Ka vazhduar seanca e radhës për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Njëri nga dy dëshmitarët që u dëgjuan këtë të premte është zyrtar policor. Ai tha se e tërë policia e Kosovës në veri ishte e kontrolluar nga Milan Radojçiqi, përmes shefit të atëhershëm të operativës, Zheiko Bojiq, që vazhdojnë të jenë në arrati
Në seancën gjyqësore për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, një zyrtar policor ka hedhur pretendimin se Milan Radojçiqi ka kontrolluar Policinë e Kosovës në veri të vendit nëpërmjet Zhelko Bojiqit, i cili ishte shef i operativës në këtë institucion.
Nysret Bekteshi, që tash e shumë vjet punon në Polici, në pjesën veriore të Kosovës, gjatë dëshmisë së tij ka thënë se Radojçiqi e Bojiqi vazhdojnë të kenë raporte të afërta.
“Ka qenë shef i operativës në regjion të Mitrovicës së Veriut, ky person i ka pasur bartësit e vet, e pamundur u kanë me depërtua në një njësi pa konfirmimin e tij... Ka qenë shumë i afërt me Milan Radojçiqin...”, ka thënë ai.
Milan Radojçiq u arratis nga Kosova në Serbi përmes pikës kufitare në Bërnjak, ashtu sikurse mbeten në arrati edhe më tutje Zheiko Bojiq e Zvonko Veselinoviq, të cilët dyshohen për përfshirje në vrasjen e ish-politikanit serb.
Bekteshi për rreth 2 orë ka dëshmuar para trupit gjykues. Ai ka thënë se informacionet që kanë pasur për vrasjen e Oliver Ivanoviqit i kanë treguar edhe në task-forcën e krijuar për hetimin e kësaj vrasjeje.
Po kështu, ka thënë se pjesa veriore ka qenë e mbikëqyrur nga kamerat e sigurisë.
“Edhe sot flitet që ajo pjesë ka qenë dhe është e mbikëqyrur me kamera. Sipas një informacioni që flitet, i pakonfirmuar, kamerat kontrollohen nga Jovica Gjuriq, vëllai i drejtori të policisë rajonale Nenad Gjuriq”, ka shtuar ai.
Sipas Bekteshit, të akuzuarit që janë në këtë rast si Marko Roshiq e Dragisha Markoviq kanë qenë pjesë e klanit të Radojçiqit.
E, prokurori e ka pyetur edhe për dikë tjetër.
“A të thotë diçka emri Dragisha Markoviq?”
“Sipas kolegëve të mi banon në ndërtesën ku banon Milan Radojqiq edhe sipas kolegëve, domethënë ndërtesën ku banon Milani janë persona të zgjedhur. Nuk mundet çdo kush me ble e me jetu”, është përgjigjur Bekteshi.
Gjatë të premtes ka dëshmuar edhe Aleksandër Vllaiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, e cili ishte më i shkurtër në dëshminë e tij se Bekteshi, dhe i cili tha se nuk ka njohuri për kryerësit e vrasjes së Ivanoviqit.
Ndërkaq avokatët e të akuzuarve kërkuan që t’u hiqet masa e paraburgimit klientëve të tyre e t’u zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, por që trupi gjykues nuk e aprovoi një gjë të tillë.