Dëshmitë e personazheve të librit “Mirupafshim në Kosovë” të Ana Exposito Valles (V)
Ilmi Gashi po përjetonte orët e para të lirisë pasi trupat britanike kishin marrë kontrollin e një pjese të Prishtinës, por në krye të “Kodrës së Trimave” ende ndodheshin forcat serbe që po plaçkitnin çfarëdo që mundnin në orët e tyre të fundit. KFOR-i po vendoste këmbësorinë e makinerinë edhe në lagjen më veriore të kryeqytetit. Pas tyre po shkonin edhe qytetarët e rrugicave ndanë rrugës magjistrale që shpie drejt Podujevës.
Andej po merrnin udhë ushtarët serbë me makinerinë e vjetruar. Në krye të tankeve të NATO-s burrat po i hidhnin fëmijët që po u jepnin lule ushtarëve të lirisë. Dikush kishte mbështjellë me flamuj kombëtarë dy vogëlushe që po qëndronin sipër makinerisë, me britanikët e mahnitur me entuziazmin e shqiptarëve të çliruar. Por, përreth gjithkah kishte shenja barbarie të forcave serbe e jugosllave.
Dhe krejt këto momente e shumë të tjera po i faktonte me kamerë Television de Galicia, me gazetaren Ana Axposito Valle, që po kryesonte ekipin, të cilit po i përkthente Nexhat Bexheti nga Tetova.
“Gjallë, gjallë është”
Në të njëjtën rrugë të dy janë kthyer në paraditen e 14 dhjetorit 2021, në kërkim të shtëpisë së Gashit. Fotografia e tij me bashkëshorte Xhevrijen, shkrepur më 2001 nga Valle, kur do të kthehej për t’ua dorëzuar librin “Mirupafshim në Kosovë!” në galicisht, shpresë për reporteren e luftës për ta. Ajo është e sigurt se ka gjetur rrugën, por jo edhe shtëpinë. Fatmir Haliti, veteran i luftës që punon në një biznes pranë rrugës, ngjall shpresën e Valles.
“Po, po, e njoh”, thekson Haliti, me dorën e mbështetur për lopatën e madhe për heqjen e borës. “Yes, yes”, gëzohet Valle, që mezi pret ta takojë njërin prej shqiptarëve që nuk i është shlyer kurrë nga mendja për shkak të pasojave të luftës.
“A është gjallë?” – sikur nuk beson Valle, por që dëshiron të sigurohet. “Gjallë, gjallë është”, ia kthen veterani i luftës. “A të thashë!” – thotë Bexheti.
Bashkë me ekipin e KTV-së, i cili ka përcjellë Vallen gjatë vizitave familjeve të intervistuara gjatë e pas luftës për t’ua dorëzuar “Mirupafshim në Kosovë!” shqip – botuar nga Botimet KOHA e mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) për të xhiruar dokumentarin me të njëjtin emër – marrim rrugë drejt shtëpisë së Gashëve. Pas shumë përpjekjesh të Halitit, Ilmiu hap derën me shul. Çifti nuk ka fëmijë.

Përplasja e dy ushtrive për kamionin e Bedriut
Brenda na pret Xhevrija. Valle dëshiron sa më shpejt t’ua tregojë në laptop pamjet televizive të mesqershorit të 1999-s. Në fillim shihen burrat e “Kodrës së Trimave” që krenueshëm po qëndronin rrugëve derisa britanikët nuk po lejonin tërheqjen e trupave serbe pa ia kthyer kamionin e plaçkitur Bedriut, i cili – shihet në xhirime – ia ofron një eprori të NATO-s dokumentet personale e të kamionit pas refuzimit të ushtrisë së mposhtur serbo-jugosllave. Bexheti përkthen nga anglishtja në serbisht gjatë komunikimeve ndërmjet dy ushtrive. Krejt të ndryshme për to, perceptimet e prishtinasve të çliruar.
“Gjestet dhe fytyrat e grupeve negociuese tregonin se puna nuk shkonte mirë dhe sa herë që u ktheheshin llafeve, gjërat shkonin edhe më keq. Ai tipi si pirat e mban automatikun dhe luan me të tek sfidon, kurse eprori i tij nuk e heq dorën prej revoles që e mban në brez”, përshkruan Valle në “Mirupafshim në Kosovë!”
Botimin shqip e ka me vete për t’ua dhuruar Gashëve.
“Më në fund britanikët, të lodhur nga mungesa e rezultateve, kërkojnë përforcime, që vendosen përreth postbllokut serb përderisa tanket ‘Destroyer’ i kthejnë tytat direkt te ta”, shkruan ajo.
Skenat ua dokumenton Gashëve edhe me xhirimet në laptop.
Ushtaraku nga Mbretëria e Bashkuar e nget vetë kamionin, duke ia dorëzuar Bedriut. Shpërthejnë duartrokitjet e qytetarëve përreth. Në dhjetor nuk ia dalim ta gjejmë Bedriun e as Krasniqët përballë, të cilët jetojnë në një pjesë tjetër të Prishtinës.
Në xhirime, prapa laurës, tashmë të ngritur, pas tërheqjes së trupave serbe, Ilmi Gashi dhe disa banorë të lagjes nisen drejt shtëpive pa menduar dy herë nëse mund të ketë mina. Para derës së oborrit, atëherë të drunjtë, Gashi rrok kokën me dy duart e shpërthen në lot. Shkrumb e hi.
Atëherë Gashi kishte folur pak gjatë intervistës televizive, pak çaste pasi do ta shihte me sytë e tij shtëpinë e djegur e qenin e vrarë në qosh të oborrit.
