Dëshmitë e personazheve të librit “Mirupafshim në Kosovë” të Ana Exposito Valles (I)
Në një ditë të bardhë dimri në Prishtinë, Ana Exposito Valle e nis rrugëtimin për t’i vizituar e dëgjuar të mbijetuarit e luftës së Kosovës teksa rrëfejnë për ditët e tyre më të zeza të jetës para se vendi ta fitonte lirinë. E rrallë ishte dëbora që binte përgjatë autostradës “Arbën Xhaferi” e rrugës ndërmjet Kaçanikut të Vjetër e Vitisë. Edhe më të rralla ishin makinat përgjatë rrugës që gjarpëron mes fushash e pyjesh të zhveshura të fshatrave, para se të mbërrijmë në hyrje të Drobeshit të Vitisë. Është e diela e 12 dhjetorit. Te xhamia e fshatit, na pret Arianita Muharremi, e cila ishte vetëm gjashtë muajsh kur reporterja e disa luftërave do ta intervistonte gjyshin e saj të ndjerë, Brahim Muharremi, teksa po e mbante në duar mbesën në Tanushë të Maqedonisë së Veriut. Ishte pranvera e vitit 1999. Arianita pak ditë më parë do të mbetej pa babanë, dëshmorin Muhamet Muharremi, nga Lubishta e Vitisë.
Nga “Mirupafshim” në “mirë se erdhe”
Arianita Muharremi është vetëm njëra prej pothuajse një milion refugjatëve të Kosovës të vendosur nëpër kampe e shtëpi shqiptarësh në Maqedoninë e Veriut e në Shqipëri. Valle do t’i intervistonte dhjetëra sosh gjatë mbulimit të luftës. Edhe vetë do ta dëshmonte ditën e parë të çlirimit të Kosovës me ekipin e Televizionit të Galicisë, transmetues publik i rajonit të vetëqeverisur perëndimor të Spanjës, Galicia. Kësaj herë Valle është kthyer për t’ua dorëzuar librin me dëshmi, “Mirupafshim në Kosovë!”, të përkthyer nga Flaka Surroi e botuar nga Botimet KOHA. Në galicisht do ta botonte e sillte në Kosovë më 2001. Kësaj here, do ta shoqëronte ekipi i KTV-së për ta realizuar dokumentarin “Mirupafshim në Kosovë”, pjesa e parë e të cilit u transmetua të enjten mbrëma. E dyta të premten, në po të njëjtën kohë. Projekti është i mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
23-vjeçarja Muharremi përlotet gjatë takimit, duke i uruar mirëseardhje Valles. Afërmendsh se nuk i kujtohet takimi në Tanushë, por njohja me të ia rikthen dëshmitë që në moshë madhore ia kanë treguar gjysh Brahimi i ndjerë, gjyshe Bedrija e nënë Zyrafetja. Gratë e presin krahëhapur mysafiren në shtëpi.
Valles ende pa u ulur, syri ia rrok fotografinë e dëshmorit në ballë të sallonit.
“Më lejo ta shoh fotografinë”, i drejtohet Valle gjyshe Bedrijes. “Ouu”, habitet Ana kur sheh se në këndin e poshtëm djathtas në fotografinë e ushtarit të UÇK-së - me kallashin e ngritur lart në dorën e djathtë – është fotografia e vogël e Arianitës me fustan të zi para bustit të babait në Lubishtë. Aty ku ra për liri. Emblema e UÇK-së në krah, e përbashkëta e dy palë veshjeve. “Për maturë e ka veshë dhe ka shku te baba i vet sefte”, i tregon Bedrija. “Kur e kam kry maturën, kam ndje se duhet me ba diçka për babin dhe e kam vendosë me ba fustanin me shqiponjë dhe me shkronja të UÇK-së”, thotë Arianita. “Kam dashtë m’i kushtu diçka prej vetvetes”.
I lidhet gryka e i skuqet fytyra derisa mundohet të përmbahet. Sytë nuk ia fshehin dot mërzinë për babanë që e njohu vetëm nëpërmjet fotografive.
“Mendoj se kam shumë gjyshër në Kosovë”
“A ia ka vlejtur që babai juaj ra për Kosovën?” – e pyet Valle Arianitën. “Po, jam shumë krenare”, ia kthen menjëherë ajo. “Pavarësisht shumë sfidave e mërzisë që kam kaluar, jam shumë krenare që kam pasë një babë dhe ia kam kushtu vendit”.
