Arbëri

Kosova ka betonuar rreshtimin e saj krah vlerave perëndimore

Mbështetja për Ukrainën pas agresionit të Rusisë është manifestuar edhe nëpërmjet një marshi protestues në kryeqytet, i cili u organizua të hënën nga përfaqësues të shoqërisë civile. Ndryshe prej vendeve të rajonit, Kosova iu bashkua në plotni Perëndimit duke dënuar agresionin rus edhe me vendosjen e sanksioneve

Kosova ka përcaktuar pozicionin e saj me vlerat perëndimore në mbështetje të Ukrainës pas agresionit të Rusisë. Pas masave të Qeverisë dhe Rezolutës së Kuvendit, kjo u manifestua edhe nëpërmjet një marshi të solidaritetit me popullin ukrainas.

“Qëndro e fortë Ukrainë”, “Paqe për Ukrainën”, “Bashkëndiejmë me gratë e Ukrainës”- kanë qenë disa prej pankartave me të cilat qytetarët marshuan të hënën në kryeqytet.

Në marshin solidarizues morën pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, deputetë të Kuvendit dhe diplomatë të huaj të akredituar në Kosovë. Shefja e shtetit deklaroi se Kosova qëndron përkrah popullit ukrainas, teksa ka përsëritur gatishmërinë e institucioneve për t’i dalë në ndihmë Ukrainës.

“Është me rëndësi që zëri ynë të dëgjohet anekënd botës çfarë ndodh kur diktatorët ledhatohen dhe sa e nevojshme është ndihma e aleatëve tanë perëndimorë dhe e shteteve të tjera paqedashëse, në raport me popullin e Ukrainës”, ka thënë Osmani. “Kosova ka treguar gatishmëri që t’u ofrojë mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina, në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë, por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e raportimit nga një vend i sigurt, pra nga Republika e Kosovës”.

E pyetur nëse ka komunikuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe zyrtarë të tjerë, Osmani ka theksuar se kanë dërguar mesazhe tek institucionet e shtetit që është në luftë me Rusinë.

“Natyrisht që kemi komunikuar me ambasadat e Ukrainës nëpër botë. Sidomos në shtetet ku edhe Kosova ka ambasada. Ne i kemi dërguar mesazhet tona edhe tek institucionet qendrore të Ukrainës. Ata janë në dijeni për të gjitha masat që i ka ndërmarrë Republika e Kosovës në përkrahje të popullit të Ukrainës, si dhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij shteti. Po ashtu, janë të vetëdijshëm se cili është shteti në rajonin tonë që po vazhdon të qëndrojë përkrah Putinit dhe Rusisë. Natyrisht ajo është Serbia”, ka potencuar Osmani.

Njëra prej organizatoreve, Dajana Berisha, deklaroi se marshi është dëshmi se Kosova ka përcaktuar pozicionin me vlerat perëndimore.

“Jemi sot këtu nëpërmjet një gjesti simbolik qytetar për të shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e Kosovës në rrafshin njerëzor, institucional, të organizatave joqeveritare ndaj popullit të Ukrainës. Jemi këtu për t’u përcaktuar për pozicionin me vlerat perëndimore mbarëperëndimore në momentet shumë të vështira që po kalon populli i Ukrainës si pasojë e invazionit dhe agresionit të Federatës ruse”, ka thënë Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare.

Marshit iu bashkuan edhe disa qytetarë që shprehën solidaritetin me popullin ukrainas.

“Ne e kemi përjetuar vetë në lëkurën tonë. Kemi qenë refugjatë edhe vetë, prandaj duhet me u solidarizu me ta. Sa e ka kapacitetin e vet, Kosova ka bërë mjaft. Tash ka shprehur vullnetin me i pranu edhe 5 mijë refugjatë. Kaq është forca jonë”, ka thënë Adnan Çuki, teksa ka tërhequr paralele mes luftës në Ukrainë dhe përjetimit personal gjatë luftës në Kosovë. “Ne kemi qenë në kurriz, krejt me policë serbë të rrethuar. Me një fjalë, kemi qenë të burgosur. Tash kemi emocione të mëdha kur i shohim ato skena në Ukrainë”, ka theksuar ai.

“Si qytetar i Kosovës me ndërgjegje kam dalë me përkrah një popull të cilit iu kanë cenuar liria dhe e drejta e vet. Është sulmuar një shtet që është i njohur ndërkombëtarisht pa asnjë arsye. Një qëllim të thjeshtë e ka Rusia – me e rrit territorin rus në dëm të fqinjëve. Luftën e kemi përjetuar edhe ne, kemi pasur miq që na kanë përkrahur. Prandaj është detyrim që kur një popull pushtohet, me e përkrah”, ka thënë Rizah Krasniqi.

