Gati gjysma e komunave të Kosovës janë bërë me kryetarë pas zgjedhjeve lokale të së dielës. Por gjysma tjetër, përfshirë komunat e mëdha si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakove e Podujeva, do të vendosen pas balotazhit. Partia që udhëheq Qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti ta ruajë frymën e fitores nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit edhe në nivel lokal. Ky subjekt nuk arriti fitore në asnjë komunë në raundin e parë, edhe pse në disa shkon në balotazh si forcë e parë. Në mesin e partive shqiptare, Partia Demokratike ka fituar më së shumti në raundin e parë, pasuar nga LDK-ja e AAK-ja. Por rekordin e mban Lista Serbe me 9 komuna të fituara nga 10 sa ishte në garë
Dramë elektorale kanë prodhuar edhe zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku gati gjysma e komunave, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Gjakovën, Gjilanin e Podujevën, fituesit do të nxirren pas balotazhit.
Partia që udhëheq Qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti ta ruajë frymën e fitores nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit edhe në nivel lokal. Ky subjekt nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë, edhe pse në disa doli forcë e parë. Kandidatët e kësaj partie do të shkojnë në balotazh në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Gjakovë.
Lista Serbe ka fituar në 9 prej 10 komunave, sa ishte në garë. E dyta është Partia Demokratike e cila në raundin e parë fitoi në Skenderaj, Ferizaj, Mitrovicë e Hani i Elezit.
Lidhja Demokratike ka fituar në Pejë e Lipjan.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë me kandidatët e saj ka arritur ta mbajë pushtetin në Suharekë dhe Deçan.
Numri i qytetarëve që kanë votuar në zgjedhjet e së dielës është rreth 43 për qind ose 770.107 votues.
Por krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017 dalja është më e vogël. Në ato zgjedhje kishin votuar mbi 822 mijë votues.
Me përjashtim të disa incidenteve të vogla ku u desh edhe ndërhyrja e policisë, përgjithësisht dita e zgjedhjeve kaloi e qetë.
21 komuna në balotazh
Mbështetur në rezultatet preliminare të KQZ-së deri në mesnatën e së dielës, 21 nga 38 komuna do të shkojnë në balotazh. Një raund të dytë do të ketë edhe në garën për kryeqytetin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike.
Arben Vitia (LVV) në raundin e parë ka fituar 42.86 për qind të votave, derisa Përparim Rama (LDK) ka siguruar 28.70 për qind të votave.
Pas mbylljes së vendvotimeve, Vitia është shfaqur optimist por ka refuzuar të flasë për situatën që mund të sjellë balotazhi.
“Nga të dhënat që i kemi ne, është një diferencë e jashtëzakonshme. Derisa të përfundojnë të gjitha të dhënat, s’mund të prononcohemi për këtë. Verdikti i qytetarit është themelor që e bën të veten. Secili rezultat që do të dalë nga këto zgjedhje, ne do të bëjmë analizë. Duke i analizuar këto të dhëna, do ta kthejmë në një mënyrë reflektimin tonë”, ka thënë ai për “Kohën”.
Me gjithë rezultatin preliminar që nuk ia siguroi VV-së fitoren në asnjë komunë, optimiste është shfaqur edhe deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, në një paraqitje të orëve të vona.
“Do të qartësohet ngritja e paprecedent e Lëvizjes Vetëvendosje ku numri i përgjithshëm i votave tona dhe besimi qytetar do të ndryshojë. Rezultatet do të dëshmojnë se në garë ka qenë LVV kundër të gjitha subjekteve. Do të dalë fituese në komunat me të fuqishme dhe do të jetë në balotazh në komunat më të mëdha. Kudo që jemi në balotazh do të fitojmë”, ka thënë Pacolli.
PDK-ja ka shënuar rritje në Prishtinë, por jo mjaftueshëm sa kandidati i saj Uran Ismaili të hyjë në balotazh.