Hallë Afërdita përpihet, derisa Valle thotë se “është shumë e vështirë të jetonit pa babanë”. Gazetarja nuk e lëshon fotografinë nga duart.
“Është shumë e ranë, por duke iu falënderuar familjes, duke i pasë tanë kohën në krah, sidomos kryesori ka qenë gjyshi. Ai u kanë krahu im i djathtë, shok, babë, gjysh, gjithçka e kam pasë”, thotë Arianita. Gjyshja mbahet fort, teksa me lëvizje koke aprovon fjalët e mbesës.
“Po, mendoj se ishte edhe gjyshi im. Mendoj se kam shumë gjyshër në Kosovë”, thotë Valle, që me maturi ua kthen qeshjen grave të mërzitura.
Gjyshja me të bijën, të renë dhe mbesën mezi mbahen derisa shikojnë xhirimet e Valles në laptop. Arianita e vogël shihet e pikëlluar në prehrin e gjyshit që po u rrëfente Valles e Nexhad Bexhetit, përkthyesit të ekipit të televizionit galician, i cili e shoqëron reporteren e luftës edhe në udhëtimin e paqes.
“Trutë ia kam mledhë me dorë, edhe ia kam shti n’vorr”
Arianita në varrezat e dëshmorëve të Vitisë para pllakave të babait Muhamet Muharremi dhe bashkëluftëtarit Xhemajl Ademi, të rënë në Lubishtë
“Më fal se këto janë momente të rënda....”, dëgjohet Bexheti duke përkthyer në pranverën e vitit 1999 në fshatin malor të brezit kufitar. “Ani se s’ka problem hiç”, thotë Brahim Muharremi. “.... kur e morët djalin, a kishte edhe njerëz të tjerë që i kishin vra kur e gjetët djalin?” – vazhdon Bexheti përkthimin e pyetjes së Valles.
“Dy janë kanë, dy janë kanë të vrarë, edhe një i kojshive u kanë, bash i ngatë i joni. Bashkë i kishin vra. Njani ish ra përmys, njani ish ra kështu”, lëviz fillimisht dorën para Brahimi, pastaj prapa kokës, duke përshkruar gjendjen e të dyve. Muhameti ishte 28 vjeç. Me Arianitën që e mban në prehër me dorën e majtë, të djathtën e qet pas kokës, duke treguar: “Djalin tem e kanë vra këtu dhe ia kanë hjek kejt kapakin e kresë”, duke sjellë dorën rreth kokës. “U kanë masakër kjo, se hajde me pushkë ia jep një plum, e vret, po kejt ia kish shkoq k’tu kaptinën e kresë”. “Trutë ia kam mbledhë me dorë dhe e kam shti”, thotë ai. Njëherësh kujdeset për Arianitën e vogël flokëbardhë.
Para xhirimeve në laptop, mbahen fort gjyshe Bedrija e nënë Zyrafetja. Jo edhe Arianita e hallë Afërdita. “Çfarë mendoni pse ju urrejnë serbët kaq shumë?” – pyet Valle në xhirim. “Po dojnë me na çu prej k’tuhit kejt”, ia kthen Zyrafetja. “Çfarë ndjen për serbët?” – insiston Valle. “Por s’janë gjin ata”, thekson ajo, duke marrë edhe mbështetjen e vjehrrit: “Egërsina janë. Me një fjalë, egërsina”.
“Nuk doja të të mërzisja”
“Kur të rritet do t’i tregoj kejt që ia kanë vra në luftë”, thotë Zyrafetja kur e pyet kur do t’i tregojë Arianitës historinë e babait. “Ndoshta është më mirë të mos i dëgjojmë këto dëshmi”, thotë Ana, e cila ia shtrëngon duart e lidhur grusht Arianitës në tavolinë para laptopit.
“Ja, po, po”, thotë Afërdita. “Ma jep një palomë”, e lut nanën Arianita, e larë në lot.
“Nuk doja të të mërzisja”, i thotë Valle.
“Jo, gjithmonë kam pasë qejf m’i pa këto xhirime”, thotë ajo. “Jam shumë e k’naqtë. Nuk jam e mërzitun. Jam shumë e k’naqtë”, mbledh forcën e qeshet Arianita.
