Arbëri

Policia po e kërkon Molliqajn për sulmin ndaj policit në protestë

Policia e Kosovës është në kërkim të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, pasi ai në protestën e të shtunës goditi me shuplakë një zyrtarë policorë.

Këtë e ka konfirmuar Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Zeqiri në emisionin “60 Minuta” në KTV ka treguar se gjatë dy ditëve janë lënduar 7 policë. Katër janë lënduar në protestë e tre dje në Rahovec ku janë ther me thikë.

“Në rastin konkret në protestë 4 policë janë sulmuar nga protestuesit. Janë identifikuar dy të dyshuar dhe janë në kërkim policor. Zyrtarët policorë kanë marrë tretman mjekësor. Dardan Molliqaj është një nga ta, siç është pa edhe në incizimet nga kamerat. Është në kërkim nga Policia, nuk është paraqitur ende në Polici. Sipas informatave nga zyrtarët policorë që po e hetojnë rastin nuk ka qasje në telefon e nuk është arrestuar. Është tentuar të ftohet nëpërmjet telefonit, por nuk ka qasje. Po ashtu edhe është shkuar në shtëpinë e tij, por nuk është gjetur”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri ka thënë se Policia nuk e ka arrestuar Molliqajn në protestë, për të mos e eskaluar protestën. Ai thotë se Policia ka pasur të drejtë të veprojë e ta arrestojë.

“Ka pasur të drejtë policia të reagojë e të arrestojë të dyshuarit. Policia e Kosovës është e trajnuar e profesionalizuar në masë të mirë, që të vlerësojë edhe të intervenojë në bazë të situatës. Të vlerësojë situatën fillimisht. Në këtë rast ka ruajtur qetësinë në publik. Kishim të bëjmë me protestë. Ka qenë qëllimi të ruhet qetësia në protestë, të mos eskalojë protesta”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri ka thënë se protestuesit në rastin konkret nuk kanë pasur të drejtë të mbajnë fjalim nga shkallët e objektit të Qeverisë. Por për të mos eskaluar situata, i kanë lënë protestuesit të afrohen te shkallët.

“Polici goditet në hyrje të objektit të Qeverisë. Të goditet zyrtari policor nuk është individuale, është goditur uniforma, është sulm ndaj shtetit të Kosovës. Kështu e kam cilësuar dhe qëndroj prapa klësaj. Shumë e vërtetë Molliqaj e ka poshtëruar Policinë e Kosovës. Policia ka mbrojtur objektin, protestuesit dhe qytetarët. Kush e ka shtyrë kë shihet në video”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri ka treguar se nga sulmet në Rahovec janë lënduar tre policë, njëri pak më shumë e dy të tjerë më lehtë.

Molliqaj sot ka mbajtur konferencë për media, ku ka ftuar partitë opozitare në luftimin e shtrenjtimit të rrymës.