Arbëri

Prindi thirrje ministrisë: Ose bëni zgjidhje, ose fëmijët na kthehen në arkivole

QKUK

“Ne kemi mbetur në mes të rrugës, jemi lodhë, ma s’po kemi me ble prapë. Ka pacientë qe 4 muaj nuk ia kanë dhënë ilaçin...”, është thirrja plot frikë e shqetësim, që prindi i një fëmije që po trajtohej në Turqi, ia ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, nëpërmjet e-mailit, përmbajtjen e së cilës e disponon KOHA. Drama të tilla gjatë trajtimit në spitale, ku kërcënohen me mosdhënie të ilaçeve dhe me largim nga spitali thonë se kanë përjetuar edhe të tjerë pacientë e familjarë të tyre, e për të cilat janë në dijeni Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore

Refuzim trajtimi e deri te kërcënimet me largim prej spitali dyshohet se kanë përjetuar pacientët me sëmundje të rënda dhe familjarët e tyre gjatë qëndrimit në disa nga spitalet private të Turqisë. Këto dhe të tjera drama jetësore ata i kanë zbuluar në komunikimet me institucionet e Kosovës dhe në dëshmitë të cilat i ka siguruar KOHA gjatë hulumtimit disamujor.

“Ne kemi mbetur në mes të rrugës, jemi lodhë, ma s’po kemi me ble prapë. Ka pacientë që 4 muaj nuk ia kanë dhënë ilaçin...”, është thirrja plot shqetësim që prindi i një fëmije që po trajtohej në Turqi, ia ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.

Në e-mailin drejtuar MSH-së, më 24 gusht të vitit 2021, ai shpreh frikën se refuzimi për të mos i dhënë ilaçin (Revolade) mund t’i kushtojë me jetë fëmijës së tij.

“Nuk e dimë çka të bëjmë, jemi të lodhur shumë. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore po thotë nuk kemi çka me ba, kemi telashe me këtë spital”, thuhet në e-mailin, përmbajtjen e së cilës e disponon KOHA.

Tutje prindi ka shfaqur frikën që fëmija e tij, por edhe të tjerë fëmijë që po merrnin shërbime në spital, do ta humbin betejën me sëmundjet për mungesë të ilaçeve.

“Ju lutem, bona zgjidhje diçka, veproni diçka, përndryshe shumë pacientë kanë me u kthy nëpër arkivole ashtu qysh po kthehen. Ju lutëm ministër, vepro, ndihmona, hapna rrugët”, thuhet në këtë e-mail.


Lexo edhe këto hulumtime të KOHË-s:


Nga Ministria e Shëndetësisë, kjo porosi elektronike është përcjellë te Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

“Ne, dje kemi komunikuar përsëri me spitalin, dhe kemi kërkuar që të mos ndodhë që të kërkojnë blerje të barnave familjarëve të pacientëve, sepse kanë pranuar fletëzotimin”, pohohet t’i jetë përgjigjur MSH-së, Fondi për Sigurime Shëndetësore.

Në të tjerë e-maile që i ka siguruar KOHA, i njëjti prind ka rrëfyer se gjatë kohës që fëmija i tij ishte në trajtim, menaxhmenti i spitalit i kërkonte që ta lëshonte menjëherë dhomën.

“Dje kanë kërkuar që të dalë nga dhoma, ta liroj spitalin, e në të njëjtën kohë ilaçet nuk po m’i japin prapë. Po me thonë bleji vetë. Unë nuk e kam liruar dhomën edhe po me bajnë presion me liru, me dal prej spitali. Ilaçet po kushtojnë shumë. Këta nuk po i japin, na nuk po kemi me i ble”, ka shkruar ai.

Ai është ankuar edhe për neglizhencë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

“Fondi nuk po përgjigjet veç po thonë mos dil se kena fol, këta po thonë nuk kemi fol kurrgja –dil”, ka shkruar tutje ai.

Si zgjidhje të fundit ai e ka parë denoncimin në media e prokurori.

“Veç në televizione edhe Prokuroria më ka mbet, të lutem udhëzonani diçka, të paktën kallxonani ligjet ose marrëveshjet që i keni me spitalet. Kam frikë që dikur ka me u ba vonë, për pacientë duhet të mbajë përgjegjësi dikush”, ka shkruar ai.

Në fund të e-mailit, prindi ka treguar për pasojat e mungesës së barit të caktuar.

