Arbëri

Në fundjavë mund të vaksinoheni edhe në Aeroportin “Adem Jashari”

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nesër dhe pasnesër qytetarët do të mund të vaksinohen edhe në Aeroportin “Adem Jashari”.

Sipas MSH-së, kjo është bërë me qëllim të zgjerimit të mundësive për vaksinim anti-COVID në sa më shumë qendra dhe përmes ekipeve mobile.

“Ekipi mobil i vaksinimit që do të jetë nga QKMF-ja e Komunës së Obiliqit, do të vaksinojë për dy ditë radhazi në aeroport nga ora 08:00-16:00”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së sotme ndërkaq, krahas qendrave statike të vaksinimit, përmes ekipeve mobile mundësi vaksinimi është ofruar edhe në disa këshilla të Bashkësisë Islame të Kosovës në kohën e faljes së xhumasë.

Në fund, MSH-ja u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shumë.