Arbëri

Katër ditë nga vrasjet në Gllogjan, asnjë i arrestuar

Sulmi gllogjan

Kanë kaluar katër ditë që nga ngjarja tragjike në Gllogjan ku u vranë tre persona e një mbeti i plagosur.

Të premten një autobus i cili po udhëtonte nga Gjakova në Gllogjan u zu në pritë, siç dyshohet nga një person, i cili duke gjuajtur me kallashnikov la të vdekur shoferin e autobusit, dy nxënës të moshave 17 dhe 18-vjeçare dhe një nxënës të plagosur e për të cilin u njoftua se është jashtë rrezikut për jetë. Porse, ende nuk dihet asgjë për motivin e sulmit e as identitetin e të dyshuarit.

Ndonëse forca të policisë kanë zbarkuar në Deçan e Gllogjan që nga ajo ditë, ende nuk është njoftuar se Policia ka gjetur ndonjë gjurmë që mund të intensifikojë fushën e hetimit. Në disa konferenca për media është bërë e ditur se janë dy-tri pista të hetimit lidhur me rastin, por informacione më të detajuara nuk janë dhënë me arsyetimin se mund të dëmtohen hetimet.

E në anën tjetër nga Qeveria janë ofruar 20 mijë euro për këdo që çon në zbardhjen e rastit. Kryeministri Albin Kurti, në ditën e diel kur viktimat u varrosen ka thënë se informatat lidhur me rastin janë duke u shtuar, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Ai ka vazhduar t’i përmend 2-3 pistat, por pa ndonjë informacion të detajuar. Ndërkaq drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti ka thënë se janë duke marrë në pyetje dëshmitarë e ka potencuar se kanë shtuar forcat e Policisë në zbardhje të rastit.

E prokuroria të hënën ka thënë se ka siguruar disa informacione që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t'i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë", është thënë nga prokurorja e rastit Sahide Gashi, e cila nuk ka dhënë informacione tjera.

Ndonëse fillimisht kishte deklarata se sulmi mund të ishte akt terrorist, Policia e Kosovës e ka mohuar këtë gjë duke thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti ka të bëjë me terrorizëm.