“Mua edhe atëherë më dukej se ti po ndjeje dhimbjen”, i thotë Valle, teksa komentojnë gjendjen shpirtërore të vogëlushes, të cilën familjarët do ta mbanin para duarsh për gjashtë orë gjatë kalimit në këmbë Maleve të Karadakut.
“Dhe gjyshi e ka treguar atë histori të tmerrshme, por e ka mbajtur veten”, kujton Valle.
“Prandaj, ai më mungon tepër se ka qenë shumë i fortë dhe është munduar të më mbajë edhe mua të fortë”, thotë Arianita. “Shumë”, thotë gjyshja fjalëpakë e shpirtfortë. “Shpresoj se sadopak të kam bërë të ndihesh e lumtur”, thotë Valle. “Jo pak, por shumë”.
Sakrifica e nënës për Arianitën
Arianita para se të nisej në mbrëmjen e maturës, me fustanin me shqiponjë e emblemën e UÇK-së, bëri homazhe para bustit të babait në Lubishtë
Kur Ana me tri gratë ulet në kauç për të folur për gjendjen e tanishme, këmbëngul që pranë ta ketë Zyrafeten, e cila ishte vetëm 26 vjet kur iu vra burri.
“Si të shkoi jeta pas lufte?” – e pyet Valle.
“Pas lufte mirë se vajza ime u kanë dhe është krahu im i djathtë dhe ka dëgjuar këshillat e mia dhe e kam përkrahjen e madhe prej familjes”, i thotë nënë Zyrafetja. Ato rrojnë në shtëpinë e xhaxhait të Arianitës, i cili jeton e punon në Zvicër.
“Nuk e di nëse guxoj t’ju pyes, por pse nuk u martuat përsëri, ishe shumë e re”, pyet Valle pasi me dy duart ia merr dorën e djathtë dhe ia shtrëngon në prehër. “Nuk e di nëse është e udhës të pyes. Pse nuk u martuat përsëri dhe të nisnit një jetë të re?”
“Jo, s’ka lidhje”, ndërhyn Arianita, derisa Bexheti përkthen.
“Po unë kam pasë qejf ngat fëmijës tem, ta rriti, të jetë e lumtun”, thotë Zyrafetja. “S’kam mujt me u nda prej saj”, thotë me zërin që për herë të parë e tradhton e flet përvajshëm.
“Por, a mendoni se keni tani një jetë të mirë?” – pyet Valle.
“Po se jam me një familje të mirë jam, edhe jam krenare se edhe këta mue m’kanë këqyrë deri sot. Shumë jam krenare me ta dhe kam pasë ku me këqyrë këtë vajzë”.
Bora e paqes
Derisa përshëndetemi me tri gratë e tjera, Arianita na shoqëron te varrezat e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periferi të qytezës në brigjet e Moravës.
“Ushtarja Shlirimtare e Kosovës”, përpiqet Valle të lexojë shqip mbishkrimin në mermerin e varrit të babait të Arianitës. Bashkë bëjmë homazhe për dëshmorin e lirisë.
“Por jeta vazhdon”, i thotë Ana pasi e puth në kokë dhe ia hedh dorën e djathtë mbi shpatulla. “Dhe duhet të vazhdosh jetën në Kosovë ose kudo që dëshiron”.
“Me qejfin më të madh është ta vazhdoj në Kosovë”, ia kthen Arianita, në dhjetor e papunë, por që të enjten më telefonoi për të më treguar se i kishte dalë emrin për punësim pas një konkursi të administratës komunale të Vitisë. Lajmin e merr vesh edhe Valle në Galici. Fort i bëhet qejfi.
Me urime e shprehje dashamirësie do të ndaheshin në mesditën e 12 dhjetorit në oborrin e shkollës fillore të Lubishtës para busteve të dëshmorëve të kombit.
“Çfarë dite! Me dëborën që po bie, sikur do të donim të kishte dëborë! Shumë më këndshëm ë, shumë më bukur, më paqësore”, thotë Valle.
“Deshta me ja ba veç do pyetje”, thotë Arianita para se të ndahet me gazetaren e luftës. “Qysh ju dok krahasimi tash me atëherë?”
“Mendoj se nuk e meritoj këtë mikpritje kaq të përzemërt”, i përgjigjet Valle.
“Meriton shumë më shumë”, ia kthen Arianita me qeshje të ngrohtë në një ditë të ftohtë dimri. “Por, edhe unë jam e lumtur që jam një grimë pjesë e historisë së familjes”.