Sipas rezultateve preliminare, ai ka marrë 21.76 për qind të votave, pasuar nga Daut Haradinaj i AAK-së me 4.52 për qind.
Balotazh do të ketë edhe në Prizren mes kryetarit aktual që synon edhe një mandat, Mytaher Haskukës (LVV) dhe Shaqir Totës së PDK-së. Rezultati preliminar ka nxjerrë garë të ngushtë mes tyre, me Haskukën që ka siguruar 38.84 për qind, kurse Totaj – 31.84 për qind të votave.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke shkuar drejt balotazhit në Komunën e Gjilanit. Pas numërimit të rreth 90 për qind të votave, kryetari aktual Lutfi Haziri udhëheq me 44.22 për qind, i ndjekur nga Alban Hyseni me 44.10 për qind.
Garë e ngushtë mes VV-së e LDK-së është edhe në Podujevë, ku fituesin do ta përcaktojë balotazhi. Kryetari aktual nga VV-ja, Shpejtim Bulliqi, renditet i dyti me 43.98 për qind, kurse prin Ekrem Hyseni me 44.31 për qind.
Fushë-Kosova, komunë që konsiderohej bastion i LDK-së, pasi kjo parti ka udhëhequr historikisht, do të shkojë po ashtu në balotazh.
Kryetari aktual i kësaj komune, Burim Berisha, nga LDK-ja prin me 48.58 për qind të votave pas numërimit të 62.9 për qind të votave. Në vend të dytë është Enver Bajçinca i VV-së me 25.98 për qind të votave.
Balotazh LDK-LVV do të ketë edhe në Viti.
Komuna e Junikut ka përfunduar numërimin e zgjedhjeve për kryetar. Komuna do të ketë balotazh. Në balotazh kanë shkuar Agron Kuçi i AAK-së që ka marrë 47.26 për qind të votave me Ruzhdi Shehun e LDK-së që ka marrë 37.87 për qind të votave. Në këtë komunë kanë votuar 4527 qytetarë.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në këto zgjedhje Kosova ka kaluar një provim të demokracisë, dhe se AAK-ja ka shënuar rezultate të mira.
“Edhe rezultati i votave për asamble është i mirë, ka një rikthim të votës së Aleancës. Një proces kaq i mirë nuk duhet të dëmtohet në orët e fundit”, ka thënë Haradinaj.
Pak pa u mbushur një orë nga mbyllja e vendvotimeve në Malishevë, entuziazëm ka mbretëruar edhe në kampin e Nismës Socialdemokrate.
Por kandidati i saj, Ekrem Kastrati, me 35.92 për qind do të jetë në balotazh me rivalin nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj, që ka siguruar 27.14 për qind të votave.
Ndërkaq Qëndron Kastrati në Kamenicë ka rikthyer rezultatin, pas numërimit të mbi 51 për qind të votave. Nga numërimi i 18 mijë e 619 votave, Kastrati ka marrë 30.58 për qind, kurse Kadri Rahimaj i VV-së ka 30 për qind të votave.
Mst: PDK-ja riktheu Mitrovicën e Skenderajn, e mbajti Ferizajn, fiton në Han të Elezit
Partia Demokratike ka dalë subjekti shqiptar me më së shumti komuna të fituara qysh në raundin e parë.
Pas 8 vjetësh, PDK-ja i ka rikthyer Mitrovicën e Skenderajn, ka arritur ta ruajë pushtetin në Ferizaj, ka fituar edhe në Hanin e Elezit.
Bedri Hamza (PDK) në Mitrovicë ka marrë 54.45 për qind të votave nga mbi 70 për qind të vendvotimeve të numëruara.
“Kjo është Mitrovica e vërtetë. Ky është shpirti i Mitrovicës. U bashkuam për qytetin tonë, për ta ndryshuar, për ta zhvilluar”, ka shkruar Hamza.
Pas tij u renditën Agim Bahtiri (LVV) me 33.93 për qind dhe Armend Agolli (LDK) me 11.62 për qind.
