Programi për trajtim Jashtë Institucioneve Publike që funksionon në kuadër të Fondit të Sigurimit Shëndetësor është plotësisht i pakontrolluar e menaxhimi i tij lë dyshime për abuzime në emër të pacientëve të sëmurë rëndë.
Një hulumtim disamujor i KOHËS për këtë fond ngriti dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë. Krejt kjo në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që nuk gjejnë shërim në Kosovë.
Programi funksionon prej vitit 2005.
Vlera e milionave që ndahen për këtë program nga vit në vit është rritur. Disa herë ka ndërruar legjislacioni për këtë çështje, por megjithatë, për programin pak dihet në publik.
Shteti nuk ka krijuar asnjëherë mekanizëm të kontrollit të këtij programi, dokumentet për këtë program nuk janë bërë asnjëherë publike me arsyetimin që diagnozat janë konfidenciale e rrjedhimisht, nuk është ditur kurrë me saktësi se ku kanë shkuar paratë e dedikuara për trajtim shëndetësor.
Hallka e parë e sistemit që dërgon pacientë jashtë vendit, është dokumenti me tri nënshkrime të mjekëve të QKUK-së e dokumentet e siguruara dëshmojnë që kjo hallkë nuk funksionon ashtu siç duhet. Fletëreferimet shpesh lëshohen pa kritere.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë kurrë politika shëndetësore në bazë të fletëreferimeve për jashtë, ani pse ato tregojnë prioritetet për investime në shëndetësinë publike.
Kësisoj, hulumtimi zbardh raste kur pacientët referohen për mungesa të barnave e mungesë materiali që Ministria e Shëndetësisë nuk ua ka siguruar QKUK, defekte të aparaturave që nuk janë rregulluar pastaj me muaj të tërë e arsye të tilla të ngjashme.
Por problemet kryesore lindin në hallkën e dytë. Legjislacioni parasheh që pacienti që ka siguruar fletëreferimin, të sigurojë edhe dy profatura nga dy spitale private të ndryshme me çmimin e saktë për shërbimin që ka nevojë pacienti.
Ligjërisht zgjidhet profatura më e lirë. Dokumentet dorëzohen në Fondin e Sigurimit Shëndetësor.
Në parkingun që e shfrytëzon ky institucion janë të vendosura rreth 10 agjenci të cilat lëshojnë profatura kryesisht për spitale turke. Çmimet sillën si në treg. Për një sëmundjeje të rëndë, për pacientët e njëjtë mund të gjesh profaturë në çmim të ndryshëm.
Fondi merr përsipër pagesën për profaturën me të lirë, megjithatë në shumë raste faturat përfundimtare janë në vlera krejt të tjera. Fondi nuk i kontrollon fare dhe pagesën ua bënë siç spitalet private ua faturojnë.
Dështimi në shumë mekanizma brenda FSSH-së ka bërë që borxhi të spitaleve turke të rritet në mënyrë enorme. Përderisa Fondi në një përgjigje thotë që borxhi është me pak se 2 milionë euro, dokumente të siguruara nga KOHA flasin për një borxh dhjetëramilionësh. Në këto dokumente janë kalkuluar obligimet pacientë për pacientë, e një dokument të tillë e kanë parë edhe ministrat që kanë udhëhequr me shëndetësinë në 3 vjetët e fundit.