Arbëri

Shkarkohet drejtori i RTK-së

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka shkarkuar të mërkurën mbrëma drejtorin e përgjithshëm të mediumit publik, Ngadhnjim Kastrati.

Sipas njoftimit të Bordit të RTK-së, Kastrati është shkarkuar me nëntë vota pro dhe asnjë kundër.

“Vendimi për shkarkim bazohet në shkeljet e shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve tjera nënligjore të bëra në RTK gjatë mandatit të z. Kastrati. Bordi i RTK-së konstatoi neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës. Bazuar në të gjitha këto shkelje, për Bordin e RTK-së ka qenë e pamundur vazhdimi i konsolidimit të reputacionit të RTK-së dhe funksionimit të tij me z.Kastrati si Drejtor i Përgjithshëm”, thuhet në njoftim.

Për shkarkimin, është deklaruar edhe tashmë ish-drejtori Kastrati, përmes një postimi në Facebook. Sipas tij, qëkur ka ardhur në funksion Bordi i ri, ka nisur presioni ndaj tij.

“Unë ju kam thënë qartë anëtarëve politikë të këtij Bordi se unë nuk e largoj asnjë person nga puna. Arsyeja është e thjeshtë: Ata punojnë prej shumë vitesh dhe janë të nevojshëm, ndërsa me ato paga mbajnë familjet e tyre, e që është mjaft e vështirë në këtë situatë të rëndë ekonomike”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, sipas komunikatës së Bordit të RTK-së, mediumi publik numëron 765 punonjës të rregullt dhe se ish-drejtori funksionimin e njësive kryesore të RTK-së e kishte bazuar te punonjësit me kontrata për shërbime.

“Deri më 31 dhjetor të vitit 2021, RTK-ja ka pasur 239 persona të angazhuar me kontrata për shërbime. Shumë prej tyre janë angazhuar për punët më esenciale të funksionimit të RTK-së, si: gazetarë, kameramanë, montazherë, punëtorë të sigurimit, etj. Për më tepër, z. Kastrati e ka konfirmuar përmes kanaleve zyrtare se funksionimi i shumë njësive të RTK-së varet nga personat e angazhuar me këto kontrata”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, Bordi i RTK-së ka listuar edhe një numër shkeljesh, që sipas tij, ka bërë Kastrati.

Në këtë mbledhje, Bordi ka emëruar ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekajn.