85 inspektorët sanitarë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë për mbikëqyrje të zbatimit të masave kundër COVID-19, tashmë kanë filluar punën. Në ditën e parë të tyre kanë shqiptuar 5 gjoba. Derisa zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë shqiptuar afro 4 mijë gjoba në 24 orët e fundit, kryesisht për mosmbajtje të maskës
Në ditën e parë të punës pas kontraktimit nga Qeveria, 85 inspektorët e rinj të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë shqiptuar të martën 5 gjoba për shkelje të masave anti-Covid. E policia e Kosovës në 24 orët e fundit i ka gjobitur 3 mijë e 981 persona dhe gjatë së mërkurës pjesëtarë të policisë janë parë kryesisht në sheshet e Prishtinës ku ka më shumë frekuentim të qytetarëve.
Për mosmbajtje të maskës, vetëm në komunën e Ferizajt, nga Policia e Kosovës janë gjobitur 395 persona. Sipas, një njoftimi të Policisë rajonale në Ferizaj, gjatë kësaj periudhë janë shqiptuar 70 vërejtjeve policore, e 469 gjoba ndaj qytetarëve për mos respektim të vendimeve të Qeverisë.
Derisa bizneset tashmë i shfrytëzojnë vetëm hapësirat e jashtme ku qytetarët rrinë pa maska, në Rrugën B i shumtë është numri i tyre që edhe qarkullojnë pa to.
Se masat po respektohen në masë të madhe nga bizneset, ka folur Flamur Kadriu, zv.kryeshef ekzekutiv në AUV.
“Gjatë ditës së djeshme kanë qenë 538 kontrolle në përgjithësi, dy kanë qenë shqiptime të gjobave te personat fizikë dhe 3 për persona juridikë për biznese. Vlen me cek edhe prej informatave që kemi, dje ka qenë relativisht qetë”, ka thënë ai.
Këtij institucioni, nga e marta i janë bashkuar 85 inspektorët sanitarë, të cilët do të merren vetëm me inspektimin e masave anti-Covid.
“Ne i kemi pas 11 inspektorë aktivë në tërë territorin e Kosovës, me shtimin e këtyre 85 është lehtësuar jashtëzakonisht puna. Ndahen terrenet se ku nga sa veta do të shkojnë, varësisht nga numri i bizneseve caktohen më shumë, e në komuna më të vogla më pak”, ka shtuar tutje Kadriu.
E rreth inspektimit nëpër komuna, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë se përveç shtimit të numrit të inspektorëve të AUV-it, do të duhej të shtohej edhe numri i inspektorëve komunalë. Tutje sipas tij, AKK-ja do kenë një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për të vendosur nëse masat do të duhet të vazhdojnë edhe pas 13 shtatorit.
Ibrahimi thotë se kryetarët e komunave vazhdimisht janë duke kërkuar që në ditët në vazhdim të shtohet numri i qendrave të vaksinimit, në mënyrë që të imunizohen sa më shumë qytetarë.
“Kemi kërkuar që sa më shumë të hapen qendra të reja të vaksinimit, në mënyre që të vaksinohen më shumë qytetarë, dhe të mos ketë grumbullime që mund të ktheheshin në vatra të infeksionit. Gjithashtu kemi kërkuar që të punohet edhe të shtunën e të dielave, dhe kemi kërkuar që të shtohet numri i stafit shëndetësor”, ka thënë ai.
Pas përkeqësimit të gjendjes me COVID-19, Qeveria e Kosovës mori vendim që nga 31 gushti e deri më 13 shtator të kufizohet qarkullimi i lëvizjes, nga ora 22:00 e deri në 5:00, dhe që gastronomia të punojë vetëm në hapësira të jashtme deri në orën 21:30. Maska është bërë obligative për qytetarët edhe kur ecin vetëm në rrugë.