë që nënkupton zvarritjet e anashkalimet e shumta të sistemit të drejtësisë në raport me këto raste.
E dhunoi e më pas e shantazhoi se do t’ia publikonte fotot – gjykata e dënoi me 900 euro
Një grua e re në moshë nga një fshat në Komunën e Malishevës dyshohet së është dhunuar në vitin 2017 nga një burrë. Ajo e denoncoi dhunimin. Dy vjet me vonë, Policia e Kosovës kontaktoi të dyshuarin për dhunim për këtë rast. Por ai e kërcënon viktimën që në rast se nuk e tërheq denoncimin, fotot e videot e dhunimit do t’ia dërgonte babait të saj.
Në gjykatë ai e pranoi fajësinë dhe kërkoi falje. Gjykata e dënoi me 900 euro dhe ia mundësoi që dënimin ta paguajë me këste nga 300 euro për 3 muaj.
“I akuzuari N. M. dënohet me dënim me gjobë në shumë prej nëntëqind (900) euro, të cilin dënim është i detyruar ta paguajë në tri (3) këste në afatin prej tre (3) muajve, nga dita e plotfuqishmërisë aktgjykimit”, thuhet në këtë aktgjykim.
Rrethanë lehtësuese gjykata mori faktin që ai e pranoi fajësinë.
“Si rrethanë posaçërisht lehtësuese ka marrë faktin se i pandehuri ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Është hera e parë që e ka kryer një vepër penale, është mbajtës i katër fëmijëve, është penduar thellë, i ka kërkuar falje të dëmtuarës, nga dita e ngjarjes nuk e ka shqetësuar të dëmtuarën, i ka premtuar gjykatës se nuk do të përsërisë me vepër penale, ndërsa si rrethanë rënduese gjykata mori faktin se i akuzuari në cilësinë e të pandehurit e ka edhe një lëndë në procedurë kundër të dëmtuarës, e cila lëndë ndërlidhet me këtë rast, po për të njëjtin ende nuk kemi një dënim të formës së prerë”, thuhet në aktgjykim.
Në gjykatë, ky i dënuar thotë që ka tentuar t’ia mbrojë identitetin viktimës.
“Pendohem për ato që i kam shkruar, por asnjëherë nuk kam pasur qëllim që t’i bëj keq A., edhe pse e njoh mirë. Jam i lirë prej 04.12.2018, së një 20 herë e kam parë A., as që e kam përshëndetur e lërë diçka tjetër. Lus gjykatën që për këtë vepër të më fal dhe i premtoj gjykatës që nuk do të përsëris më kurrë sikur s’kam tentuar asgjë dhe e kam mbrojtur me fanatizëm gjithçka qa ka ndodhur mes meje dhe saj”, citohet të këtë thënë i dënuari në aktgjykim.
Dhunim nën kërcenim të armës, dhunuesi pranon fajin, gjykata e dënon me një vit e 6 muaj burgim
Një tjetër gruaje të dhunuar iu desh të priste 12 vjet që dhunuesi i saj të dënohej. Në fillim të aktgjykimit përshkruhet ngjarja e tmerrshme.
“Derisa e njëjta ka qenë duke u kthyer nga puna për në shtëpi, i maskuar i ka dalë në rrugë, ia ka mbyllur gojën dhe e ka tërhequr zvarrë në vend të përshtatshëm për të kryer aktin seksual, si dhe ka nxjerrë thikën e i është drejtuar me fjalët ‘shuj, shuj se ta nguli thikën e të mbys’, ku e dëmtuara ka bërtitur me zë dhe gjatë gjithë kohës është munduar që të mbrohet, por i akuzuari me thikë ia ka prerë – lënduar dorën e majtë dhe i ka shkaktuar disa gërvishtje në fytyrë”, thuhet në aktgjykim.
Këtë dhunues, Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 1 vit burgim.
“Dënim me burgim në kohë zgjatje prej një (1) viti, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 21.04.2009 deri më.23.02.2010”, thuhet në aktgjykim.
Veç një vit burg ia dha gjykata këtij dhunuesi, edhe pse ai e pranoi fajësinë. Ka pranuar që ka fshehur fytyrën e ka pasur me vete thikë kur e ka dhunuar atëherë gruan e re.
Në prillin e vitit 2021, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi një person për dhunimin e një gruaje në vitin 2009. Ajo ishte dhunuar nën kërcënimet që do t’i vriteshin vëllezërit e familja. Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e dënoi me 1 vit e 6 muaj burgim.
“F. B. ka paraqitur rastin në polici, ajo ka qenë e detyruar, pa pëlqimin e saj të kryejë marrëdhënie seksuale me të pandehurin Q. B., dhe këtë nën ndikimin e forcës dhe nën kërcënimin e rrezikshëm, duke e detyruar të ketë marrëdhënie seksuale nën kërcënimin se do t’ia vrasë vëllezërit dhe familjen të dëmtuarës F..., me çka e njëjta ka vepruar sipas kërkesave të pandehurit Q....”, thuhet në këtë aktgjykim.
Kjo grua e re ishte dhunuar në vazhdimësi. Një gjë të tillë e kishte vërtetuar edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Një gjë e tillë përshkruhet në aktgjykim.
“Sa i përket raportit të ekzaminimit fizik dhe gjenital të kryer nga dr. Arsim Gërgjaliu, prokurorja e shtetit ka theksuar se është vërtetuar se në trupin e të dëmtuarës janë konstatuar gjakmbledhje nënlëkurore në krahët e saj si pasojë e shtrëngimit të fortë dhe të dhunshëm në mollëzat e gishtërinjve të mëdhenj dhe dy të ashtuquajturat thithje vakumoze me buzë dërrase e gjoksit dhe në pjesën fundore të qafës, prova këto me të cilat vërtetohet se ndaj të dëmtuarës është përdorur forca fizike duke e detyruar në vazhdimësi të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë duke e kërcënuar me jetën e saj dhe të vëllezërve të saj, të cilët kanë qenë më të rinj. E dëmtuara duke u ndier e pambrojtur pasi babai i saj jetonte në Zvicër, kishte rënë viktimë e dhunës seksuale, fizike dhe psikike nga i akuzuari“, thuhet në aktgjykim.
Dënim me kusht për dhunim, parashkrim për vjedhje
Dhunuesi i një gruaje tjetër është dënuar me kusht. Aktgjykimi është nxjerrë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Më 10.05.2010, rreth orës 18:00, i pandehuri M. pas një kontakti dyjavor me telefon që kishte me të dëmtuarën N. Gj., pasi fillimisht kishin lënë takim, e pastaj janë takuar te Ulpiana, kanë pirë kafe së bashku në restorant, e pastaj i pandehuri me veturën e tipit ‘Golf II’ ngjyrë e zezë, e ka dërguar në drejtim të fshatit G. Me të arritur në Badovc, në një rrugë mali e ka nxjerrë nga vetura me forcë të dëmtuarën dhe pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale me të edhe pse e njëjta ka rezistuar”, thuhet në këtë aktgjykim.
Pas dhunimit, gruas i janë vjedhur telefoni e paratë nga dhunuesi. Por kjo vepër është parashkruar.
“Në të njëjtin vend, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën N. Gj., në momentin derisa e njëjta ishte duke u pastruar në afërsi të ujit, i pandehuri me qëllim të përfitimit të sendeve të huaja në mënyrë të kundërligjshme ia ka vjedhur çantën e krahut në të cilën kishte portofolin me 130 euro në të, letërnjoftimin, kartelën e punës, telefonin e tipit ‘Nokia’ dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes duke e lënë të dëmtuarën të vetme në mal”, është e shpjeguar në këtë dokument. Kjo vepër penale është parashkruar qysh në vitin 2016.
E në një tjetër rast një grua është dënuar nën kërcënimin e thikës dhe armës së zjarrit. Gjykata në Pejë e ka dënuar dhunuesin me 2 vjet burgim.
“I pandehuri me veturë e dërgon në shtëpinë e tij në fshatin M., ashtu që kur kanë arritur te shtëpia e tij, i pandehuri e kap për dore dhe me forcë e ka shtytë në dhomën e tij. Me të hyrë brenda dhomës i mbyll dritaret (perdet) dhe derën me çelës. Fillimisht e kërcënon të dëmtuarën me një thikë duke ia vendosur në barkë dhe duke e kërcënuar se do ta mbysë, e kërcënon se do ta mbysë edhe me revole, e pastaj e godet me grushte në sy dhe fytyrë. Në fund e shtrin në krevatin e dhomës, me c’rast me forcë ia zhvesh pantallonat”, përshkruhen detajisht veprimet e dhunuesit.
Gjykatës iu propozua që t’ia lehtësojë dënimin këtij dhunuesi për faktin që është i divorcuar dhe mban fëmijët.
“Është i divorcuar dhe i vetmi kujdestar i tre fëmijëve të mitur nga mosha 8-12 vjeçare, niveli i ulët i arsimimit, më parë i padënuar, jetesën në një mjedis josocial, pavarësisht veprimeve të tij, qëllimi i të pandehurit ishte serioz në krijimin e një jete të re, e në asnjë mënyrë keqpërdorimin e askujt”, thuhet në aktgjykim.
Prokuroria e gjykatat kritikohen në masë të madhe për mënyrën se si i trajtojnë rastet e dhunës seksuale, kur viktima janë vajzat e gratë. E kohëve të fundit janë rritur raportimet për krime të tilla.