Pa zot shtëpie kanë mbetur 21 misione diplomatike nga 32 sa i ka Kosova në vendet tjera, disa me vite, për shkak të vonesave në emërimin e ambasadorëve të rinj. Megjithëse Qeveria nuk ka ofruar shifrën e saktë të Ambasadave pa titullarë, KOHA ka arritur t’i identifikojë disa prej tyre. Pa ambasador janë lënë qendrat kryesore vendimmarrëse përfshirë Uashingtonin, Londrën e Brukselin.
Në shtetin, aleatin kryesor mbi të cilin mbështetet Kosova, qe një vit nuk është caktuar ambasadori. Vlora Çitaku, së cilës i ishte dhënë mandati i dytë, u shkarkua nga Qeveria Kurti 1 në vitin 2020. Pasardhësi i saj nuk është dekretuar ende.
SHBA-ja është lobuesi kryesor për shtimin e njohjeve dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Ndërkaq në Londër, qe tre vjet nuk ka ambasador, ani se Britania është vend i QUINT-it. Kandidatët e propozuar më herët kanë pasur probleme me dekretim nga shteti pritës.
Më 2019, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte firmosur dekretin për emërimin e Frymëzim Isufajt ambasador në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut. KOHA DITORE pati raportuar se nominimi i ambasadorit të ri është refuzuar në heshtje. Por, jo për shkak të profilit të Isufajt. Është refuzuar nga fakti që kreu i shtetit e ka caktuar pas propozimit nga një Qeveri që ishte në dorëheqje.
Atëkohë Qeveria në dorëheqje udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, ndërkaq ministër i Jashtëm në dorëheqje ishte Behgjet Pacolli.
Agjenda evropiane pa adresë
Më shumë se dy vjet Kosova nuk ka ambasador as në Bruksel, pasi ambasadorit Bernard Nikaj i skadoi mandati. Kosova ka shprehur synimin për anëtarësim në BE dhe kërkon heqjen e shpejtë të vizave.
Po ashtu, vendi promotor i Bashkimit Evropian është lënë pa ambasador nga 31 gushti i këtij viti, pas shkarkimit të Beqë Cufajt. Gjermania ishte ndër kundërshtarët më të zëshëm kur nisën diskutimet për ndryshim kufijsh mes Kosovës e Serbisë.
Qe tre vjet nuk ka ambasador as në Japoni, shtet me të cilin Kosova vazhdimisht ka pasur qasje jo serioze. Ish-ambasadori Ahmet Shala në fillim të vitit 2015 kishte lënë misionin në gjysmë të mandatit, pa i kryer edhe procedurat formale.
Pak muaj më vonë, më 9 nëntor 2015, Japonia abstenoi në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.
Mbështetur në informata, deri tani ka pasur hezitim të diplomatëve kosovarë për të shërbyer në Japoni për shkak të disproporcionit të të ardhurave dhe kostos së jetesës.
E, Ambasadës së Kosovës në Australi iu vu dryni. Pas shkarkimit të Hajdin Abazit, ambasada mbeti pa asnjë diplomat të vetëm.
“Prita deri në ora 17:00 minuta me kohën e Australisë. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës. E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka siç ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada”, kishte deklaruar Abazi.
Kosova, aktualisht, nuk ka ambasador as në Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Senegal.
Ambasadorët e dekretuar
Pesë muaj pas shkarkimit të 12 ambasadorëve me çelës politikë, Ministria e Punëve të Jashtme është në finalizim të procesit të emërimit të disa prej tyre.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj. Aktualisht, ndodhemi në fazën e pritjes së pëlqimeve nga shtetet pritëse. Pasi të përfundojë ky proces i rregullt, MPJD-ja do ta informojë opinionin publik për të gjitha detajet”, kanë thënë në MPJ të martën.
Përgjigjet dërguar KOHËS pas interesimit në lidhje me procesin, ministria disa minuta më vona ua ka përcjellë edhe mediave tjera.
Ndërkaq në presidencë kanë konfirmuar se tashmë janë dekretuar propozimet që u kanë shkuar.
“Presidentja Osmani i ka dekretuar të gjitha propozimet për ambasadorë, në afat rekord dekretet janë dërguar në MPJD dhe ZKM. Ata tashmë presin vetëm agremanin nga shtetet pritëse. Nuk ka as edhe një propozim të vetëm që është duke pritur për dekretim”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media në presidencë.
Propozimet me çelës politikë
Megjithëse nuk janë zbuluar emrat, në pritje të pëlqimit “KOHA” ka mësuar emrat e dërguar për dekretim. Ilir Kapiti është propozuar ambasador në Britani të Madhe; Mehdi Halimi në Francë; Faruk Ajeti për Gjermani; Dren Doli është propozuar në Holandë dhe Martin Berishaj në Kroaci.
Janë edhe nëntë diplomatë të karrierës, të cilët Ministria i ka propozuar për ambasadorë në vende të ndryshme. Mes tyre, Ilir Dugolli në SHBA; Skënder Durmishi - Shqipëri e Sabri Kiçmari - Japoni. Drejtori i Përgjithshëm i MPJD-së, Albert Prenkaj është propozuar për Senegal e Valdet Sadiku në Slloveni.
Më 10 shtator Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme në një mbledhje që nuk është bërë publike, ka dëgjuar pesë kandidatët për ambasadorë dhe raportin ia ka përcjellë presidentes.
Sipas kryetarit të Komisionit, Haki Abazi, të gjithë kandidatët kanë kaluar.
“Janë në proces të pritjes së pëlqimit nga vendi pritës, nuk mund të përmendim emra të veçantë. Praktikë e njohur dhe procedura normale në shërbimin e jashtëm që procesi i ndryshimit të ambasadorit përcillet me “charge d’affaires”, pra ka të ngarkuar me punë”, ka thënë ai.
Por, opozita ka adresuar kritika për vonesat në emërimin e ambasadorëve.
“Në maj, kur ka qenë ministrja në raportim, ka thënë se deri më 31 gusht do të bëhet emërimi, por kjo nuk ka ndodhur. Përndryshe jemi në terr informativ, kam bërë pyetje parlamentare për procesin, por nuk na janë ofruar informata”, ka theksuar anëtarja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
“Duke e ditur sa është numri i ambasadorëve që janë shkarkuar, tash për shembull edhe lobimi për cilëndo situatë, e fundit në veri, kush lobon, kush negocion me vendet anëtare me lansu një të vërtetë. Nuk kemi pasur ambasadorë. Tash kur erdhi reciprociteti në të gjitha vendet më të rëndësishme evropiane kemi qenë të papërfaqësuar”, ka deklaruar Time Kadrijaj (AAK).
Abrashi: Kosova joserioze në marrëdhëniet dypalëshe
Sipas Emir Abrashit nga Instituti Demokraci Plus (D+), mungesa e ambasadorëve në shumicën dërmuese të misioneve, përçon mesazh të keq për seriozitetin, me të cilin ne u qasemi marrëdhënieve dypalëshe.
“Vonesat në emërimin e ambasadorëve sigurisht se do të kushtojnë sidomos kur të arrijmë për të aplikuar në organizata ndërkombëtare. Për këtë e kemi edhe shembullin e Japonisë, e cila në mungesë të ambasadorit për dy vjet, gjatë votimit në UNESCO pati abstenuar. Pra, shtetet e marrin si ofenduese mungesën e përfaqësuesve diplomatikë në ato vende në të cilat ne kemi ambasada. Prandaj, Ministria e Punëve të Jashtme deri më tash është jashtëzakonisht e vonuar dhe ani pse kjo mund të bëhet me arsyetimin se kemi një qeveri të re, shteteve tjera nuk iu intereson për shkak se marrëdhëniet mes shteteve vazhdojnë edhe në mungesë të qeverisë dhe nuk varen nga qeveria në qendër”, ka theksuar Abrashi.
“Prandaj, uroj që qeveria të ecë sa më shpejt me emërimin e ambasadorëve për të cilët është thënë se një pjesë e atyre të karrierës janë dërguar emrat dhe pritet marrja e pëlqimit nga shtetet pritëse. Megjithatë, kjo është një procedurë e cila merr kohë për shkak se shtetet fillimisht bëjnë analizën e profilit dhe më pas e lëshojnë pëlqimin ose e bëjnë refuzimin në heshtje për një kandidat. Kjo e vendos Kosovën në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë me të gjitha këto shtete, në të cilat kemi ambasada por s’kemi ambasadorë”.
Sipas ligjit, Ministria e Punëve të Jashtme dërgon propozimet për miratim në Qeveri.
Ndërkaq, Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit e bën intervistimin dhe përgatit raportin për kandidatët e propozuar me çelës politikë. Propozimet për diplomatë karriere i shkojnë direkt Presidencës. Presidenca i dekreton të gjithë ambasadorët. Por, shtetet pritëse duhet ta japin pëlqimin, para se të nisë punën ambasadori i ri.