Fitore ka shpallur edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, i cili siguroi 62.89 për qind të votave.
“Kjo fitore madhështore, historike e jashtëzakonshme, Ferizaj fitoi. Fitoi qeverisja lokale dhe jo politike. Fitoi nderi, guximi, morali, dija, u shpërblye puna jonë 4 vite që shkuan”. Nuk ka forcë më të madhe se besimi juaj, jam i privilegjuar të jem i zgjedhuri juaj, kryetari juaj që ka synim çdo fushë”, ka thënë Aliu para qytetarëve që kishin dalë ta festojnë fitoren.
Ndërkaq në Skenderaj Fadil Nura (PDK) e ka mposhtur kryetarin aktual Bekim Jashari me një diferencë prej rreth 15 për qind. Sipas rezultateve preliminare, Nura ka fituar me 55.88 për qind e Jashari siguroi 39.05 për qind.
Pak pas mbylljes së vendvotimeve, një grumbull i qytetarëve ka nisur festën në qytetin e Skenderajt. Aty janë dëgjuar edhe krisma të armëve. Përmes një kordoni, Policia e Kosovës është detyruar të ndërhyjë në festën e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, pasi janë ngritur tensione mes PDK-së dhe përkrahësve të Bekim Jasharit, i cili në këto zgjedhje garon me iniciativë të pavarur.
Kryetari aktual i Skenderajt ka thënë se në Drenicë pati manipulime.
“Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri më tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pavulosura në rreth 11 qendra të votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si "treni bullgar". Po ashtu mungesa e komisionerëve nga subjekti jonë politik ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë votën tonë. Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën.
Pas mbledhjes së fakteve të shumta për manipulime do të kërkojmë drejtësi për manipulimet e bëra në këto zgjedhje në Skenderaj”, ka thënë Bekim Jashari.
Mbështetur në rezultatet preliminare të KQZ-së, PDK-ja e ka rrëzuar nga pushteti edhe Rufki Sumën e Hanit të Elezit. Kandidati i këtij subjekti Mehmet Ballazhi ka dalë fitues me 50.98 për qind. Suma, që është kryetar nga viti 2009, pas numërimit të rreth 84 për qind të votave ka dalë i dyti me 42.42 për qind të votave.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një konferencë për media ka thënë se shënuan rezultat të jashtëzakonshëm anembanë Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës është partia e lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit. Ajo ka qenë e fortë, mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë. Qytetarët treguan sot se sa më e fortë që të jetë Partia Demokratike e Kosovës, aq më i sigurt e më i zhvilluar është edhe shteti i Kosovës. Bazuar në të dhënat tona nga terreni dhe rezultatet e deritashme të KQZ-së, PDK ka fituar pa balotazh në Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe në Han të Elezit. Ndërkaq, ne jemi në balotazh dhe me besimin e qytetarëve me 14 nëntor do ta fitojmë Prizrenin, Drenasin, Vushtrrinë, Shtimen, Dragashin, Malishevën, Klinën dhe jemi në pritje të rezultateve edhe në Fushë Kosovë. Qytetarët e vendlindjeve të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, sonte dëshmuan sërish mbështetjen e madhe për themeluesit e UÇK-së, PDK-së dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Fitoret e LDK-së
Me fishekzjarrë e brohoritje ka nisur festa edhe pranë selis së LDK-së vetëm pak minuta pasi janë mbyllur vendvotimet.
E kandidati i këtij subjekti, Gazmend Muhaxheri, që siguroi mandatin e tretë radhazi, ka qenë ndër të parët që shpalli fitoren.
në Pejë ka përfunduar. Sapo i keni numëruar votat dhe kemi fituar me rezultat 60 për qind. Kjo fitore është rezultat i punës katërvjeçare dhe qytetarët na kanë vlerësuar. Na mbetet edhe ata që s’na kanë votu me i bind për me na votu në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Muhaxheri.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Muhaxheri ka fituar 60.48 për qind. Pas tij janë renditur Gazmend Agusholli (LVV) me 22.47 e Rrustem Berisha (AAK) me 16.20.
