Arbëri

Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Gjakovë s’ka njohuri për ndonjë konflikt linjash të autobusëve

Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Gjakovë, Flamur Bicurri, ka konfirmuar për KOHËN se Kompania “Erblini”, autobusi i së cilës u sulmua në Gllogjan të premten, ka operuar në vijën Gjakovë-Deçan, por edhe direkt për në Gllogjan.

Derisa në opinion është përmendur si pistë hetimi konflikti i shoferit të autobusit për linja autobusësh me dikë nga rivalët, drejtori Bicurri nuk ka mundur ta konfirmojë këtë.

“Nuk kam njohuri nëse ka patur konflikt me dikë për linja, të paktën unë nuk kam njohuri”, ka thënë shkurt ai.

Të premten, një autobus u sulmua me të shtëna armësh. Si pasojë e të shtënave, që sipas dyshimeve fillestare u bënë nga një person i maskuar, humbën jetën shoferi i autobusit dhe dy nxënës pasagjerë.

Policia ka thënë në mbrëmje vonë se janë dy ose tri pista të hetimit për rastin, por s’i ka bërë të ditura cilat janë ato.