Liderët opozitarë kanë përkujtuar të hënën gjenocidin e Srebrenicës në përvjetorin e 27-të të saj.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kriminelët serbë që shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve në Ballkan, vazhdojnë të jenë të lirë.
“Asnjëherë nuk do të harrojmë – asnjëherë të mos përsëritet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ekzekutuesit e mbi 8,300 djemve e burrave, tani kanë një trashëgimi të fortë në Serbi.
Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se gjenocidi në Srebrenicë dhe vrasjet tjera masive në Ballkan, mbeten njolla të pashlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia.