Katër pika ka propozuar KFOR-i në funksion të zhbllokimit të situatës, pas takimeve që komandanti i saj, Franco Federici, ka zhvilluar të hënën me kryeministrin Kurti dhe kryetarët e komunave veriore.
Burime të “Kohës” brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë se, Federici ka propozuar që të hiqen barrikadat, të zhbllokohet rruga e njësitë speciale të Policisë së Kosovës të zëvendësohen me forcat e KFOR-it në veri.
Propozimi i fundit ka qenë që policia kufitare të vazhdojë t’i kryejë detyrat e mbrojtur nga njësitë e NATO-s.
Sipas burimeve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka pranuar në parim propozimin e gjeneralit të KFOR-it. Mirëpo, është refuzuar nga katër kryetarët e komunave veriore, pas konsultave që kanë zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti pas takimit me kryeministrin Edi Rama ka folur për komunikimet që kanë me KFOR-in duke thënë se nuk ka informata nëse ata po përgatiten për ndërhyrje siç u raportua gjatë ditës.
“Ne shkëmbejmë informacione me KFOR-in, sepse jemi më të pranishëm se vetë KFOR. Unë nuk kam një informacion të tillë për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it. Kam biseduar me sekretarin e NATO-s dhe BE, ne jemi të hapur për bisedime, qysh kur i kanë kërkuar bisedimet ne kemi qenë të gatshëm të udhëtojmë në Bruksel, ato janë refuzuar nga Beogradi. Në çdo moment që organizohet takimi ne do të shkojmë në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Prezencë të KFOR-it në veri kanë kërkuar kryetarët e komunave veriore pas takimit të zhvilluar me komandantin Franco Federici, por nuk kanë treguar nëse ka pasur propozime për tejkalimin e situatës.
Sipas njoftimit të Listës Serbe, ata janë siguruar se KFOR-i nuk do të ndërhyjë në çështje politike, as nuk do t’i heqë pengesat në rrugë.
“Kryetarët e komunave veriore i kërkuan Federicit që të mbeten neutralë dhe të veprojnë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Është e nevojshme që për shkak të serisë së incidenteve të shkaktuara nga forcat speciale ROSU në ditët e mëparshme, prania e KFOR-it të forcohet në mënyrë që të parandalohen incidente të tilla. U bëjmë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të përmbajtur e të mos bien pre e provokimeve. Komandanti i KFOR-it na ka thënë se KFOR-i nuk do të ndërhyjë në çështje politike dhe nuk do t’i heqë pengesat në rrugë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Pavarësisht mungesës së marrëveshjes, KFOR-i është aktivizuar në ditën e tetë të protestës duke i shtuar patrullimet në gjithë vendin, përfshirë veriun.
Pjesëtarë të Forcës që për mandat kanë ruajtjen e kufijve të Kosovës kanë patrulluar të hënën në Jarinjë.
Përmes një komunikate KFOR-i ka njoftuar se mbeten të fokusuar në zbatimin e mandatit që kanë.
“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij - i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Të dielën Serbia ka pozicionuar edhe ushtrinë pranë kufirit me Kosovën krahas manovrave me avionë ushtarakë. Sipas mediave serbe, katër automjete të blinduara janë afruar në dy kilometra pranë kufirit me Kosovën.
Derisa situata mes protestuesve dhe policisë ka qenë e qetë, ajo u tensionua të shtunën me dy incidente në komunat veriore. Në Zubin-Potok u dogj Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan u sulmua Qendra e Regjistrimit Civil.
Qeveria e Kosovës ka fajësuar Serbinë se organizoi sulmet mbi institucionet e vendit, teksa është zotuar se nuk do të zmbrapset nga vendimi për reciprocitet me targat.
Në anën tjetër, ambasadorët e vendeve të Quintit gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkuan “shtensionimin e krizës” në veri të Kosovës.