Autoritetet në Mal të Zi kanë bllokuar sot xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”, që është në pronësi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kanë raportuar mediat malaziase.
Bllokimi i xhirollogarive të kompanisë raportohet se ka ndodhur shkaku i një borxhi prej 31 mijë eurosh.
Ambasadori Berishaj është përmendur si i implikuar në një aferë të pastrimit të rreth 600 mijë eurove nëpërmjet kompanisë së tij.
Ai dyshohet se i ka transferuar paratë e gatshme nga një llogari bankare në Mal të Zi, në xhirollogaritë e politikanit slloven, Robert Golob.
Berishaj ka mohuar të ketë marrë pjesë në pastrimin e parave, por, që pas ngritjes së dyshimeve, në Kosovë janë shtuar thirrjet për shkarkimin e tij nga posti i ambasadorit në Zagreb.