Arbëri

Apeli vërteton aktgjykimin e Themelores në rastin e ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota

Gjykata e Apelit në Kosovë ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores së Pejës për rastin e ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit Enver Berisha.

Gjykata Themelore në Pejë, Sokol Bashotën dhe Enver Berishën, i kishte shpallur fajtor për veprën penale “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare”. Ata ishin dënuar me burgim me kusht prej 6 muajve. Dënimi do të duhej vuajtur vetëm nëse gjatë periudhës njëvjeçare do të kryenin vepër tjetër penale.

Po ashtu të akuzuarit janë gjobitur me 1200 euro.

Apeli ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Pejës si të pabazuar e po ashtu të avokatëve mbrojtës të Sokol Bashotës dhe Enver Berishës.

“Kolegji i gjyqtarëve i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor për shkak të veprave penale të lartcekura, ndërsa aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore”, thuhet nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, aktgjykimi ndaj Bashotës dhe Berishës ishte shpallur më 19 shkurt të këtij viti.

Prokuroria e ngarkonte ish-kryetarin e Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarin e Klinës, Enver Berisha. 

Ata akuzoheshin se në periudhën janar 2009 e deri në qershor 2016, nuk kanë përfshirë të dhënat ose informacionet, kur kanë paraqitur deklarimet e tyre pasurore në Agjencinë Kundër Korrupsionit. 

Bashota nga PDK-ja është propozuar kandidat për kryetar të Klinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.