Edhe kandidati për kryetar të Lipjani, Imri Ahmeti, ka siguruar mandatin tjetër duke fituar me mbi 50 për qind, duke lënë mbrapa Adnan Rrustemin e LVV-së me 23 për qind.
Pas rezultatit në Pejë e Lipjan, në kampin e LDK-së janë shfaqur optimist për rezultate pozitive në disa komuna. Kjo parti do të shkojë në balotazh edhe në Prishtinë, ku Përparim Rama është renditur i dyti.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo parti është rikthyer fuqishëm në këto zgjedhje, duke e fituar Pejën, Lipjanin dhe Fushë-Kosovën.
“LDK-ja ka siguruar raundin e dytë dhe kemi siguruar raundin e parë në: Pejë, Lipjan dhe Fushë-Kosovë. Jemi duke pritur edhe në Gjilan dhe në Podujevë. 46 për qind në Podujevë. Jemi në raundin e dytë edhe në Komunën e Junikut”, ka thënë i pari i LDK-së. Ai ka shtuar se festën do ta zhvillojë në Podujevë, atje ku kandidati i saj, Ekrem Hyseni, do të shkojë në balotazh me Shpejtim Bulliqin.
AAK-ja ruan bastionet e saj
Ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ruajtur bastionet e saj në disa prej komunave.
Kandidati i kësaj partie për kryetar të Suharekës, Bali Muharremaj, ka fituar qysh në raundin e parë me 51.10 për qind të votave. Prapa e ka lënë kandidatin e LDK-së, Ardian Shala, që nuk arriti të fitojë më shumë se 30.42. E kandidati i LVV-së në këtë komunë, Salih Zyba, u pozicionua vetëm i treti më 9.71 për qind.
Bashkim Ramosaj ka siguruar edhe katër vjet të tjera në krye të Deçanit me fitoren e shënuar të dielën. Ai ka marrë mbi 7 mijë vota ose 66.02 për qind, duke lënë pas kandidatin e LDK-së, Hyri Dobrunaj, me rreth 2 mijë vota.
Edhe Smajl Latifi në Rahovec ka fituar me mbi 51 për qind, duke e mposhtur LDK-në me kandidatin e saj, Burim Krasniqi, që mori 18.97 për qind.
Zgjedhje e së dielës janë të shtatat me radhë për kuvende komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Thirrjet e diplomatëve
Aktivë në ditë e zgjedhjeve kanë qenë edhe diplomatët e huaj të akredituar në Prishtinë. Ata kanë bërë thirrje që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka thënë se demokracia nuk është sport për spektatorë.
“Derisa Ambasada e SHBA-së në Prishtinë është pjesë e angazhimit mbikëqyrës ndërkombëtar, përfundimisht, është te ju, kosovarë, që të bëni që zëri t’u dëgjohet dhe të zgjidhni liderët komunalë që ndajnë prioritete tuaja. Kryeni pjesën tuaj. Dilni e votoni”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.
Edhe Ambasada e Zvicrës ka inkurajuar qytetarët të votojnë.
“Zëri juaj ka rëndësi! Si një mbështetëse e fuqishme e parimeve të demokracisë, Zvicra inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, burra e gra, të japin votën e tyre në zgjedhjet e sotme lokale”, thuhet në deklaratën e Ambasadës të publikuar në Facebook.
Misioni mbikëqyrës i BE-së do të përgatisë raport për zgjedhjet
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar qendrën e votimit në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Ai ka pyetur për procesin që ka shkuar në këtë qendër, për përgatitjet e po ashtu respektimin e masave anti-COVID.
Szunyog ka treguar se misioni mbikëqyrës i BE-së do ta përgatisë shpejt raportin preliminar që do të prezantohet në konferencë për media të martën në mëngjes.
