Arbëri

Mbi 200 projektligje pritet të shqyrtohen deri në fund të vitit

Pas kthimit nga pushimi, të hënën Kuvendi i Kosovës do ta mbajë seancën e parë plenare për sezonin vjeshtor.

24 projektligje e marrëveshje ndërkombëtare financiare që nuk kanë arritur të votohen në sesionin e kaluar të Kuvendit, do të vendosen për shqyrtim gjatë kësaj sezone.

Përveç atyre të mbetura, me planin e Qeverisë vetëm në muajin shtator parashihet shqyrtimi i 25 projektligjeve të tjera, përderisa në agjendë deri në fund të vitit, Qeveria synon shqyrtimin e rreth 190 projektligjeve.

Krahas agjendës së qeverisë, për rreth 6 muaj sa ka zhvilluar punime kjo legjislaturë, janë iniciuar vetëm 4 nisma ligjore nga deputetët.

Në një përgjigje për Kohën nga Kuvendi kanë thënë se pritet të procedohen edhe 12 projektligje të tjera të iniciuara nga komisionet parlamentare, që e çon në 200 numrin e projektligjeve për shqyrtim.

“Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti: 1.Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit. 2. Projektligji për kriptovaluta. 3. Projektligji për mbështetje të grave në biznes. 4.Projektligji për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 5. Projektligji për tregtinë online. 6. Projektligji për miniera dhe minerale. Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione: 1.Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje. 2. Projektligji për Peticione. 3.Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-019 për Avokatin e Popullit. Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes: 1.Projektligji për komisionarin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë: 1. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal: 1.Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës”.

Duke marrë parasysh që në sezonin pranveror Kuvendi ka arritur të miratojë vetëm 7 ligje, Agnesa Haxhiu nga KDI-ja që monitoron punën e legjislativit, është skeptike që agjenda e Qeverisë të përmbushet nëse shkon me këtë ritëm.

“Normalisht ky është një numër shumë i madh në krahasim me kohën e mbetur për ta përmbyllur këtë vit të punës së Kuvendit. Në fakt edhe sesioni vjeshtor kur e krahasojmë me periudhën kohore është shumë më i shkurtë në krahasim me sesionin pranveror dhe normalisht që nuk do të ketë shumë kohë për t’i përfunduar të gjitha ato projektligje që pritet të vijnë edhe prej anës së Qeverisë."

Megjithatë, Haxhiu thotë se nga Qeveria e Kuvendi duhet të caktohen prioritete si miratimi i pakos së ligjeve kundër korrupsionit, që rrjedh nga Agjenda e Reformave Evropiane dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare financiare.

“Kuvendi ka pasur probleme në sesionin pranveror që disa prej tyre t’i miratojë për shkak të mungesës së konsensusit mes grupeve parlamentare, duket që kjo problematikë do të vazhdojë të jetë aktuale. Aktualisht janë dy marrëveshje ndërkombëtare që kanë mbetur në procedurë të votimit në seancë mirëpo pritet që deri në fund të vitit duke u bazuar në planin e Qeverisë, të procedohen edhe 14 të tjera."

Për shkak të mungesës së konsensusit, në sesionin e kaluar, nga 7 rezolutat që janë propozuar nga opozita, ka arritur të miratohet vetëm një, ku sponsore ka qenë edhe partia në pushtet.