“Ilaçi Revolade në përshkrim të mjekëve dhe recetë shkruan që nuk bën të ndalohet në asnjë mënyrë pasi ka pasoja të mëdha në trombocide, në mëlçi, në veshkë”.

E një mesazh nëpërmjet telefonit i kishte arritur edhe drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Fatmir Plakiqi. Aty ishte denoncuar spitali për abuzim me fatura.

“E di që ka shumë ankesa, krejt ankohen, e di shumë mirë. Madje i dimë shumë raste që ilaçet e të tjerëve i kanë marrë në emër të pacientëve çka kanë pas fond të mjaftueshëm (profaturën e Fondit ende të pashpenzuar). Dikush ka dëshmi për këto”, i ka shkruar ai.

Ndërprerja e trajtimit me arsyetimin se “Kosova nuk po çon pare“

Të sëmurët nga Kosova dërgohen në spitalet e Turqisë nëpërmjet Programit për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike. Referimi dhe shpenzimet e pacientëve realizohen sipas Udhëzimit Administrativ. Për fëmijët me sëmundje të rënda, shpenzimet mbulohen 100 për qind nga Fondi për Sigurime Shëndetësore.

Por, përkundër këtij interpretimi ligjor që është edhe bazë për marrëveshje mes palëve, dhjetëra pacientëve nga Kosova, që ishin duke u trajtuar vitin e kaluar në spitalin Medipol Mega, papritmas u ishte ndërprerë shërbimi. Familjarët e pacientëve kanë thënë se menaxhmenti i spitalit ka përdorur arsyetimin: “Kosova nuk po çon pare”.

KOHA ka siguruar video-xhirimin në të cilën shihet komunikimi mes familjarëve të pacientëve dhe përfaqësuesve të spitalit, e ku shpërfaqet shantazhi dhe trajtimi johuman. Për shkak se pacientët nga Kosova janë të shumtë në numër, spitali ka angazhuar për komunikim stafin që flet gjuhën shqipe.

Dhe biseda e prindërve të dy fëmijëve që trajtoheshin nga sëmundje të rënda dëshmon për ndërprerjen e kohëpaskohshme të shërbimeve.

Punëtorja e spitalit: Valla folëm ama nuk po bon se Kosova nuk po çonë pare

Prindi 1: Kosova..., po këta bre kanë marrëveshje

Punëtorja e spitalit: Po kanë marrëveshje, është në rregull krejt, ama s’po çon pare. Përveç kimioterapisë asnjë ilaç s’po mundeni me e marrë

Prindi 1: Asnjë!

Punëtorja e spitalit: Kimioterapitë po

Prindi më pas e pyet punëtoren e spitalit nëse është fjala vetëm për fëmijën e tij apo ngjashëm po veprohet edhe me fëmijët e tjerë të Kosovës që po trajtoheshin aty.

Punëtorja e spitalit: Krejt, krejt, krejt, çka kanë ardhë me shtet, domethënë Kosova nuk po çon pare.

Prindi 1: E a ja u lype kështu letrën, a po e dinë?

Punëtorja e spitalit: Nuk po japin

Prindi 2: Jo duhet me e lëshu letrën, duhet me e lëshu letrën që s’po e jep, atë e çojmë... e dërgojmë atje.

Në fletëzotimin financiar shkruan qartë që pas përfundimit të trajtimit, FSSH-ja e paguan spitalin përkatës për trajtim. Por në këtë rast spitali përkundrazi që i ka pranuar fletëzotimet për këta pacientë ua refuzon një pjesë të shërbimeve për shkak të borxheve të kaluara.

Prindi 2: Fletëzotimi a u pranu...kur pranohet fletëzotimi?

Punëtorja e spitalit: Fletëzotimi po, ama kjo është punë e Fondit atje. Te Fondi krejt faturat po shkojnë.

E njëri nga prindërit pretendon se edhe kur po bëheshin pagesat, prapë spitali nuk po u jep fëmijëve të tyre ilaçet.

Prindi: Ja faturat i kanë kthy. Mu ma kanë kthy, edhe ilaçin nuk ma kanë dhanë.

Punëtorja e spitalit: S’po çojnë pare s’ka..., nuk e di si janë marrë vesh ata.

Gjatë bisedës mes tyre, punëtorja e Spitalit jep arsyetime me të detajuara se pse po i detyrojnë t’i blejnë barnat, porse njëri nga dy prindërit ia kërkon dëshminë.

Punëtorja e spitalit: Se folëm na, tani fola me kon duhet, folëm me financa, mandej fola edhe me Efkanin, jooo s’ka pare..., Kosova s’po çonë pare.

