Arbëri

Rizvanolli fajëson Serbinë, KEK-un dhe qytetarët për krizën energjetike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka numëruar disa faktorë që, sipas saj, kanë ndikuar në krizën energjetike në vend. Në konferencën për media, ajo ka fajësuar Serbinë që po bllokon linjën energjetike duke shkaktuar devijime në rrjet, shkaku i të cilave KOSTT-i është detyruar që të kërkojë reduktime 8 me 2 në favor të rrymës. Shkak për krizë, sipas saj, është edhe rritja e konsumit të energjisë nga ana e qytetarëve, si dhe rënia e bllokut “B2” të “Kosovës B”. Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se blloku “B2” nuk do të kthehet në sistem së paku deri më 20 janar të vitit të ardhshëm

Kriza energjetike ka goditur Kosovën. Rënia e prodhimit vendor, rritja e çmimit të energjisë së importuar, bllokimi i linjës elektro-energjetike nga Serbia ka shkaktuar devijime në rrjetin evropian, për çka ENSOI i ka tërhequr vërejtjen KOSTT-it që të bëjë stabilizim të rrjetit, ose në të kundërtën do të shkëputet nga sistemi.

Për këtë arsye, KOSTT-i ka kërkuar nga KEDS-i që të fillojë me reduktime prej 8 me 2 në favor të rrymës, në mënyrë që të bëhet balancimi i sistemit. Kjo situatë, sipas KOSTT-it, do të zgjasë së paku edhe dy muajt e ardhshëm.

Për situatën energjetike në vend, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me ushtruesin e detyrës së kryeshefit të KOSTT-it, Kadri Kadriu, dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, në një konferencë për media të enjten kanë shpalosur shkaktarët e reduktimeve.

Ministrja Rizvanolli ka numëruar disa faktorë, duke fajësuar edhe qytetarët për rritje të konsumit. Faktori i parë i kësaj krize është edhe mungesa e prodhimit vendor.

“Këto probleme vijnë edhe prej varësisë së sektorit energjetik të Kosovës nga jashtë. Niveli i prodhimit nga ana e KEK-ut ka rënë. Sa më shumë që KEK-u prodhon energji, aq më pak jemi të varur nga importi e çmimet. Ne kemi nivel të ulët të prodhimit, sepse blloku “B2” ka rënë dhe ende nuk është aktivizuar. Ky është një faktor”, ka theksuar ajo.

Faktori i dytë, sipas saj, janë edhe kriza energjetike në Evropë dhe kufizimi i gazit nga Rusia.

“Bursa ndërkombëtare dhe çmimet në bursa ndërkombëtare janë rritur në mënyrë rekord. Ky është faktori i dytë. Prodhimi i energjisë në Evropë nuk është rritur, por është ulur. Kjo shpërputhje bën që të regjistrohen çmime rekorde. Situata në Evropë është përkeqësuar edhe më tej, dhe si pasojë e kësaj, është përkeqësuar edhe te ne. Në disa shtete, temperaturat kanë rënë nën nivelin 0. Franca, që është eksportuesi më i madh i energjisë, e ka ulur prodhimin”, ka thënë Rizvanolli. Por, nuk ka lënë pa e përmendur rritjen e konsumit, duke thënë se vetëm për dy ditë konsumi është rritur për 14 për qind.

“Për dallim nga viti i kaluar, jemi duke konsumuar shumë më shumë. Konsumi është rritur për 14 për qind për dy ditë, nga 19 dhjetori deri më 21 dhjetor. Nga të gjitha aspektet po përballemi me faktorë që po ndikojnë negativisht në situatën energjetike”, ka thënë ajo.

Iu ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve që ta kursejnë energjinë elektrike, edhe pse nuk ka dhënë një zgjidhje se me çfarë të ngrohen ata në mungesë të rrymës.

Rizvanolli ka theksuar se qytetarët do të duhet të gjejnë alternativa të tjera për ngrohje, në mënyrë që të kursehet energjia elektrike, në të kundërtën, siç ka thënë, qytetarët do të paguajnë përmes faturës dhe taksave.

“Më kanë pyetur edhe më herët se me çka duhet të ngrohemi. Dikush nuk ka opsione të tjera, të tjerët kanë opsione të tjera, ka edhe forma të tjera të kursimit të energjisë, ose të racionalizimit së paku duke shfrytëzuar më shumë energjinë gjatë natës sesa gjatë ditës. Ne jemi duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, sepse në fund të fundit ose do të paguani ju ose do të paguani prapë ju, duke e importuar këtë energji”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, shumë njerëz ngrohen me rrymë dhe se ky numër i familjeve është rritur pasi është hequr blloktarifa në vitin 2017 me presion të politikës në ZRRE.

