Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me gjuhën denigruese që Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë të martën duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu në Facebook pas raportimeve për kompensimin për udhëtim që kishte marrë Osmani në kohën sa ishte deputete.
AGK-ja ka thënë se akuzat dhe sulmet nga Sadriu shtojnë pasigurinë e gazetarëve në Kosovë.
“Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”, thuhet në reagim të AGK-së.