Arbëri

Vuçiqi krahason Kurtin e Gjukanoviqin me miza: Ju prisni që hienat të kapin ndonjë gjah

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, që ta lënë Serbinë të qetë.

Vuçiq ka reaguar me një videomesazh, duke iu përgjigjur shqetësimeve që Kurti e Gjukanoviq kanë shprehur pasi Serbia ka blerë mbrojtje kundërajrore nga Kina.

“Gjashtë muaj më parë fushata kundër Serbisë është intensifikuar nga disa qendra të huaja të pushtetit, por natyrisht edhe nga pjesa e rajonit që suksesin e saj e sheh gjithmonë në dështimin e Serbisë. Urrejtja më e theksuar ndaj çdo gjëje që është serbe vjen nga Albin Kurti e Millo Gjukanoviq. Ata po mundohen të paraqiten si viktima, kurse Serbinë si agresore. Kështu, ata shfrytëzuan rastin për të paraqitur blerjen tonë, legjitime dhe transparente të sistemit kinez të mbrojtjes ajrore FK 3 apo HQ-22, që janë armë mbrojtëse, për të na paraqitur si aleatë kinezë apo rusë, megjithëse nuk ka të bëjë asgjë me Rusinë dhe vetë Serbia është e rrethuar nga NATO. Ata nuk janë në gjendje të thonë se në çfarë mënyre i rrezikojnë këto armë mbrojtëse”, ka thënë Vuçiq. “Ky sistem është për t'i shkatërruar raketat e lundrimit apo avionët e armikut. Pyes veten se si kjo e rrezikon Prishtinën apo Podgoricën”.

Vuçiq ka thënë se Serbia është shtet i pavarur dhe dëshiron të përkujdeset për mbrojtjen e vendit të saj, e jo këtë të bëjë NATO.

Ai ka thënë se sa i përket për forcat ajrore që kanë Kosova e Mali i Zi, Serbia më mirë do të ishte të blinte sprej për t’u mbrojtur nga mushkonjat e mizat, pasi ka rrezik më të madh nga to.

Vuçiq po ashtu ka thënë se “në cirk shihni luanë, tigra e elefantë, por nuk shihni një ujk të vetmuar”.

“Për shaka, do të ishte më mirë të blinim sprej ‘autan’ për t’u mbrojtur nga tufa mizash apo mushkonjash, sesa nga çdo forcë ajrore që ata zotërojnë. Kur Albin Kurti thotë se Serbia ka frikë se do të mbetet e vetme, i them se sot Serbia është e vetme si një shtet neutral në rajon. Do t’ju kujtoj se gjithmonë në një cirk mund të shihni luanë, tigra e elefantë, por nuk shihni ndonjë ujk të vetmuar. Ne në Ballkan kemi mjaft kafshë të tilla të mëdha të egra dhe unë më tepër do të pranoja rolin e një ujku të vetmuar sesa rolin e hienave të paturpshme dhe të pamoralshme, qofshin tri, pesë, gjashtë apo 19-të të tilla. Edhe më keq se hienat, të cilave duhet t’ua pranosh sa i përket thithjes së gjakut, më keq është me miza që presin nga hienat t’u sjellin ndonjë pre, dhe të tillë janë Albin Kurti e Millo Gjukanoviq. Ata kanë shqetësime shumë më të mëdha, sepse Serbia do ta ruajë paqen dhe stabilitetin, ndërsa juve ju mbetet krimi, korrupsioni dhe problemet ekonomike, por nuk dua të ndërhyjë në këtë. Kërkesa ime është që ta lini Serbinë të qetë, të mos gënjenin dhe mashtroni opinionin. Serbia do ta gjejë rrugën siç duan qytetarët e saj. Jemi krenarë për faktin se duam të mbrojmë vendin tonë dhe jo që të na mbrojë NATO. Ne jemi të ndryshëm në këtë, jemi krenarë dhe nuk na vjen turp”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar së fundi se Serbia duket se është në panik, pasi e ka kuptuar se më nuk mund të jetë njëkohësisht me tri-katër vende.

“Po përpiqet të forcohet pasi mund të mbetet e vetme”, tha Kurti.

Po ashtu ishte reaguar edhe nga Presidenca e Kosovës, për armatimin e Serbisë me armë kundërjarore kineze.

Ndërkohë presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviq, tha se Serbia po armatoset nga vendet që shfaqen si armike të hapura të Evropës dhe NATO-s.

“Është një lëvizje konstante e politikës të cilën e ka ndjekur Serbia prej disa vjetëve. Por besoj se do të ndihmojë për të qartësuar më tej imazhin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në disa adresa të rëndësishme politike të BE-së dhe NATO-s”, tha Gjukanoviq.