Arbëri

Rreth 40 persona në protestën në veri kundër marrëveshjes për energjinë

Me moton “Ne nuk pajtohemi” disa serbë nga komunat veriore të Kosovës po protestojnë kundër udhërrëfyesit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë për implementimin e marrëveshjeve për energjinë të dakorduara më 2013 e 2015. Iniciatori i kësaj proteste, nga Iniciativa serbe për mbijetesë, thotë se janë në terr informativ sa u përket detajeve të marrëveshjes e mënyrës së pagesës.

Me marrëveshjen e arritur për energjinë nuk janë të kënaqur të gjithë serbët. Në kundërshtim të saj u paralajmërua protestë në veri.

Iniciuesi i kësaj proteste, Aleksandër Arsenijeviq, thotë se kanë pyetje të shumta për të cilat nuk kanë marrë përgjigje.

Sipas tij, nuk dihet saktësisht çfarë marrëveshjeje është arritur e në çfarë mënyre do të bëhet pagesa.

“Arsyeja e protestës është jotransparenca rreth Marrëveshjes së Brukselit për implementimin e ujdisë për energji dhe disa firmave për të cilat kemi dëgjuar nëpërmjet mediave, ‘Elektrosever’, të cilat kanë ardhur në një moment të keq, në atë të një krize ekonomike në tërë botën. Konsiderojmë se me këtë protestë ne shprehim pikërisht atë në të cilën besojmë, e kjo është se dikush prej serbëve të Kosovës duhet të jetë i pranishëm në ato negociata, pasi që pikërisht këto negociata janë të mbuluar me një vello fshehtësie, posaçërisht për ne qytetarët”, ka thënë Arsenijeviq nga Iniciativa serbe për mibijetesë.

Arsenijeviq thotë se me marrëveshjen e arritur është vështirësuar edhe më tej jeta e qytetarëve në komunat me shumicë serbe.

Ai thotë se nuk janë të sigurt për cilësinë e shërbimit që do të ofrojë kompania “Elektrosever” e për të cilën ngre pretendime.

“Po ndryshojnë shumë gjëra, kemi shumë probleme, të cilat do të aktualizohen posaçërisht gjatë dimrit, verën disi do ta mbijetojmë, fjala është për 4 komuna veriore që janë mjedise urbane dhe ku nuk ka ngrohje qendrore, kështu që qytetarët do të duhet të ngrohen me rrymë. Nuk jemi të sigurt në cilësinë e shërbimit që do ta ofrojë një biznesmen i Listës Serbe”, ka thënë ai.

Protesta me moton “Nuk pajtohemi” sipas iniciuesit Aleksandar Arsenijeviq do të jetë paqësore.

Megjithatë, protestës i janë përgjigjur rreth 40 qytetarë. Aktualisht në protestë janë vetëm organizatorët dhe mbështetja s’duket e madhe.

Siç i kanë thënë organizatorët ekipit të KTV-së, qytetarët po frikësohen të protestojnë kundër marrëveshjes.