Policia e Kosovës ka demantuar mediumin serb “Kosovo Online” që ka raportuar se në afërsi të pikës kufitare Bërnjak nga njësia speciale e Policisë së Kosovës janë rrahur tre qytetarë serbë.
“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, medium ky i cili në vazhdimësi po publikon dezinformacione të tilla. Lajmi i radhës i publikuar sot (23.09.21) nga ky medium, se kinse në afërsi të pikë kalimit kufitar në Bërnjak njësia speciale nga Prishtina ka rrahur tre persona serb nuk qëndron, është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët si dhe për të plotësuar ambiciet e ndryshme politike të orientuara nga jashtë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me ndonjë protestues në pikën e kalimit kufitare, por se njësia policore gjatë rrugës ka verifikuar tre kamionë, gjegjësisht vozitësit e tyre të cilët kanë vozitur prapa kolonës së zyrtarëve policorë, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve dhe operacionit policorë.
“Zyrtarët kanë ndaluar, verifikuar dhe më pas i ka liruar të tre vozitësit të nacionlitetit m/sh kosovarë, të cilët janë udhëzuar të paraqiten në stacionin policorë Jugu - Mitrovicë. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, thuhet nga Policia e Kosovës, që ka postuar edhe dokumentet e shtetasve kosovarë të cilat janë verifikuar.
Ndaj sulmit të pretenduar gjatë të enjtes reagoi edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.