“Në vend se njerëzit të kërkojnë alternativa të tjera që mund të jenë edhe më të lira, për komoditet nganjëherë e shfrytëzojnë energjinë elektrike”, ka thënë Rizvanolli.

Për krizën energjetike ka fajësuar edhe Serbinë që, siç ka thënë, po i bllokon linjat energjetike dhe që kësisoj po krijon ngarkesa në sistemin e energjisë edhe në vendet e tjera, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

“Serbia ka bllokuar linjën energjetike mes nesh. Kjo nuk është diçka e re, por në situatë krize si kjo e përkeqëson më tej situatën. Kjo shkakton ngarkesa në rrjete edhe në shtetet e tjera, si Maqedoni të Veriut e Shqipëri, që edhe ashtu janë në krizë. Jemi edhe më të kufizuar që të blejmë energji, shpesh duke mos pasur zgjidhje pos të blejmë me çmime të larta”, ka thënë Rizvanolli.

Ndërkohë, për reduktimet prej shumë se 2 orësh sesa që ishin paralajmëruar, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu, ka specifikuar se ato do të jenë 8 me 2 për dritën. Por, ka thënë se nëse ky plan s’mjafton, reduktimet mund të rriten.

“Ka nisur dje nga ora 11:00, plani ishte 8:2. Kemi kursyer diku 150 megavat dhe nevoja për reduktim është rritur. Ky plan nuk do të mjaftojë, shpresojmë të mos shkojmë në masë që reduktimet të mos rriten edhe më tej. Shpresoj të jetë më shkurtër. Realizimin e planit e bën KEDS-i. Në këtë moment diferenca mes prodhimit dhe importit është jashtëzakonisht e lartë. Në kushte normale nuk do të ishte problem, por ngritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar e ka përkeqësuar situatën”, ka thënë Kadriu.

Sipas tij, konsumi i energjisë elektrike është në nivele të jashtëzakonshme.

Kryeshefi i KOSTT-it ka thënë, po ashtu, se reduktimet e energjisë janë të domosdoshme për ta ruajtur integritetin e sistemit energjetik dhe për të mos u penalizuar nga ENSOI. Ai ka bërë të ditur se gjatë vjetëve të kaluar në Kosovë nuk ka pasur shpenzim kaq të madh të energjisë elektrike dhe se “për shkak të çmimit të lirë të rrymës, këtë vit edhe qytetarët kanë filluar ta përdorin atë për ngrohje”.

“Shpresojmë që bashkërisht ta kalojmë këtë situatë që do të jetë sfidë për dy muajt e ardhshëm”, ka thënë ai.

Sa i përket mungesës së energjisë elektrike në disa pjesë të vendit për më shumë se dy orë, Kadriu ka theksuar se realizimin e programit e bën KEDS-i, porse mungesa mund të jetë e lidhur edhe me prishje teknike.

Edhe ai ka thënë se shkaku i kërkesës për reduktime janë devijimet e bëra në rrjet. Këto devijime, sipas tij, kanë ndodhur si pasojë e disa shkaktarëve. E i pyetur nëse shkak i devijimeve është edhe konsumi në veri, Kadriu ka thënë se kjo pjesë është një prej shkaktarëve.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë ka theksuar se arsyet pse reduktimet kanë qenë më të gjata kanë të bëjnë me ngarkesat e shumta, pasi që qytetarët nuk kanë hequr pajisjet kur kanë mbetur pa energji elektrike.

“Çfarë ka ndodhur në shumë raste, sipas KEDS-it, është se ka pasur dhjetëra trafo ku ka qenë e pamundur të rikyçet trafo për shkak të ngarkesës së lartë. Kjo ka ndikuar që kufizimet e planifikuara dy-orëshe të zgjasin më tepër, pasi është dashur që të dalin ekspertët në terren. Kërkesa e KEDS-it dhe ekspertëve është që në momentin kur përjetoni reduktime është mirë përkohësisht t’i shkyçni pajisjet”, ka thënë Rizvanolli

Ndërsa, drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se nga data 20 janar 2022 mund të kthehet në funksion për prodhim të energjisë elektrike blloku “B2” i “Kosovës B”. Ai ka shtuar se KEK-u ka tri njësitë e Kosovës A në operim, ndërkaq te “Kosova B” është në operim vetëm njëri bllok, për shkak të avarisë.

“Te termocentrali ‘Kosova B’ situata është se vetëm blloku ‘B1’ është duke prodhuar, te ‘Kosova B2’ e kemi avarinë, e cila ende vazhdon dhe jemi në proces duke i marrë masat që ta kthejmë sa më shpejt në operim. Ne presim që diku nga data 20 janar të kthehet në operim ky bllok”, ka thënë Krasniqi.

Por, që kriza energjetike mund të zgjasë edhe më shumë se deri në fund të janarit.