Arbëri

Fekalet e Drenasit derdhen direkt në lumin Drenica

Lumi Drenica është shndërruar në lumë të ujërave të zeza. Fekalet e qytetit të Drenasit, të grumbulluara ndër vite, po përfundojnë në lumë. Nga Komuna është bërë e ditur se nuk janë në dijeni që ato po zbrazen në lumë. Ndërsa nga kompania që ka marrë pronën në shfrytëzim nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse ka leje për ta bërë një gjë të tillë

Fekalet e qytetit të Drenasit dhe të disa fshatrave të kësaj komune, të grumbulluara në një gropë septike për vite me radhë, po përfundojnë në lumin Drenica.

Operatori, i cili e ka marrë në shfrytëzim pronën komunale ku gjendet gropa, i ka futur gypat për ta pastruar atë.

Fekalet po i derdh në lumë, duke dëmtuar edhe shtratin e rregulluar gjatë vitit 2020.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga kompania “IP-Kos” që e ka në shfrytëzim pronën, por ajo nuk ka dhënë përgjigje. Lidhur me këtë nuk kanë folur as nga kompania “KWE”, e cila është angazhuar nga “IP-Kos” për largimin e këtyre ujërave të zeza.

Ligji për ujëra, përkatësisht neni 60 i tij, e ndalon shkarkimin e ujërave të ndotura në lumenj.

Nga Komuna e Drenasi kanë thënë se nuk janë në dijeni që këto fekale po përfundojnë në lumë.

Rrjedhja kryesore e qytetit është kyçur në këtë kolektor dhe gropa septike është jashtë funksionit tash e një kohë të gjatë, ndërsa mbeturinat e mbetura në gropën septike, kompania e cila ka marrë pronën në shfrytëzim për 99 vjet e ka për detyrë që t’i eliminojë dhe ta bëjë largimin e tyre.

“Nëse vërtetohet se kompania në fjalë ka bërë hedhjen e mbeturinave nga kjo gropë septike në lumë, Inspektorati do të merr masa” , ka thënë Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit.

Por në mesazhet që ka siguruar KOHA e që i takojnë një punonjësi të Kompanisë KWE thuhet se arkitekti ka folur më Komunën dhe se i kanë thënë që ta zbrazin në lumë.

KOHA ka kontaktuar numrin nga i cili janë dërguar këto mesazhe, por zyrtari, i cili nuk e ka treguar emrin e tij, ka thënë se është vetëm zyrtar financiar dhe se nuk mund të përgjigjet rreth pyetjeve të drejtuara.

Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë që KOHA të drejtojë pyetje me e-mail, porse emaili ka qenë i paqasshëm.

Ndërkohë, banorët e zonës janë ankuar për ndotjen e lumit dhe për kundërmimin që shkaktojnë fekalet.

Hamdi Neziri, banor i kësaj ane, kujton kohën kur uji i lumit ishte i pastër dhe kur fëmijët e tij dhe të lagjes zinin peshq dhe laheshin në të.

“Unë e di që djemtë e mi janë larë këtu në lumë. Tash krejt kanalizimet derdhën në të. Edhe shtrati, një pjesë është rregulluar. Edhe gypat për grumbullimin e kanalizimit i kanë sjellë, i kanë futur në afërsi të lumit, por këtu te ura përsëri derdhet”, ka treguar Neziri.

Ai ka thënë se gjatë verës kundërmimi është më i rëndë.

“Këtu kur kaloj, unë duhet t’i mbyll hundët me dorë, aq erë e rëndë që vjen. Krejt këto shtëpi tash e derdhin kanalizimin në lumë. Më herët ky ujë është përdorur edhe për ujitje”, ka thënë Neziri.

Edhe Bekim Thaçi, banor tjetër i Drenasit, ka thënë se verës ka kundërmim.

“Verës është katastrofë. Unë e kam shtëpinë pak më larg, por shtëpitë që janë përreth, aty era katastrofë është. Drenasi e ka përgjegjësi që ta përfundojë projektin e kanalizimit. Këtu nuk po merret përgjegjësi për ta përfunduar, është ndërprerë. Po thonë se prona duhet të shpronësohet. Një pengesë e vogël, 1 vit ose dy mbetet”, ka theksuar Thaçi.

Nga opozita e kanë fajësuar Komunën për ndotjen e mjedisit dhe të lumit Drenica.

Driton Ajazi, kryetar i “Demokratëve të Drenasit”, ka thënë se Komuna në mënyrë të kundërligjshme e ka dhënë edhe pronën në shfrytëzim e edhe ka lejuar që të bëhet ky degradim.

“Operatori është duke e zhvilluar projektin kundrejt degradimit mjedisor, pasi që mënyra se si është duke vepruar me gropën septike që gjendet aty në atë pronë, ku gjithë rrjedhja e asaj hidhet në atë lumë dhe në të njëjtën kohë është bërë edhe dëmtimi i lumit, dhe kjo është pasqyrë e qeverisjes aktuale të Lladrovcit”, ka thënë ai.

Ajazi ka thënë, po ashtu, se çështja do të ngrihet edhe në njërën nga mbledhjet e Kuvendit Komunal. Bashkë me këtë, ai ka thënë se do të diskutohet edhe për dhënien e pronës, siç e ka quajtur, në mënyrë të kundërligjshme, pasi që për të ka një kontest të hapur gjyqësor.

Nga Ministria e Mjedisit kanë thënë se për ndotjet në hapësirat komunale, kompetencat i kanë inspektorët mjedisorë të Komunës.

Lumi Drenica është ndër më të ndoturit në Kosovë. Nga Komuna e Drenasit kanë thënë se janë duke ndërtuar kolektorët e ujërave të zeza në të gjitha degëzimet.

“Deri më tani kolektorët janë punuar deri në Poklek të Vjetër, përkatësisht tek Lagjja Bucolli dhe degëzimet janë kryer nga Polluzha me të gjitha fshatrat në drejtim të Drenasit dhe nga Nekoci në drejtim të Drenasit, si dhe degëzime të tjera. Këtë vit ky projekt për ndërtimin e kolektorëve vazhdon në drejtim të fshatit Dobroshec, përkatësisht tek Guri i Plakës, ku edhe mendohet të ndërtohet impianti për grumbullimin e ujërave të zeza”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Sipas saj, edhe pse kolektori është afër përfundimit, Komuna nuk ka mjete për ndërtimin e impiantit për ujërat e zeza, i cili ka një kosto prej rreth 17 milionë eurosh.

Komuna ka bërë të ditur se ka bërë kërkesa vazhdimisht tek niveli qendror për realizimin e këtij projekti, i cili është shumë me rëndësi, jo vetëm për banorët e Komunës së Drenasit, por edhe të komunave të tjera përreth.