Arbëri

30 ditë paraburgim “pelegrinëve” serbë që iu gjetën armë të ftohta në Gjakovë

30 ditë paraburgim “pelegrinëve” serbë

Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S. që dyshohet se kanë kryer veprën penale "mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve".

Personat që u arrestuan ditë më parë ishin paraqitur si pelegrinë, e më pas u kuptua që njëri prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë, e një tjetër kapiten i ushtrisë serbe. E dy të tjerët u konfirmua në seancën e së hënës se punojnë në institucione serbe të sigurisë.

Atyre iu gjetën armë të ftohta dhe një sëpatë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes. Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 5 prill 2025 dhe do të zgjasë deri më 5 maj 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.