Mëngjesi i së enjtes për specializantët me financim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ata me vetëfinancim të angazhuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës nuk do të nisë si zakonisht.
Duke filluar nga ora 09:00 e mëngjesit mantelbardhët kanë paralajmëruar një protestë para institucioneve kryesore për të paraqitur dy kërkesa kryesore.
Ata do të kërkojnë që specializantët me vetëfinancim të kthehen në të rregullt dhe të gjithëve t’u paguhet kujdestaria, sidomos gjatë vikendeve.
‘’Dy pikat kryesore për të cilat ne do të protestojmë janë kalimi i specializantëve me vetëfinancim në specializantë me financim në formë të rregullt dhe pika e dytë është që të kthehen kujdestaritë siç kanë qenë dhe të paguhen çdo kujdestari sidomos edhe vikendet sepse ne jemi të obliguar me mbajtur kujdestari edhe për përgatitje sa më të mirë profesionale por edhe për shkak të kërkesës për punën që duhet me bë brenda klinikave sepse ka fluks të madh të pacientëve’’, thotë Sami Pnishi, specializant në Klinikën e Neurokirurgjisë.
Uran Halimi, specializant me vetëfinancim në Klinikën e Kirurgjisë Orale, tha se kërkesa e tyre që të mos iu cenohet dinjiteti nuk është diçka e kundërligjshme.
Halimi u shpreh se në kohën e nënshkrimit të kontratave me MSH-në atyre u ishte premtuar se në buxhetin e këtij viti do të parashihen të kthehen në të rregullt.
‘’Kur është hapur konkursi në nëntor të vitit të kaluar për kategorinë me vetëfinancim me pretekstin që për momentin nuk kemi buxhet por në vitin 2021 do t’iu parashohim në buxhetin e vitit të ardhshëm. kjo nuk ka ndodhur për shkak të qeverisë neve politikat nuk na interesojnë dhe kemi mbetur kështu siç jemi, mirëpo prapë se prapë ne kemi qenë mund të themi të obliguar ose ta zgjedhim atë lloj specializimi ose të mbetemi dhe të largohemi tërësisht nga Kosova. Protesta do jetë një ditore për të enjten duke vazhduar të premten e kemi mbledhjen dhe pastaj pretendojmë edhe mendojmë që protesta do të ketë vazhdimisht por edhe bojkote”, thotë Halimi.
Ndërsa shtoi se shteti duhet të kthejë vëmendjen kah ta sepse, sipas tij, vetëm gjatë këtij viti Kosovën e kanë lëshuar 170 specializantë.
Në nëntor të vitit të kaluar rreth 1 mijë e 500 specializantë ishin bërë pjesë e sistemit publik shëndetësor në Kosovë në kohën kur Ministrinë e udhëhiqte ish-ministri Armend Zemaj.