Arbëri

Profesoresha e mjekësisë kërkon “dënim meritor” për mjekun që e sulmoi në vendin e punës

Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, pret që organet kompetente t’i japin “dënimin meritor” kolegut të saj, që e sulmoi fizikisht të martën në ambientet e institucionit ku punon.

Në një intervistë për “60 Minuta” në KTV, Latifi-Pupovci, ka sqaruar se si ka ndodhur ngjarja, sipas saj. Thotë se është dashur të marrë trajtim mjekësor.

“Rasti ka ndodhur pasi që studenti në provimin me gojë nuk e kaloi, sapo e përfundoi studenti, hyri prindi i tij, më është prezantuar si doktor Arsimi, nuk e kam njohur më parë. I thashë ulu, më pyeti se çka ndodhi me Donatin, i thashë që nuk e kaloi provimin. Më tha si e ke thirrur në provim me gojë, nuk ke guxuar. I thashë kjo është procedurë e provimit dhe atë e përcaktoj unë. Më pas tha a ke menduar se çka ndodhë pas kësaj. I thashë jo. E pa që nuk po më frikëson, u ngrit dhe m’u afrua te tavolina. Më sulmoi me grusht dhe fillova të vetëmbrohem, pasi ishte sulm i fuqishëm. Goditjet kanë zgjatur dy-tre minuta. Për mua është e tmerrshme se çfarë kam përjetuar dje brenda institucionit ku nuk e kam pritur që diçka e tillë mund të më ndodhë”, ka thënë ajo.

Latifi-Pupovci ka njoftuar se për këtë sulm fizik ka kërkuar ndihmë, por që askush nuk e ka ditur se prej nga po vinte thirrja.

“Thirra për ndihmë, e thirra kolegen, por ajo nuk e ka ditur se prej nga po vjen thirrja, tek pasi ka përfunduar e pyeta se ku është dhe më tregoi se nuk e dinte prej nga po vinte thirrja. Më pas erdhi edhe roja që tha se ka menduar që zërat po vinin nga kati i tretë, e më pas erdhën edhe kolegët tjerë dhe më pas pritëm pak derisa erdhi policia. Shkova në Emergjencë për të bërë incizime të kokës, më pas bëra kontroll të syrit, pasi m’u ka turbulluar të parit”, ka thënë ajo.

Ajo njoftoi se personi, i cili e ka sulmuar, ka pasur edhe raste të tjera të sulmeve, duke përfshirë ish-drejtorin e Shëndetësisë në Prishtinë, Arben Vitia.

“Personi është gjetur dhe është 48 orë në mbajtje dhe shpresoj ta marrë dënimin e merituar. Ky person ka pasur edhe raste të tjera të mëparshme, e di që ka pasur edhe ndaj Arben Vitisë, por unë nuk ia kam vu mendjen emrit të personit, por edhe nëse do e dija nuk do të veproja ndryshe. Nuk zmbrapsem vetëm pse dikush vjen më shantazhon apo kërcënon”, ka thënë ajo.

Latifi-Pupovci ka kërkuar nga Oda e Mjekëve dhe institucionet tjera që ky person të mos mbetet i padënuar, duke thënë se “në çdo vend normal atij do të duhej t’i merrej licenca e mjekut”.