“Kam vizituar këtë pikë votimi në Prishtinë, planifikoj të vizitoj edhe pika tjera gjatë ditës, në qytete tjera. Dua të them se është ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, e rëndësishme për Kosovën. Dua t’u bëj thirrje qytetarëve që të jenë pjesë aktive në zgjedhjet lokale. Mendoj se është një ditë ku gjithë qytetarët mund ta shprehin opinionin e tyre e të marrin në mënyrë aktive pjesë në të ardhmen e Kosovës, në formimin e të ardhmes së Kosovës”, ka thënë Szunyog.
Partitë shkelën masat anti-COVID
Partitë nuk kanë pyetur për masat anti-COVID që vazhdojnë të jenë në fuqi edhe në ditën e zgjedhjeve. Në disa qendra ku aktivistët u mblodhën për të festuar, ka pasur grumbullim të madh të njerëzve dhe pa masa mbrojtëse.
Kësisoj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për respektim të masave anti-COVID.
Në njoftim IKSHPK-ja ka thënë se situata epidemiologjike me COVID-19 vazhdon me rënie të numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve, por megjithatë është akoma jostabile duke pasur parasysh se varianti Delta është prezent dhe është varianti dominues në qarkullim në Kosovë.
“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje për kujdes dhe mosgrumbullim. Rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, ka thënë ai.
Kurti premton fuqizim të komunave
Liderët institucionalë kanë votuar në zgjedhjet e së dielës, duke i ftuar qytetarët që të dalin në numër sa më të madh.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se sot të gjithë votojnë për kualitetin e jetës në komunat ku banojnë.
“Sot të gjithë votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë. Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19. I priftë e mbara Republikës sonë!”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq Kryeministri Albin Kurti ka votuar qendrën e votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Ai ka inkurajuar qytetarët që të dalin të votojnë sa më masivisht, ndërsa ai ka thënë se Qeveria do të punojë në fuqizimin e komunave.
“Si qytetar i Republikës dhe si banor i kryeqytetit, porsa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira e demokratike. Qytetarët e Republikës së Kosovës anembanë komunave të shtetit tonë, sot vendosin se kush do të vendosë. Përcaktohen kush do të jenë udhëheqjet e përfaqësuesit e tyre. I inkurajoj gjithë qytetarët, pa dallim prejardhje, përkatësie apo pasurie, që të shfrytëzojnë këtë moment barazie, t’i përdorin mundësitë e barabarta që i kanë sot. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, unë bashkë me Qeverinë, do të punoj e bashkëpunoj shumë ngushtë në fuqizimin e komunave. Katër vjet të mbarë e të mirë i presin qytetarët e Republikës së Kosovës, anekënd Kosovës në të gjitha komunat ku jetojnë e punojnë”, ka thënë Kurti.
Pas rezultateve preliminare, ka munguar një deklarim nga ana e Kurtit.
Pa balotazh
Deçani - AAK
Leposaviq – SL
Lipjan – LDK
Novobërdë – Lista Serbe
Pejë – LDK
Skenderaj – PDK
Zubin Potok – SL (55.92 për qind)
Zveçan – SL
Ranillug – SL
Partesh – SL
Shtërpcë – Lista Serbe
Suharekë – AAK
Ferizaj – PDK
Hani i Elezit – PDK
Graçanicë – SL
Mitrovicë e Veriut – SL
Balotazh
Gjakovë
AAK – VV
Drenas
PDK – DD
Gjilan
VV – LDK
Dragash
LDK-PDK
Istog
LDK-AAK
Kaçanik
PDK-VV
Klinë
AAK-PDK
Fushë-Kosovë
LDK-VV
Kamenicë
PSD-VV
Rahovec
AAK-VV
Podujevë
VV-LDK
Prishtinë
VV-LDK
Prizren
VV-PDK
Obiliq
Xhafer Gashi - VV
Shtime
VV-PDK
Viti
LDK-VV
Vushtrri
PDK-LDK
Malishevë
Nisma-PDK
Junik
AAK-LDK
Mamushë
KDTP-KATP
Kllokot
SL-SNS