Arbëri

Liberalizimi i vizave ndër prioritetet kryesore gjatë presidencës çeke

“Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë presidencës sonë duke mbështetur procesin e anëtarësimit. Sa i përket liberalizimit të vizave, kjo temë do të jetë lartë në agjendë”, ka thënë ambasadori Pavel Bilek, gjatë një pritje për të shënuar marrjen e kryesimit të presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Çekia. “Po ashtu për ne me rëndësi është edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”

Liberalizimi i vizave për Kosovë do të jetë lart në agjendën e Republikës së Çekisë, e cila nga 1 korriku mori kryesimin e presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian. Premtimin e ka dhënë ambasadori i këtij shteti në Prishtinë, Pavel Bilek, gjatë një pritjeje të organizuar të premten bashkë me zyrën e BE-së dhe liderë të institucioneve.

Nën moton “Evropa si detyrë: rimendo, rindërto, rifuqizo”, Bilek ka prezantuar prioritetet e agjendës çeke në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Republika Çeke po e merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në mes të pushtimit rus kundër Ukrainës që ka kapluar tërësisht situatën gjeopolitike në kontinentin tonë. Kjo na bën të rivlerësojmë shumë prej qasjeve dhe premisave tona aktuale. Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë presidencës sonë duke mbështetur procesin e anëtarësimit ”, ka thënë Bileku. “Sa i përket liberalizimit të vizave, kjo temë do të jetë lart në agjendë. Po ashtu për ne më rëndësi është edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq shefi i BE-së në Prishtinë, Tomas Czunyog, ka deklaruar se do të bëhen përpjekje për arritjen e përparimit në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Po ballafaqohemi me krizë të paprecedentë pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën. Kjo luftë po ashtu na kujton vlerat tona dhe Kosova qëndron përkrah këtyre vlerave, me vendosjen e sanksioneve dhe strehimit të gazetarëve nga Ukraina. Për ne politika e zgjerimit është investim gjeostrategjik dhe BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Po ashtu presim hapin final për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi janë përmbushur të gjitha kriteret”, ka potencuar Czunyog.

Vendimmarrje dhe përshpejtim të proceseve integruese për Kosovën kanë kërkuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Jemi të lumtur që aplikimi për statusin e vendit kandidat do të bëhet gjatë presidencës çeke. Dëshira historike për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është e njohur, por duhen hapa dhe udhërrëfyes konkret për të arritur atje”, ka thënë Osmani. “Sa i përket vizave kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe tani i takon BE-së të vendosë”.

Në këtë linjë ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.

“Populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve kosovarë në Evropën kontinentale. Si i vetmi kandidat potencial për BE që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, ne gjithashtu presim me padurim të punojmë së bashku ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatitim aplikimin tonë për anëtarësim në BE”, është shprehu Kurti.

Komisioni Evropian qysh në vitin 2018 kishte konstatuar përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, por që deri tash ka munguar vendimmarrja në Këshillin e BE-së.

Kryesimi i Çekisë me Këshillin e Bashkimit Evropian do të zgjasë deri në fund të këtij viti. Në gjashtë muajt paraprakë, kryesimin e kishte Franca.

Motoja e Presidencës Çeke është “Evropa si detyrë: rimendo, rindërto, rifuqizo”, është marrë nga titulli i fjalimit të Presidentit Václav Havel nga viti 1996, kur u ishte bërë thirrje evropianëve që të marrin përgjegjësi për sfidat globale mjedisore, sociale dhe ekonomike dhe të udhëheqin përmes shembullit.

Objektivi i përgjithshëm i presidencës çeke është të kontribuojë në krijimin e kushteve për sigurinë dhe prosperitetin e BE-së në kuadër të vlerave evropiane të lirisë, drejtësisë shoqërore, demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë mjedisore.

Pesë prioritetet e përgjithshme të presidencës çeke përfshijnë menaxhimin e krizës së refugjatëve ukrainas dhe rimëkëmbjen e pasluftës, sigurinë energjetike, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurinë kibernetike të Evropës, qëndrueshmërinë strategjike të ekonomisë evropiane, dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike.

Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian janë dy organet kryesore vendimmarrëse të BE-së. Këshilli përbëhet nga ministrat e qeverive të 27 shteteve anëtare të BE-së, të cilët takohen në dhjetë konfigurime të ndryshme për të negociuar, ndryshuar dhe miratuar ligjet e BE-së, për të bashkërenduar politikat e BE-së dhe për të lidhur marrëveshje ndërmjet BE-së dhe vendeve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare.