Të mërkurën, delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Bruksel, me takimin që do të ketë për temë kryesore çështjen e targave. Edhe pse u raportua se në takim do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kjo është mohuar nga Bashkimi Evropian.
Të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se takimi do të mbahet të mërkurën me theks për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
“Shtensionimi i situatës është fjalë kyçe. Kjo që po ndodh aktualisht nuk është mirë as për qytetarët në Kosovë e as ata në Serbi, por as për ata në rajon”, ka thënë Stano.
Që nga e hëna e shkuar, rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë e Bërnjak, janë bllokuar nga protestues serbë, pasi Kosova nisi me zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave të Serbisë. Situata e tensionuar u përcoll edhe me kërcënime nga Serbia, ndërsa pos njësive speciale të Policisë së Kosovës që po qëndrojnë në veri, edhe KFOR-i ka shtuar patrullimet.
Burimet e BE-së kanë thënë të hënën për KOHËN se presin që ky takim të japë fryt drejt uljes së tensioneve, pasi palët pritet të vijnë me mandat të qartë për të arritur marrëveshje për targa, duke shtensionuar kështu situatën. Burimet e BE-së kanë thënë se ky takim vjen si pasojë e përpjekjeve diplomatike që kanë pasur në BE për ulje të tensioneve në veri të Kosovës. Në këto përpjekje kanë qenë të përfshirë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në disa raste u raportua se takimi vjen edhe me presion të SHBA-së. U raportua se edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të jetë i pranishëm, por kjo është mohuar nga Stano.
“Jo, ai s’do të jetë i pranishëm në dialog. Dialogu ka tre pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE). Të gjithë të tjerët vetëm e përkrahin nga jashtë”, ka deklaruar Stano për KOHËN.