Arbëri

Sot Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, në Kosovë ende janë mbi 1.600 të zhdukur nga lufta e fundit

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kanë kaluar mbi 23 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjarët e më shumë se 1600 personave të zhdukur ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Nga Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar (KNKK) është thënë se këto familje vetëm sa janë lënë në harresë, ndërsa pandemia vetëm e ka rënduar barrën.

“Këto familje janë lënë në harresë, kanë ngecur në të kaluarën, në pamundësi që të mbajnë zi, të planifikojnë apo të shikojnë kah e ardhmja. Pandemia e COVID-19 vetëm sa e ka rënduar barrën që familjet është dashur ta mbartin për një kohë të gjatë. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), si gjithmonë, u ka qëndruar pranë familjarëve të personave të zhdukur, duke u ofruar mbështetje në vazhdimësi, përfshirë në aspektin psikosocial, në përpjekje për t’ua lehtësuar vuajtjet. Megjithatë, është mbështetja dhe bashkëndjesia e shoqërisë si tërësi, dhe e autoriteteve dhe komuniteteve të tyre në veçanti, ajo që është tejet e rëndësishme për t'u ndihmuar atyre që ta përballojnë dhimbjen”, thuhet nga Komiteti.

E Agim Gashi, shefi i misionit të KNKK-së në Kosovë, ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve që të mendojnë sërish se çfarë mund të bëjnë për të ngushëlluar familjarët e personave të zhdukur.

“Familjarët e personave të zhdukur kanë pritur lajme për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre qe shumë vite. Sikur në të kaluarën, edhe sivjet, ne i bëjmë thirrje tërë shoqërisë dhe autoriteteve që të mendojnë përsëri se çfarë tjetër mund të bëjnë për t’i ngushëlluar familjarët e personave të zhdukur në një situatë të rënduar nga pandemia”, tha Gashi.

Ai e ka vlerësuar pozitive përparimin që është arritur në zbulimin e varrezave të reja gjatë vitit të kaluar dhe ka njoftuar se gjatë këtij viti është zbardhur fati i 13 personave.

“Është thelbësore që të shfrytëzohen kontributet e të gjitha palëve dhe akterëve të përfshirë në proces për të arritur rezultate më të mira", tha Gashi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën ka thënë se ka filluar procedura e amandamentimit të Ligjit për personat e zhdukur dhe se pritet të shkojë në Kuvend brenda vitit.

Këtë e ka thënë Kurti gjatë takimit me Kryesinë e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur në Kosovë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës në koordinim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur organizojnë marsh përkujtimor. Marshi nis në ora 9:30, nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te lapidari dedikuar personave të pagjetur, para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.