“A i urren ata që ta kanë djegur shtëpinë?” – e pyet Valle, shikon çifti Gashi në laptop intervistën e atëhershme.
“A do t’ua kishe bërë edhe ti të njëjtën gjë atyre?” – e pyet Valle në xhirim.
“Jo”, është i prerë Gashi.
“Pse jo?”
“Pse kam qejf temën”.
“Ma mirë mos me i pasë pa hiç”
Duke ndalur për pak pamjet në laptop, Valle me shikimin kah Ilmi Gashi, i kthehet të njëjtës temë: “Ilmi, a i urren ende?”
“Jo”, thotë Ilmi Gashi, i cili ka problem me të dëgjuarit.
“Qysh jo, shkijet...”, ndërhyn Xhevrija, e mësuar ta ngrejë zërin për shkak të shëndetit të burrit.
“Po, po”, ndërron fjalët Ilmiu.
“A nuk mund ta harrosh?” – pyet Valle.
“Jo, shpijën na e kanë kallë, qysh me harru”, thotë Ilmiu. Fytyra i skuqet e mezi mbahet.
“Edhe baba i ka pa dekë n’luftë këtina, veç prej egjeli”, ndërhyn Xhevrija
“Edhe baba më ka dekë n’luftë”.
“Në mbrëmje kena ikë, të nesërmen kur kena ardhë na e kanë djegë shpijën”, tregon gruaja.
“Ndihem mirë, sepse e kam parë se ka rindërtuar shtëpinë dhe tani është në kushte më të mira. Por e shoh se ende është i mërzitur dhe kjo më bën të ndihem keq, por jam e lumtur që ky dhe gruaja janë shumë mirë”, më thotë Valle, kur e pyes si ndihet pas takimin të tretë me Gashët për të cilët ndiente keqardhje të madhe.
“Ju ishit njëri prej njerëzve për të cilën jam ndier keq më shumë se për të tjerët gjatë luftës dhe kjo është arsyeja pse më kujtohet kaq mirë”, thekson ajo. “Ai ndihej shumë keq për gjendjen e shtëpisë. Dukej sikur nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte”.
“Si ndihesh tani”, i thotë Valle Ilmiut, duke hedhur shikimin kah laptopi.
Pasi dëgjon fjalët e Valles, të përkthyera nga Bexheti, Ilmi Gashi thotë: “Ma mirë të mos i shoh hiç”.
“Më vjen keq që të nxita t’i shohësh. Nuk doja që të mërziteshe”, i thotë gazetarja nga Spanja, duke ndalur xhirimet në laptop.
“Jo, jo, u kalu tash, e ishalla s’na vjen kurrë me pa ma”, thotë Xhevrija.
“Jam tut kur janë kanë tu e vra agën”
Kujtime lufte i shfaqen para syve Valles vetëm një orë më pas, me të arritur në kufi me Maqedoninë e Veriut në qendrën e përkujtesës kolektive, “Bllaca 99”. Brigjeve të Lepencit të ftohtë e të rrëmbyeshëm, Valle kishte parë me sytë e saj vuajtjet e civilëve shqiptarë që po dëboheshin e torturoheshin deri në kufi nga forcat serbe.
Në njërën prej shatorëve, Valle do të intervistonte një familje të madhe refugjate. Në xhirimet e sjella nga Spanja, Valle e pyet një vogëlushe për vështirësitë e rrugës.
“Kemi ecë nëpër reka, sun ecshmi, u mërdhijshmi”, i tregon ajo. Megjithatë, fytyra e saj rrezaton shpresë. Qeshet edhe kur flet për momentet më të vështira të jetës së saj.
“Çfarë të mungon më së shumti?” – e pyet Valle. “Shkolla, vendlindja”.
Një djalosh thotë se ishte frikësuar se serbët do t’i vrisnin e masakronin. “Kemi ikë në ara e therra”, dëshmon djali. “Jam tut ma së shumti kur janë kanë tu e vra agën”, tregon ai. “Dojshin me vra agën me automat”.
“I kanë pshtet për muri”, dëgjon një zë.
“Trenat gjithnjë më kujtojnë Holokaustin”
Dëshmi të ngjashme fëmijësh ka edhe në obeliskun e vendosur në “Bllaca”. Spikat fotografia e famshme e nënës kaçanikase që gjatë dëbimit nuk e ndan të bijën nga gjiri. Valle qëndron goxha shumë para saj.
“Ajo që më kujtohet shumë mirë nga puna e trenit ishte se shumë njerëz më treguan se ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, ndërkohë që, sikur të ishte një shaka pa krip, i detyruan të paguanin biletën e tyre “, thekson Valle para trenit të vendosur në qendrën përkujtimore. “Ky është kujtimi që e kam për trenat dhe përherë trenat ta kujtojnë Holokaustin”.
Ana, e cila do të dëshmonte se si forcat maqedonase nganjëherë përdornin edhe dajakun e fyerjet kundër refugjatëve shqiptarë në Bllacë, për një moment do të linte anash punën si gazetare dhe do të ndihmonte bashkimin e një familjeje të ndarë refugjatësh.
“Puna ime si gazetare do të ketë ndihmuar dikë. Ndihmoi që Kosova të merrte përkrahjen nga bashkësia ndërkombëtare dhe kjo më bën të ndihem më mirë, ngase kur e di se e kryen një punë që nuk i shërben asnjë qëllimi, është shumë frustruese”, thekson ajo.
Përjetësisht në memorien shqiptare”, shkruan me të bardhë në trenin e kuq Valle, në faqet e bardha të fletores me kapak të gjelbër, ku ende i ruan dëshmitë e Bllacës.