Protesta pro-Putinit në Serbi

Ndryshe prej vendeve të rajonit, Kosova u përcaktua qartë rreth situatës në Ukrainë, edhe pse kjo e fundit nuk ia njeh shtetësinë Kosovës. Rreshtimi i politikës serbe pro-Putinit duke refuzuar të vendosë sanksione pas agresionit mbi Ukrainën u manifestua edhe me protesta mbështetëse.

Në qendër të Beogradit shpërthyen protestat pro-ruse, të organizuara nga grupe politike të krahut të djathtë ekstrem. Protestuesit u mblodhën në afërsi të Presidencës së Serbisë dhe kënduan mesazhe mbështetjeje për Rusinë.

“Rusi, Rusi”, “Serbët dhe rusët janë vëllezër përgjithmonë”, “Tradhti, tradhti” dhe “Vuçiq shqiptar, e tradhtove Serbinë”, janë disa prej mesazheve që shpalosën protestuesit serbë.

Përfaqësuesit e organizatave të ekstremit të djathtë, Damnjan Knezeviq nga Patrulla Popullore e Mladen Obradoviq nga Obrazi iu thanë protestuesve se nëse Serbia vendos sanksione ndaj Rusisë, pas zgjedhjeve të prillit, protestat do të masivizohen. Knezeviq ua dërgoi një mesazh mediave si CNN, BBC dhe RTS, “se rusofobia në Serbi është një gabim statistikor”.

Edhe në këtë protestë u përmendën bombardimet e NATO-s, ku Obradoviq tha se “Rusia po e çliron të gjithë botën nga kërcënimet e NATO-s” dhe se “Putini ka treguar se kush është burrështetasi më i fortë dhe më i guximshëm në botë”.

Dy marshet e Malit të Zi

Protesta pro-ruse pati edhe në Mal të Zi. Para selisë së Parlamentit të Malit të Zi javën e shkuar u mbajt një protestë në mbështetje të Rusisë. Dhjetëra protestuese mbanin flamuj rusë, serbë dhe të Perandorisë Ruse me parulla pro-Rusisë: “Lutu Zotit dhe qëndro Rusi” dhe “Serbët në Mal të Zi- rusët në Ukrainë”. Nuk mungonin as flamujt çetnikë me kafka dhe me mbishkrimin “Për mbretin dhe atdheun-liri a vdekje”. Në protestën para selisë së Parlamentit ishin të pranishëm edhe grupi i ashtuquajtur “Ujqërit e natës”, një organizatë e njohur pro-ruse, e cila është e afërt dhe mbështetet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Një protestë e ngjashme u mbajt edhe në qytetin e Nikshiqit në Mal të Zi, i cili gjendet pranë kufirit me Bosnjë-Hercegovinën, gjegjësisht pranë Republika Srpska.

Nacionalistët serbë pritet që ditëve në vazhdim të protestojnë edhe në qytetet e tjera në Mal të Zi. Këto janë tubimet e pakta në Evropë që mbështesin Rusinë dhe presidentin Putin.

Ditët e fundit në Podgoricë ka pasur edhe tubime në mbështetje të Ukrainës, ku protestuesit bënin thirrje për paqe dhe e akuzonin Rusinë për sulmet luftarake.

Qeveria malazeze ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë si kundërpërgjigje ndaj sulmit kundër Ukrainës. Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka njoftuar se “për shkak të një lufte që po zhvillohet në Evropë duhet të veprohet me përgjegjësi maksimale dhe në interes të vendit”. Sipas ministrit të Jashtëm malazias, Gjorgje Raduloviq, Mali i Zi si anëtar i NATO-s do të mbështesë të gjitha përparësitë e politikës së jashtme.

Ndërkaq presidenti malazias, Milo Gjukanoviq, i ka kritikuar veprimet e Rusisë që, sipas tij, “minojnë të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare duke cenuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë evropiane”.

Mali i Zi po ashtu ka nisur procedurën për marrjen e vendimit për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë.

Kërkesa e ukrainasve të Maqedonisë së Veriut për ndaljen e agresionit

Ndërkaq në Maqedoninë e Veriut, ku Rusia nuk i ka reshtur asnjëherë përpjekjet për të shkaktuar telashe, kanë protestuar ukrainasit që jetojnë në këtë shtet.

Protestuesit të cilët u mblodhën nën organizimin e Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut kanë brohoritur slogane si “Putini është fashist”, “Ndaloni luftën në Ukrainë”, “Putini është vrasës”, “Putini po vret fëmijë”.

Kryetari i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Urbanoviq, ka thënë se duan të përcjellin mesazhin se nuk është normale në shekullin e 21-të të vriten njerëz në mënyrë që presidenti i Rusisë të mbetet në pushtet.

Vend me rrezik potencial të shpërthimit të një lufte vazhdon të konsiderohet Bosnjë-Hercegovina me presidentit Milorad Dodik, autokrat që mbështet politikën e Putinit.

Por një demonstratë kundër luftës së Putinit u zhvillua edhe në këtë vend, me mesazhin: “Mësoni nga Sarajeva – Shpëtoni Kievin”.