Arbëri

S’përjashtohen protestat e mantelbardhëve në pandemi

Nëse krerët e shtetit s’u përgjigjen kërkesave të stafit shëndetësor për shtesat në paga në kohë pandemie dhe për Ligjin për paga, nuk përjashtohet mundësia që ata të dalin në protesta, ka paralajmëruar kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla.

Ai ka thënë se tre krerët e shtetit kanë afat që deri më 13 shtator t’u japin një përgjigje kërkesave të stafit shëndetësor. Përndryshe ka thënë se në mes të pandemisë mantelbardhët nuk do të hyjnë në grevë për shkak të pandemisë, por do të dalin në rrugë.

“As që kanë reflektuar që nga prilli. Në maj i kemi paralajmëruar: mos i ndalni shtesat e punoni në Ligjin për paga. Më irrituese ka qenë deklarata e fundit e ministrit të Financave, që së pari i ka ndalë shtesat prej 250 në 150. S’kemi bë zë, e më pastaj për dy muaj ka thënë s’ka raste. Pastaj ka marrë vendim skandaloz e irritues, ai 60 euroshi i famshëm. S’kemi reaguar me protesta për shkak të pandemisë, por kemi tentuar me dialog social. Por kemi qenë totalisht të injoruar. Vetë sponsoruesja e ligjit anti-COVID, atë kohë kryeparlamentare e tash presidente, ka heshtur. Ia kemi kujtuar se po shkelet ligji, por prapë ka heshtur. Kryeparlamentari po ashtu. Çdo javë kemi kërkuar, por në fund të fundit punëtorët ishin të irrituar. Kanë kërkuar të kthehen shtesat, por s’ka pas mekanizëm si të kthehen 60 euro e ka pas zëra e ftesa për reagim sindikal”, ka thënë ai në emisionin SOT në KTV.

Duke u ankuar edhe për mungesë të madhe stafi, Syla ka thënë se shteti në vazhdimësi ka pasur qasje joserioze ndaj stafit shëndetësor. Ai ka thënë se për kërkesat e tyre, nuk është luksi që të ketë grevë masive.

“Në Këshillin Drejtues kemi dhënë afat deri më datën 13 të shohim apo na ftojnë e dje ka qenë letra e fundit dhe apeli i fundit publik. Nesër do të mblidhen të gjithë faktorët sa për të thënë se jemi unikë dhe për formën tjetër si do të veprojmë do të vendosim së bashku. S’e kemi luksin për grevë masive, por do të vendosim që të protestojmë para institucioneve që të shpalosim kërkesat tona e edhe ta marrë vesh e gjithë popullata se në çfarë gjendje e keni sjellë shëndetësinë që në mes të pandemisë të protestojmë me mantel të bardhë. Do të jetë e turpshme. Ju lutem mos na detyroni ta bëjmë sepse s’është e hijshme në mediumet botërore të dalë lajmi kur ne jemi në top të gjendjes me raste e vdekje, të protestojmë për të drejtat tona. Duhet ta dijë popullata se s’është punë materiale, por ofendimi. Nëse ka para për parlamentarët, e jo për punëtorët shëndetësorë, policët e zjarrfikësit. Si është e mundur shteti të dalë e të thotë ua rrita pagat 60 euro. Do të kuptojnë kur të protestojmë. S’do të mungojë asnjë shërbim”, ka vazhduar ai.

Në fund, Syla ka thënë se “duke parë jotransparencën e Qeverisë nuk pret se ajo do t’i ftojë në takim”.

 
“Shteti nuk është serioz me stafin shëndetësorë”

“Shteti nuk është serioz me stafin shëndetësorë”

Posted by Koha.net on Tuesday, September 7, 2021