Prindi 2: Ama, lëshoma ti një letër që s’ka trajtim, s’ka trajtim po i bjen

Punëtorja e spitalit: Trajtim jena tu ba na

Prindi 2: Jaaa s’është trajtim kur të ndalën ilaçet..., ilaçet po ndalën, po ndërprehen në gjysmë, e kapi çikën shkoj tjetërkund, e toni këta të paqin ku me i marrë, se është procedimi. S’ka trajtim edhe u kry puna. Ilaçet s’ti dhajnë. Se në fillim kur kena ardhë thojke deri në 5 vjet s’ka gajle se na me shtet merrem.

Punëtorja e spitalit: Po ata po merren vesh, po, ama Mehmeti tash po mundohet me i ba krejt, ama këta financat këtu, kur po e sheh që Kosova nuk ka çu pare, ai i financave nuk po e jep vulën

Prindi 2: Qysh me marrë pare pa u kry pacienti?

Punëtorja: Pak bilem me çu sa për diçka me marrë, ama këto s’po çojnë hiç

Pacientët, “viktima” të borxhit që Kosova u ka spitaleve private

Spitalet private në Turqi, që trajtojnë pacientët me sëmundje të rënda, sidomos fëmijët, sipas dëshmive që i disponon KOHA, dyshohet se i përdorin pacientët për t’u bërë presion institucioneve të Kosovës që ta paguajë borxhin eventual nga rastet e mëparshme.

Kur Fondi i Sigurimit Shëndetësor vonon pagesat për pacientët paraprakë, ato, siç tregojnë familjarët, tentojnë t’i marrin paratë përmes pacientëve që janë të shtrirë aty. Kjo praktikë është e paligjshme. Sipas Udhëzimit Administrativ, spitali privat në momentin që e pranon fletëzotimin e Fondit për pacientin përkatës, merr përsipër të gjitha shërbimet e nevojshme, ndërsa pagesën e tërheq pasi të përfundojë trajtimi.

“Procedurat administrative për rastet nga paragrafi 3 i këtij neni duhet të përfundohen në pajtim me këtë udhëzim administrativ në afat sa më të shkurtër kohor, ndërkaq ekzekutimi i pagesës mund të marrë kohë deri në gjatë muaj”, thuhet në udhëzim. “Institucioni shëndetësor nga paragrafi 6 i këtij neni nuk do të kërkojë pagesën financiare nga pacienti në kohën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në situatën kur ai e parashtron fletëzotimin nga paragrafi 5 i këtij neni”.

KOHA ka kërkuar përgjigje për këto raste nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Janë kontaktuar përmes emailit edhe spitalet.

Gjatë javës së kaluar, KOHA ka vajtur në përfaqësinë e spitalit Medipol Mega. Aty i është kërkuar punonjëses që ta njoftojë menaxhmentin e spitalit për interesimin e KOHËS. Më pas e ka kontaktuar përmes e-mailit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje. Sërish e ka vizituar gjatë së enjtes përfaqësinë e të njëjtit spital. Punonjësja ka thënë që i ka pyetur, por ende nuk janë përgjigjur. Po ashtu, javën e kaluar e ka kontaktuar përmes telefonit koordinatoren për pacientë shqiptarë në spitalin “Medical Park”, Ebru Hazirbaba. Ajo e ka lutur gazetën që t’ia drejtojë pyetjet me shkrim. I janë drejtuar pyetjet në mesazh dhe në e-maile të spitalit. Por nuk janë përgjigjur.

Hulumtimi i KOHËS ka zgjatur disa muaj. Është shqyrtuar dosje e madhe e dokumenteve dhe janë intervistuar shumë familjarë të pacientëve. Po ashtu, edhe persona që janë përfshirë në Programin për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike, përfshirë agjencitë ndërmjetësuese, përkatësisht përfaqësuesit e spitaleve private. Nga të dhënat e siguruara dyshohet për keqpërdorimin e miliona eurove që çdo vit ndahen nga buxheti i Kosovës për këtë program.

(Në numrin e nesërm mund të lexoni: Si bëhet gara mes agjencive ndërmjetësuese për gjetjen e sa më shumë pacientëve që kërkojnë trajtim jashtë vendit? Kush qëndron mbrapa dy agjencive kryesore dhe si u bë që ky i akuzuar për korrupsion, të ketë afërsi me Fondin për Sigurime Shëndetësore?)