Arbëri

Kosova e gatshme të strehojë deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina

Deri në 5 mijë refugjatë ka shprehur gatishmërinë t’i strehojë Kosova. Përderisa institucionet e Kosovës thonë se kanë kapacitete të mjaftueshme, nga Zyra e misionit të UNHCR-së në Kosovë janë të gatshëm të ndihmojnë në këtë aspekt, por shtojnë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë deri më tani

Institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të strehojnë deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina. Koordinimi i veprimeve për një gjë të tillë i është kërkuar Qeverisë së Kosovës nga Kuvendi, nëpërmjet një rezolute të miratuar të enjten.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë që krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, t’i koordinojë të gjitha veprimet e mëtutjeshme me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të shprehë gatishmërinë për strehimin eventual të deri pesë mijë refugjatëve nga Ukraina”, thuhet në pikën e katërt të rezolutës për të cilën u pajtuan të gjitha grupet parlamentare, e që iu dha drita e gjelbër në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur në mbështetje të Ukrainës.

Strehimi i pesë mijë refugjatëve nuk është duke u parë vështirë i realizueshëm.

Sipas ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, në Kosovë ka objekte të mjaftueshme në të cilat mund të akomodohen ata. Derisa thotë se situata me refugjatët ukrainas është më e menaxhueshme, sesa me refugjatët e tjerë, Zeka ka kërkuar nga institucionet koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Unë besoj me një organizim të shpejtë, edhe pse duhet llogaritur që për Kosovën nuk është një numër i vogël, pesë mijë veta, por duhet koordinim qoftë me BE-në, qoftë me organizatat e Kombeve të Bashkuar në mënyrë që të jetë ardhja e kontrolluar, që të mos jetë fluks i madh dhe pastaj të mos mundet që Kosova t’i sistemojë në mënyrën e duhur”, ka thënë Zeka.

Derisa ka folur për dallimin e menaxhimit të refugjatëve të ardhur në mënyrë të organizuar dhe atyre për të cilët nuk ka përgatitje paraprake, Zeka ka thënë se është më pak problematike situata aktuale.

“Procedura në rastin e refugjatëve të Ukrainës dallon prej disa refugjatëve qoftë sirianë e të tjerë, jo që është procedurë më e rëndë, për shkak se është procedurë e rregullt megjithatë duhet të kontrollohen me saktësi. Këto probleme nuk gjenden me ukrainasit, sepse ata vijnë të pajisur me dokumentacion dhe kështu që vendosen”, ka thënë ai.

Ish-zëvendësministri është shprehur i bindur se Kosova do të ndihmohet nga ndërkombëtarët në të gjitha aspektet, madje edhe në atë financiar dhe se një gjë e tillë nuk do të jetë i papërballueshëm për vendin.

“Si ekzekutiv, ne i bashkohemi gatishmërisë së shprehur në Rezolutë për strehim eventual deri në 5.000 refugjatë nga Ukraina. Ditë më parë kishim shprehur gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë. Përpos vullnetit tonë, ne besojmë që këto kapacitete ekzistojnë. Këtu përfshihen edhe kapacitetet që ofrohen edhe nga sektori privat. Kështu, po i bashkohemi një mobilizimi të gjithmbarshëm, sidomos në mesin e vendeve perëndimore, për t’u dalë në ndihmë shtetit dhe popullit ukrainas në forma të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Në anën tjetër, të gatshëm për t’u ndihmuar institucioneve në vend, është deklaruar nga komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

Sipas Manushaqe Hoxha-Krasniqit nga UNHCR-ja, deri më tani Zyra e shefit të misionit të UNHCR-së në Prishtinë nuk ka marrë ndonjë kërkesë në lidhje me pranimin e refugjatëve ukrainas.

“Ka mënyra të ndryshme t’i ndihmojmë/mbështesim shtetet që pranojnë refugjatët, si: ndërtimin e kapaciteteve për pranim dhe regjistrim, financim direkt ose mbështetje direkte të OJQ-ve dhe shoqërisë civile po ashtu edhe aktivistëve. Autoritetet nacionale kanë përgjegjësi primare për regjistrim, pranim, strehim dhe mbrojtje të refugjatëve në vendet përkatëse”, thuhet në përgjigjen nga UNHCR-ja, derisa bëhet thirrje për solidaritet nga shtetet që kufizojnë Ukrainën dhe “kanë ofruar pranim për azilkërkuesit dhe refugjatët ukrainas, po ashtu edhe refugjatët dhe personat e zhvendosur nga shtetet e treta”.

Të shtunën, Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se të paktën 1.3 milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i pushtimit nga Rusia. Qindra e mijëra kanë ikur në Poloni, ndërsa të tjerë kanë hyrë në Hungari, Rumani, Moldavi dhe Sllovaki. Tani Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se ky numër mund të rritet në 1.5 milionë deri në fund të kësaj jave.

“Kjo është kriza më e shpejtë e refugjatëve që kemi parë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, citohet të ketë thënë kreu i UNHCR-së, Filippo Grandi.

Në gusht të vitit të kaluar, institucionet e Kosovës vendosën që ta pranojnë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër të refugjatëve afganë. Brenda javësh, përmes disa fluturimesh arritën rreth 700 refugjatë, qëndrimi i të cilëve ishte i përkohshëm.